Bruksel-Tiranë, Shqipëria pa biletë kthimi
Arben Rrozhani- Qeveria shqiptare dhe koalicioni qeverisës i etiketuar si “Aleanca për Integrimin” duhet të lexojnë prej sot me shumë vëmendje dokumentin e BE-së, të dalë gjatë punimeve të komitetit të katërt të Stabilizim- Asocimit mes delegacioneve të Shqipërisë dhe të BEsë në Bruksel. Dokumenti është jo vetëm lakmuesi i hapave që (nuk) ka bërë vendi në rrugën e integrimit, por edhe shprehje e qëndrimit se administrata aktuale dhe klasa politike, me përgjegjës kryesor qeverinë, ka lënë në vendnumëro përmbushjen e 12 kritereve të vëna nga BE në rrugën për marrjen e statusit të vendit kandidat, hapjen e negociatave për anëtarësim dhe më pas anëtarësimit të plotë në bllokun europian . Shqipëria, pa asnjë dyshim ka mbetur në klasë, vetëm 3 muaj para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Sigurisht jo prej mosvotimit të dy ligjeve dhe të një projektrregulloreje në Kuvend, me shumicë të cilësuar, që do të intimidonte qëndrimin kundër të PS-së. Si në çdo raport, e para mbetet dosja e zezë e 21 janarit. Delegacioni i BE-së vëren se Prokuroria e ka apeluar vendimin e Gjykatës së Qarkut të Tiranës dhe përsërit se ndjekja e kësaj çështjeje duhet bërë nëpërmjet procedurave të besueshme gjyqësore pa ndërhyrje të papërshtatshme. “Kjo është e rëndësisë më të madhe për besueshmërinë e të gjitha institucioneve të shtetit”. Qeveria shqiptare ka axhendën e saj; ministrja e Integrimit Majlinda Bregu që sot kryeson delegacionin shqiptar, pak javë më parë shpërndau në profilin e saj në Facebook protestën e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, që rebelohej kundër deklarimit të ambasadorit amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu se vendimi për lirimin në sallën e gjyqit të ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe të ish-komandantit të Grupit të Zjarrit, Agim Llupo, ishte tronditës. Sot ata shëtisin të lirë rrugëve të Tiranës, edhe pse katër prostestues të pafajshëm u vranë përpara kryeministrisë. Tani ankimimi i prokurorisë së Tiranës do të kalojë në duart e një tresheje gjyqtarësh. Ku nuk mungon, mos qoftë e paravendosur, prania e Tom Ndrecës, njërit prej anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor për votimin e 8 majit në Tiranë, që rrëmbeu fitoren e Edi Ramës për t’ia dhuruar me procedurë, Lulzim Bashës; pra PD-së, bashkinë e Tiranës. Vetëm 3 muaj e 2 javë para mbajtjes së votimeve në Shqipëri, BE nxit zbatimin efikas të Kodit të rishikuar Zgjedhor, kryerjen e detyrave në një mënyrë profesionale dhe jopartizane nga organet e administratës zgjedhore, sepse përgatitja dhe mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të 2013 do të jetë një test thelbësor për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit dhe angazhimin ndërpartiak për të arritur standartet përkatëse europiane dhe ndërkombëtare. Edhe këtu qeveria shqiptare ka axhendën e saj. Në KQZ është një shumicë që vendos që mandatet t’i ndajë Kolegji Zgjedhor, i cili pastaj ia kalon Kuvendit, ndërsa Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje ankimin e PS-së, duke e lënë ndarjen e mandateve në dorën e shumicës parlamentare, e cila dhuroi një mandat në Kukës, pas shpikjes së “hamshorëve” në Topojanin e braktisur dhe duke hequr nga një mandat në bastionet e të majtës, Berat dhe Korçë. Ministria e Brendshme ka lënë pa qendër votimi rreth 500 mijë zgjedhës, dhjetëra mijëra janë dublikuar, disa qindra shekullorë janë në lista, ndërsa Ministria e Brendshme po nxjerr kritere për të dhënë shtetësi, pra edhe ID, dokumente të mjaftueshme për të votuar në zgjedhjet parlamentare. BE është e prirur të afrojë palët politike në Shqipëri, për të zgjidhur me konsensus ngërçin e votimit të projektligjeve me shumicë të cilësuar, që PD me aleatët nuk e ka patur pas zgjedhjeve të 2009 në Kuvend. Axhenda e qeverisë në këtë pikë është pak të thuash idioteske. Tre ligjet janë bërë biseda atërore e kryeministrit dhe vartësve në kopshte dhe shkolla fëmijësh. Një tabelë elektronike vënë nga kryetarja e Kuvendit te ish-Komiteti Qendror i PPSH-së, numëron përpara me muaj, ditë, orë dhe minuta mosvotimin e tre ligjeve. Mu përballë Kryeministrisë, padashje, duke i bërë karshillëk selisë së kryeministrisë, e cila është përgjegjësja numër një për përmbushjen e 12 kritereve të vëna nga BE për marrjen e statusit. Dhe ku pulson me germa të kuqe fjala “TURP!”. Por idiotësia vijon edhe në festa kombëtare që janë pronësuar nga partia në pushtet. Topalli dje deklaronte në ekstazë para shefit të partisë së vet dhe grave të mbledhura me përdhunë në Pallatin e Kongreseve për të kremtuar 8 marsin, se Edi Rama e la vendin pa status, i hoqi fëmijëve bursa të panumërta...”. Raporti i BE-së, 5 muaj pas raportit të tetorit 2012, thotë se nga 12 prioritetet, Shqipëria mbetet në vendnumëro në një numër reformash kyçe me progres të moderuar në të drejtat e njeriut, minoriteteve, grave, fëmijëve dhe romëve, për administratën që duhet depolitizuar, por që para zgjedhjeve po mbushet me militantë me kontrata të përkohshme, me regjistër të paplotësuar pronash dhe pronarë që mbeten pa prona dhe pa kompensime, me një media që vijon të jetë nën presionin e qeverisë, veçanërisht tani para zgjedhjeve. Shpura e delegacionit shqiptar me 57 anëtarë do të kthehet në Tiranë. Dhe padyshim do të shkojnë me avion sërish drejt Brukselit. Por jo Shqipëria, të paktën me këtë qeveri, që e ka lënë vendin pa biletë kthimi në Bruksel.