E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli: Shqipëria i ka mekanizmat ligjorë për kufizimin e imunitetit të deputetëve

Ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan, duke iu referuar cështjes së imunitetit të deputetëve, ka vënë në dukje se “Shqipëria i ka mekanizmat për heqjen e imunitetit porse ato duhet të funksionojnë deri në fund”. Praktikat e heqjes së imunitetit kanë ngjallur edhe interesimin e përfaqësuesve të Brukselit, pasi mazhoranca ka ndërmarrë nisma të saj për lehtësimin e proçedurave të heqjes së imunitetit të deputetit, për të vendosur një standard të ri në parlamentin shqiptar, në mënyrë që çdo deputet të mos fshihet pas imunitetit të tij në rastet kur rezulton nga organi i akuzës i implikuar në vepra penale si korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës. Brenda një kohe të shkrurtë Kuvendi i hoqi imunitetin ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, me kërkesë të organit të Prokurorisë së Përgjithshme për të qenë më i disponueshëm ndaj hetimeve për proçedurat e tenderimit të rrugës Durrës-Kukës, hetime të cila po shkojnë drejt mbylljes për shkak se asnjë provë nuk fakton akuzat e ngritura. Ndërsa, e njëjta proçedurë pritet të ndiqet edhe me ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Ndryshimet Kushtetuese, amendime që i hapin rrugë zgjedhjeve të vitit 2009/ Ndërkaq, Lohan ka analizuar edhe situatën aktuale politike, duke vlerësuar si mjaft të rëndësishëm faktin që amendimi i Kushtetutes u arrit përmes një konsensusi të gjerë. Lohan vuri në dukje se, “bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës, nga përvoja e vendeve të tjera kandidate apo e atyre që kanë qenë më parë vende kandidate për në BE-në, ajo që kemi parë është në fakt që qeveria dhe opozita kanë qenë në gjendje të bashkëpunojnë me njëra- tjetrën për çështje të Bashkimit Europian”. “Në bashkëpunimin mes PS-PD për këtë qëllim nuk ka asnjë paradoks. Ndryshimet që iu bënë Kushtetutës së Shqipërisë, janë amendime që i hapin rrugë zgjedhjeve të vitit 2009”, tha Lohan. Duke theksuar se në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe vendet e tjera demokratike të botës ka një sërë mundësirash përsa i përket sistemeve zgjedhore, Lohan tha se “Shqipëria, me anën e një mazhorance të madhe në Parlament, ka bërë të mundur zgjedhjen e njërit prej këtyre sistemeve zgjedhore, të cilën mendon se është sistemi më i duhur për t’u praktikuar në Shqipëri”. Komisioneri europian është shprehur se në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian amendimet miratohen me konsensus dhe se këto amendime u “hapin rrugën zgjidhjeve”. Ambasadori Lohan u ndal dhe në përmbushjen e standarteve për krijimin e regjistrit të qytetarëve dhe kartat e identitetit, duke nënvizuar se “ne kemi mbështetur krijimin e një regjistri të ri nëpërmjet një projekti kompleks dhe ne do të bëjmë të pamundurën që ai të përfundojë në kohën e duhur, përpara zgjedhjeve të 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›