Bruksel, vijon takimi për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi
Vijon edhe sot takimi i ekipeve të Prishtinës dhe Beogradit për implementimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që mbahet në praninë e përfaqësuesit special të BE-së, Fernando Gentilini.
Ekipi i Kosovës kryesohet nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ndërsa ai serb nga këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Djuric.
Anëtarja e ekipit serb, zëvendëskryeministrja Suzana Grubjesic, ka thënë se ekipet do të flasin për pikat e marrëveshjes së arritur dhe për afatet e zbatimit të tyre.
Planin e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë do ta nënshkruajnë dy kryeministrat së bashku me marrëveshjen për normalizimin e raporteve, ndërsa të dyja dokumentet do të nënshkruhen edhe nga ndërmjetësja e dialogut Prishtinë-Beograd, baronesha Catherine Ashton.
Ndërkaq sot në Beograd, pritet të mbahet një debat në Kuvendin e Serbisë pasi në rend dite deputetët kanë marrëveshjen Serbi-Kosovë, si dhe të gjitha aktet e tjera të nxjerra gjatë dialogut politik e teknik në Bruksel mes dy vendeve.
Qeveria e Serbisë, ka miratuar në mbledhjen e saj të së hënës marrëveshjen me Prishtinën.