E Shtunë, 31 Tetor 2026

MB, Ramës: Jo kapital politik me zjarret

Ministria e Brendshme i ka tërhequr dhe njëherë vëmendjen kreut të opozitës Edi Rama të mos fitojë kapital politik me vatrat e zjarrit në vend. Në një deklaratë për mediat zëdhënësi i MB-së, Leonard Olli, i bëri thirrje numrit një të opozitës të dalë nga guaska e virtualitetit dhe të dënojë rastet flagrante të zjarrëvënieve të qëllimshme nga persona të papërgjegjshëm.


Nga ana tjetër Olli gjithashtu ka bërë një panoramë të situatës së zjarreve në vend dhe punës për shuarjen e tyre, ku nënvizoi se të gjitha strukturat shtetërore janë në gadishmëri të plotë 24 orë në 24 për përballimin me sukses të situatës.

Në këtë kontekst ai shtoi se falë marrëveshjes së palës shqiptare me vendet fqinje në vendin tonë po asistojnë dhe shtete si Italia, Sllovenia, Turqia dhe Mali i Zi përmes helikopterëve dhe avionëve të dërguar, të cilët janë përdorur kryesisht në terrenet e thyera, aty ku është e pamundur ndërhyrja nga toka.

MB në përfundim tha se vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve, ndërsa nënvizoi faktin se janë bërë të gjitha përpjekjet për elemiminimin sa më të madh të dëmtimit të pasurive kombëtare. Po sipas Ollit suksesi i betejës me zjarrin mbetet fakti se nuk ka pasur asnjë jetë të humbur në 2 muaj veprimtari të flakëve në territorin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›