E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli: Shqipëria, me zgjedhje sipas ligjit – opozita e rrugës dënon integrimin

16-06-2011 / Gazeta 55

-- Deklarata zyrtare e Parlamentit Evropian, në përfundim të dialogut dyditor me Kuvendin e Shqipërisë, konfirmon neutralitetin e vet lidhur me zgjedhjet e 8 majit, duke bërë thirrje që të gjitha palët të respektojnë vendimet e institucioneve. Jepet paralajmërimi final për opozitën, e cila me alternativën e rrugës po cenon integrimin e vendit në BE


-- Stefan Fule: Reformat, faktor kyç - Qeveria dhe opozita ta zhvillojnë dialogun vetëm në Parlament


Parlamenti Evropian përfundon takimin e tretë ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri me një deklaratë zyrtare me 8 pika lidhur me situatën politike në Shqipëri dhe mos marrëveshjet mes palëve. Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian, për marrëdhëniet me Shqipërinë, dolën në një deklaratë të përbashkët, duke analizuar situatën politike si dhe atë çka duhet të realizojë Tirana zyrtare për t’i dhënë fund një ngërçi politik të tej zgjatur. Në deklaratë, europarlamentarët shprehin shqetësimin mbi mosmarrëveshjet politike, ndërsa i bëhet thirrje opozitës të bashkëpunojë me mazhorancën në Parlament. Në këtë pikë, PE dënon bojkotin e institucioneve si dhe paralajmërimet për protesta apo thirrje për revoltë të dhunshme. Qëndrim ky i shprehur edhe më parë nga kancelaritë Perëndimore. Brukseli ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim serioz përsa i takon thirrjeve apo apeleve për dhunë nga ana e opozitës. Apeli i Brukselit për dialog në Parlament është një sugjerim ndërkombëtar për t’i dhënë fund politikës së rrugës nga opozita dhe rikthimin e kësaj të fundit në ‘rrugën’ institucionale. Deklarata nënvizon se Parlamenti Europian do të qëndroje neutral për procesin e zgjedhjeve te 8 majit. Eurodeputetët gjithashtu kanë garantuar Shqipërinë për mbështetje dhe asistence përsa i përket rrugës së integrimit të vendit në Bashkimin Europian.


8 pikat e deklaratës së anëtarëve të Parlamentit Evropian për Shqipërinë


-Në pikën 1 i bëhet thirrje faktorit politik shqiptar që t’i jepet zgjidhje ngërçit politik brenda kornizës ligjore


-Në pikën 2 shprehet shqetësimi i thellë për krizën politike pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 dhe zgjedhjeve lokale të majit 2011. BE i bën thirrje të dyja palëve qeverisëse dhe opozitës që të bashkëpunojnë për të gjetur një marrëveshje brenda kornizës ligjore dhe institucioneve demokratike.


-Në pikën 3 theksohet destabiliteti i gjatë politik i cili ka penguar pozicionin ndërkombëtar të vendit tonë dhe perspektivën Europiane. Duke shprehur keqardhje për këtë pavarësisht se departamenti dhe institucionet e tjera europiane kanë nxitur tonet për dialog ndonëse të dy palët janë treguar të paafta për të gjetur një kompromis për të mirën e qytetarëve të saj


-Në pikën 4 të saj theksohet se Parlamenti Europian nuk do të mbajë anë në mos marrëveshjen elektorale dhe do të qëndrojë neutrale. Në të njëjtën kohë pret që mosmarrëveshjet të zgjidhen në respekt plotë ndaj kornizës ligjore në Shqipëri dhe nëse është e nevojshme të marrë këshillim nga institucionet ndërkombëtare.


-Në pikën 5 theksohet se nëse prioritetet kryesore në aplikimin për anëtarësi në Bashkimin Europian nuk janë plotësuar dhe kriza politike nuk është zgjidhur atëherë progresi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të dëmtohet seriozisht.


-Në pikën 6 përsëritet që Parlamenti Europian do të asistojë Shqipërinë në përpjekjet e saj për integrimin në Bashkimin Europian. Reformat duhen realizuar dhe BE do asistojë fuqishëm në këtë drejtim duke mbështetur Qeverinë shqiptare


-Në pikën 7, Parlamenti Evropian mirëpritet suksesi për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe thekson se qytetarët shqiptarë duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi në mënyrë të përgjegjshme pa abuzuar


-Ndërsa në pikën e 8-të dhe të fundit mirëpriten marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me vendet fqinje duke qenë një kontribues i rëndësishëm për Europën Juglindore, jetik për integrimin në Bashkimin Europian.


