E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, Shqipëria dorëzon raportin mbi përmbushjen e “masës kritike”. Sanino: Përparime shumë pozitive, të hiqet imuniteti

04-09-2012 / Gazeta 55

Qeveria shqiptare dorëzoi sot në Bruksel qëndrimin e saj të fundit mbi përmbushjen e masës kritike të 12 rekomandimeve, duke marrë një vlerësim paraprak nga Komisioni Europian. “Që prej nëntorit, kur le të themi një frymë e re nisi të funksionojë në vend, e në të vërtetë kur shohim 12 prioritetet e se çfarë është zbatuar ndër ato 12 prioritete kyçe, balanca është ekstremisht e mirë, ekstremisht pozitive. Dhe jo vetëm qeveria, por të gjitha partitë, të gjithë aktorët politikë në vend, dhe shoqëria në tërësi mund të gëzohen për çfarë është arritur deri këtu”- tha Stefano Sanino, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE. Pas votimit të disa ligjeve me 3/5, emërimit të Avokatit të Popullit e miratimit të reformës zgjedhore, vendi nuk ka mbyllur ende çështjen e rregullores së parlamentit dhe atë të imuniteteve. Kjo e fundit zuri vendin kryesor edhe në debatin e organizuar nga Qendra e Politikave Europiane në Bruksel. “Ka disa alternativa në vend për të shtyrë përpara ligjin për heqjen e imunitetit. Siç e dini, mazhoranca ka propozuar edhe një referendum kombëtar, i cili po ashtu është një mjet demokratik në mënyrë që të vijohet përpara. Pra, unë nuk shoh ndonjë mosmarrëveshje. Ata e shohin në mënyra të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se palët nuk janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin, e për të vendosur masa më të rrepta për të kontrolluar më mirë”- tha ministri i Jashtëm Edmond Panariti. “Tani ne nuk kemi më kohë të mjaftueshme t’i hyjmë debatit të ndryshimeve kushtetuese gjatë shtatorit. Heqja e imunitetit është diçka që po e mbajmë si propozim që prej vitit 2003. Ndërsa ndryshimet e tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë mund të diskutohen më vonë”- u shpreh ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. “Dua të nënvizoj rolin e imunitetit, që edhe për ne është një element i rëndësishëm. Lufta ndaj korrupsionit është një nga fushat ku ne besojmë se nevojitet të bëhen përpjekje dhe kjo do të përbëjë me siguri një përpjekje në drejtimin e duhur. Nëse ne, me shpresë, shohim miratimin e këtij ligji në një mënyrë le të themi jo të sforcuar, por me marrëveshje ndërmjet të gjitha forcavepolitike, atëherë kjo do të përbënte me siguri një hap të rëndësishëm përpara, e shoqëruar nga të gjitha gjërat e tjera që janë bërë por edhe nga përpjekjet që forcat politike po bëjnë në fusha të tjera”- theksoi Sanino. Komisioni Europian, i cili ka nisur me kohë hartimin e raport-progresit, do të marrë në shqyrtim të dhënat e fundit të dorëzuara nga qeveria shqiptare për t’i përfshirë në dokumentin që publikohet më 12 tetor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›