E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, sot takim Barroso-Papadhimos për ekonominë greke

BRUKSEL - Sot pasdite do të zhvillohet në Bruksel takimi i kryeministrit grek Lukas Papadhimos me presidentin e Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso. 

Bisedimet mes dy udhëheqësve do të përqëndrohen në nevojën e zbatimit të masave të programit të dytë, thithjen e shpejtë e fondeve të BE për të nxitur zhvillimin, punën e Task Forcës të Komisionit Evropian në Greqi, përshpejtimin e privatizimeve, projektet e mëdha infrastrukturore, financimin e SME-ve, si dhe cështjen e punësimit të të rinjve. 

Për këtë qëllim, të pranishëm në takimin Papadhimos-Barroso do të jenë edhe 4 komisionerë, puna e të cilëve lidhet me zhvillimin e ekonomisë greke. 

Duke folur në kuadër të samitit të BE-së, José Barroso u bëri thirrje udhëheqësve evropianë për të marrë nisma për rritjen dhe krijimin e vendeve të punës, për t’i dhënë, siç tha ai, një sens të ri zhvillimit.

Dje në mbrëmje presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso dhe Komisioneri për të Punësimit dhe Çështjeve Sociale u takuan me presidentin e sindikatave greke të sektorit privat Janis Panagopulos. Zoti Panagopulos tha se masat e marra në Greqi, nuk ofrojnë perspektivën e rimëkëmbjes ekonomike, ndërsa Trojka nuk ka marrë parasysh marrëveshjen e partnerëve socialë. 

Ndërkaq është shtyrë dhe ndoshta do të zhvillohet në mars, Këshilli i liderëve të eurozonës, takim që ishte planifikuar të mbahej të premten pas samitit të BE. Arsyeja për shtyrjen, është ngurrimi i Gjermanisë për të rritur burimet e Mekanizmit Mbështetjes Evropiane, nga 500, në 750 miliardë euro.

Gjithashtu përpjekjet për të ndaluar krizën e borxhit morrën një goditje nga Gjykata Kushtetuese gjermane, e cila vendosi se vetëm Parlamenti dhe jo një komision parlamentar, mund të vendosë të japë paketa të asistencës për vendet e eurozonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›