Stefan Fule: Reformat, faktor kyç - Qeveria dhe opozita ta zhvillojnë dialogun vetëm në Parlament


Në vijim të punimeve dyditore të Komitetit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE në Parlamentin Evropian, komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule deklaroi edhe njëherë se Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e integrimit Evropian. Komisioneri Fule lëshoi mesazhe të drejtpërdrejta për Shqipërinë porsa i përket proceseve integruese të vendit. Fule vuri në dukje se Shqipëria s’meriton mbetet peng i mos marrëveshjeve të caktuara të politikës dhe se për kapërcimin e tyre nevojitet vullnet dhe dialog politik brenda institucioneve. Një tjetër qëndrim reagues i zyrtarit të lartë të Brukselit lidhej me kërcënimet e opozitës për protesta të dhunshme. Sipas Fule, kjo retorikë është e dënueshme dhe si e tillë mund të rrisë tensionin në vend. “Palët duhet të orientohen drejt dialogut politik në institucione. Retorika konfrontuese mund të rrisë tensionin në vend”- është shprehur Fule. Përveç 12 rekomandimeve që BE i ka bërë Shqipërisë në muaj nëntor të vitit të shkuar sërish Fyle vjen me mesazhe të qarta të fokusuar në situatën post-zgjedhore. Fule ka thënë para parlamentarëve Europianë se, procesi elektorale duhet të mbyllet me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me fokus në të ardhmen. Për këtë ai kërkoi që, “të mos përsëriten ngjarje të tilla në të ardhmen të bëhet reforma në kodin elektoral”. Kjo reformë duhet të bëhet nga partitë politike në bashkëpunim me shoqërinë civile” - tha Fule.


Majlinda Bregu: Europarlamentarët vlerësuan reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare


Qeveria shqiptare po punon maksimalisht për forcimin e shtetit ligjor në vend dhe përmbushjen e 12 kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian për përfitimin e statusit të vendit kandidat. Nga Brukseli, ku ndodhej për të marrë pjesë në takimin e Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Evropian dhe Shqipërisë, ministrja e integrimit Majlinda Bregu tha se edhe Bashkimi Europian ka vlerësuar arritjet e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Ajo u shpreh se qeveria shqiptare po punon për forcimin e shtetit ligjor në vend, duke vënë theksin tek domosdoshmëria që drejtësia shqiptare, të jetë e pavarur. Sipas zonjës Bregu, kjo është vlerësuar dhe nga Bashkimi Europian, ndërsa nuk ka ngurruar të flasë në kontekstin e vendim-marrjeve të Kolegjit Zgjedhor, kur deklaroi se vendimet e gjykatës janë të padiskutueshme. Bregu solli në vëmendje dhe një fakt interesant, duke pasur parasysh sulmin e kreut të Partisë Socialiste ndaj trupës së kolegjit, kur bëri me dije se asnjë nga gjyqtarët nuk janë emëruar në këtë gjykatë, në periudhën e qeverisjes së demokratëve. E pyetur lidhur me deklaratat deri dhe tek kreu i opozitës shqiptare se Brukseli e vlerëson me zero punën e Shqipërisë për 12 prioritetet e opinionit të Komisionit Evropian, ministrja e shqiptare e Integrimit tha se Shqipëria duhet të përmbushë 12 kritere, në mënyrë që ajo të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Qeveria shqiptare ka nisur punën për plotësimin e një pjese prej tyre, ndërsa ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash në Kuvend, janë të bllokuara nga opozita.


Mesila Doda: PE mbështet reformat e qeverisë, jo bojkotin e opozitës


Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëherazi anëtarja e delegacionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, Mesila Doda tha dje se Bashkimi Evropian shpreh qartë mbështetjen për kursin e reformave në Shqipëri. Pas përfundimit të takimit të tretë Parlamentar të Stabilizim Asocimit, BE-Shqipëri, deputetja demokrate, Doda, tha se eurodeputetët janë mjaft të shqetësuar për situatën në Shqipëri, ndërsa kanë kërkuar bashkëpunim mes palëve politike. Sipas saj, qëndrimi i shprehur zyrtarisht nga përfaqësuesit e lartë të Parlamentit Evropian, është që Shqipëria të vijojë rrugën e reformave, si faktor kyç i integrimit Evropian. Deputetja Mesila Doda tha më tej se, gjatë takimit është diskutuar për situatën në Shqipëri dhe për plotësimin e 12 pikave kyçe, për integrimin e Shqipërisë në BE. Ajo konfirmoi se BE ka shprehur mbështetje unanime për integrimin dhe se dialogu politik do i jepte prioritet realizimit të reformave të Brukselit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›