Berisha: Opozita pengesa e vetme për statusin kandidat

Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha në përfundim të Samitit të Partive Popullore Evropian ka dhënë një prononcim për mediat duke u shprehur se mbështet dhënien e statusit kandidat për Serbinë. Ndërsa për Shqipërinë ai tha se kishte mbajtur qëndrimin se ky proces duhet të jetë i merituar dhe jo i dhuruar.
E njoha samitin me zhvillimet në Shqipëri dhe natyrisht, mbrojta para kolegëve dhe miqve të mi pikëpamjen time se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është dhe duhet të mbetet një proces i bazuar kryekëput në meritë, sepse vetëm i tillë ai u shërben mbarë qytetarëve shqiptarë, u shpreh Berisha.
Lidhur me vlerësimin e reformave, kreu i qeverisë shqiptare ka nënvizuar se edhe Evropa është njohur me bllokimin që u bën opozita atyre dhe se ajo është e vetmja pengesë për marrjen e statusit.
Besoj se është e qartë dhe nuk di ndonjë njeri në familjen e Partive Popullore Evropiane që të mos ketë kuptuar me kohë se, njeriu që bërtet është edhe ai që vetbllokon, u shpreh Kryeministri.
Nuk ka asnjë pengesë, përveç faktit se opozita shqiptare bllokoi për dy vite më radhë votimin e reformave evropiane. Unë e kam theksuar dhe e theksoj; nuk mund ti kërkoj kërkujt që të mbështesë statusin për Shqipërinë, në një kohë kur partia kryesore opozitare, në një rast unik në Evropë, nuk voton reformat e drejta të kërkuara për procesin e afrimit të mëtejshëm me Bashkimin Evropian, shtoi ai. Ai tha se nëse opozita ka vullnet kushtet për marrjen e statusit mund të plotësohen brenda 4 deri në 6 javë. /F.S/
* * *
Kryeministri Berisha është nisur sot drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në Samitin e Partisë Popullore Europiane.
Samiti bashkon kryetarë shtetesh dhe kryeministra, si dhe kryetarë të partive opozitare në Europë, anëtare të Partisë Popullore Europiane, të cilët do të diskutojnë zhvillimin e një qasjeje të përbashkët të EPP-së mbi çështje europiane, që i paraprin mbledhjes së Këshillit Europian.
Samiti do të moderohet nga Presidenti i PPE-së Wilfried Martens dhe pjesëmarrës në të janë Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy, Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri i Spanjë Mariano Rajoy, Kryeministri i Luksemburgut Jean Claude Juncker, Presidenti i Rumanisë Traian Basescu, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, Kryeministri i Polonisë Donald Tusk, Kryeministri i Suedisë Frederik Reinfeld, Kryeministri i Portugalisë Pedro Passos Coelho, Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansa etj., si dhe Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso. / G.N.