Aldo Bumçi zgjidhet në krye të PD-së së Tiranës
Në garë morën pjesë edhe Lajla Përnaska dhe Gjergji Bojaxhiu
Pas një procesi të gjatë votimi, delegatët e Partisë Demokratike të degës Tiranë, konfirmojnë në postin e kreut të PD-së, deputetin Aldo Bumçi, i cili fitoi me epërsi ndaj dy kandidatëve të tjerë
TIRANE - Partia Demokratike dega Tiranë, mbajti dje Kuvendin e 9-të të saj, për të zgjedhur kreun e ri. Për këtë post konkurruan tre kandidatura të paraqitura zyrtarisht Aldo Bumçi, Lajla Përnaska dhe Gergj Bojaxhi.
Pas fjalës së mbajtur nga lideri i Partisë Demokratike njëherazi kryeministri Sali Berisha dhe të kandidatëve përkatës, procesi votimit që zgjati disa orë, përcaktoi edhe emrin e ri në postin e kreut, deputetin Aldo Bumçi, i cili do të drejtojë për katër vitet e ardhshme, degën e PD-së të Tiranës.
Deputeti Bumçi mori mbështetjen e pjesës dërrmuese të delegatëve me të drejtë vote, kundrejt dy kandidatëve të tjerë. Në përfundim të numërimit të votave, mësohet se Aldo Bumçi mori 509 vota, Gjergji Bojaxhiu 175 dhe Lajala Përnasak 41 vota.
Më herët, duke marrë fjalën në Konferencë, Bumçi deklaroi edhe objektivat e degës së PD-së në vijim, për të mbrojtur interesat e qytetarëve të kryeqytetit.
“PD duhet të theksojë identitetin e saj politik, duke përfshirë në këtë proces çdo anëtar të thjeshtë”, u shpreh Bumçi.
Ai vuri në dukje drejtimet për organizimin e degës së PD-së në kryeqytet, përmes nxitjes së debatit politik.
“Ne na duhet të krijojmë hapësirë publike për debat në degën e Tiranës, i cili të përfshijë çdo seksion të saj për t’i ripërtëritur politikisht strukturat tona. Dega e PD-së së Tiranës duhet të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit. Ajo, sidomos, duhet të lidhet me botën universitare, duke luftuar për nxitjen e liberalizmit politik, duke i ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e vizionit politik”, tha Bumçi.
Ndërkaq, dy kandidatët e tjerë Lajla Përnaska dhe Gjergj Bojaxhi, deklaruan në fjalën e tyre para se të mbahej procesi i votimit se PD-ja e Tiranës do të ofrojë modelin konkret të qeverisjes së qytetit, i cili në ndryshim nga modeli klientelist Rama, do të bazohet në aftësitë drejtuese dhe në integritet të pacenueshëm.
Lajla Përnaska
Kandidatja për postin e kryetarit të PD-së, dega Tiranë, Lajla Përnaska, deklaroi se “me platformën tonë elektorale ne do të certifikojmë edhe një herë fitoren e madhe të zgjedhjeve të vitit 2005, e cila do t’i shërbejë jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Shqipërisë”. Në fjalën e saj Përnaska, shtoi se se “mazhoranca ka qartazi një aksion për qytetarët dhe zhvillimin e vendit”.
“Por, nga ana tjetër ka një tjetër model qeverisje për Tiranën, bazë e së cilës është pasioni për pushtet i Edi Ramës, pasioni për kapitale marramendëse dhe për uzurpim të opinionit publik dhe medieve”, u shpreh ajo.
Rama tha deputetja e PD-së, “tashmë është përfshirë nga fobia e zgjedhjeve të qershorit, prandaj kërkon të baltosë në çdo vend dhe media progresin e këtij vendi”.
Përnaska nënvizoi më tej se “zgjedhjet janë e ardhmja që po e ndërtojmë së bashku, me vlera që përfaqësohen me dinjitet nga PD-ja”.
“Besoj në modelin e lidershipit të PD-së, në pasionin dhe angazhimin e tij”, shtoi Përnaska.
Deputetja demokrate vuri në dukje se “me PD-në e Tiranës mazhoranca do t’i çojë më tej arritjet, për ta bërë degën e kryeqytetit forcën që ne duam”.
Përnaska bëri thirrje për t’i dhënë Tiranës, modelin e munguar, nga një model qeverisje me bojatisje, betonim e abuzime që është sot, në një qytet që do të shpalosë gjithë potencialin e zhvillimit dhe vlerave të përbashkëta”.
Gjergji Bojaxhiu
Nga ana tjetër, kandidati Gjergj Bojaxhi, shprehu bindjen se “kryesia e PD-së së Tiranës duhet të jetë në vijën e parë të sulmit kundër lejeve të ndërtimit që kryebashkiaku Rama i jep në mënyrë jotransparente dhe klienteliste”.
“Ne duhet të jemi në vijën e parë të mbrojtjes së parqeve, në të cilën do të luajnë fëmijët tanë si dhe në vijën e parë të mbrojtjes së ajrit, i cili ndotet përditë”, tha Bojaxhi.
Sipas tij, PD e Tiranës duhet të kryesojë prerjen e të gjitha lejeve të paligjshme të kryebashkiakut Rama.
“Kam bindjen e plotë se 28 qershori do të jetë një ditë e madhe për PD-në dhe gjithë Shqipërinë, pasi do të konfirmohet mbështetja e shqiptarëve ndaj kësaj mazhorance”, tha ai, duke shprehur se ekipi i ri udhëheqës i PD-së së Tiranës, në bashkëpunim me kryesinë e partisë, do të bëjë një punë efikase për të fituar shumicën e deputetëve në kryeqytet. Partia Demokratike do ta fitojë betejën elektorale të 28 qershorit, tha Bojaxhi, duke u shprehur optimist se, “qyteti i Tiranës, pas dy vjetësh, do të kthejë një demokrat në krye të bashkisë së Tiranës”.
Sokol Olldashi, ish-kryetari i degës së PD-së
“Zgjedhjet për PD-në e Tiranës, ngjarje e rëndësishme politike për të gjithë vendin”
TIRANE - Ish kryetari i degës së PD-së të Tiranës, Sokol Olldashi i cilësoi zgjedhjet për kreun e partisë më të madhe në vend si një ngjarje të rëndësishme politike jo vetëm për PD-në, por për gjithë vendin. “2005-2009 është periudha më intensive në jetën politike të kryeqytetit.
Dega e Tiranës ka dhënë një kontribut të qenësishëm në realizimin e premtimeve tona elektorale të vitit 2005, duke vënë në dispozicion të qeverisjes së Shqipërisë burimet njerëzore”, tha Olldashi.
Prej disa muajsh, tha ai, “ne kemi hyrë në procesin e riorganizimit statusor të degës dhe i gjithë ky proces dëshmon se PD mbetet në mënyrë të padiskutueshme një forcë e rëndësishme politike në vend”.
“Janë 5 mijë qytetarë që gjatë procesit të ristrukturimit janë anëtarësuar në PD, ku 30 % janë zonja, ndërsa 2304 janë të rinj që i bashkohen PD së Tiranës”, shtoi ai.
Olldashi tha se “i gjithë ky proces dëshmon vetëm një gjë: që ne do të fitojmë në Tiranë dhe kudo”.