Brukseli frenon Prishtinën
BE: Dialogu për liberalizimin e vizave nuk ka filluar
Zëdhënësja e Komisionit Europian në Kosovë, Maja Pavloviç, tha se takimi që është zhvilluar dje në Prishtinë ndërmjet ekspertëve të Komisionit Europian dhe atyre të qeverisë së Kosovës nuk mund të cilësohet si fillim i bisedimeve të liberalizimit të vizave. Ajo sqaroi vetëm fillimin e mundshëm të dialogut ndërmjet Brukselit dhe Prishtinës për procesin e liberalizimit të vizave. "Ky takim është për drejtësinë, lirinë e lëvizjes dhe sigurinë dhe organizohet në partneritet të ngushtë me Agjencinë për Koordinimin e Zhvillimit dhe Integrimit Europian. Takimi zgjat tri ditë dhe në të do të diskutohen çështjet e brendshme, siç janë lufta kundër korrupsionit, gjyqësia, fuqizimi i të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve”, tha Pavlloviç për BBC-në. Zëdhënësja e Komisionit Europian shpjegoi se aspektet teknike që lidhen me regjimin e vizave do të jenë vetëm një nga temat që do të diskutohet në kuadër të takimit për Procesin e Stabilizim-Asocimit. Dialogu i tillë, që më parë ishte quajtur Mekanizmi Përcjellës i Stabilizim-Asocimit, do të mbahet për herë të parë në Prishtinë me emrin dhe formatin e ri. Për shkak të moszgjidhjes së statusit, BE-ja kishte formuar kohë më parë një mekanizëm të posaçëm, që do të përbënte bazën për dialogun politik mes autoriteteve të Prishtinës dhe Brukselit. Me propozimin e Komisionit Europian në vjeshtën e kaluar, u vendos që Mekanizmi Përcjellës i Stabilizim-Asocimit nga ky vit të transformohet në Procesin e Stabilizim-Asocimit. “Dialogu për liberalizimin e vizave si i tillë ende nuk ka filluar. Ai nuk duhet ngatërruar me dialogun për Procesin e Stabilizim-Asocimit, por është e vërtetë që pyetjet të cilat do të ngrihen në kuadër të bisedimeve për çështjet e brendshme në takim, kanë të bëjnë edhe me procesin e liberalizimit të vizave. Megjithatë, siç e thashë, ky nuk është ende fillimi zyrtar i dialogut”, theksoi Pavlloviç.
#