Vendoset vendi i Memorialit të Nënë Terezës
Mbledhja
Do të ngrihet në pjesën ngjitur me Korpusin Qendror të Universitetit të Tiranës, deri te rruga afër Gardës së Republikës
Në një mbledhje të djeshme në Ministrinë e Kulturës, Komisioni Shtetëror i ngritur për “Realizimin e Memorialit të Nënë Terezës” me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj, ka caktuar vendin e ngritjes së këtij memoriali. Nën drejtimin e zv/ministrit Nikoll Lesi, është vendosur që Memoriali të ngrihet në pjesën ngjitur me Korpusin Qendror të Universitetit të Tiranës, deri te rruga afër Gardës së Republikës, nga pjesa përballë Akademisë së Arteve (pjesa jugore). Sipas të dhënave, grupi i punës do të paraqesë brenda javës edhe programin se si do të kompozohet Memoriali që mendohet të anojë më shumë drejt një universiteti popullor e qendër kulturore për rininë. Pas hartimit të programit nga specialistët e me miratimin e Komitetit përkatës do t'i kalojë Fondacionit Kulturor "Nënë Tereza" që ka marrë përsipër hartimin e projektit arkitektonik falas. Në fakt, koha e mbetur në dispozicion (deri më 26 gusht) premton aq sa për të bërë projekte në letër. Ndërsa caktimi i këtij vendi, për të cilin fillimisht u fol se do të ishte në ndonjë shesh qendror, duke përfshirë në hamendësime edhe vendin ku më parë ka qenë busti i ish-diktatorit, të kujton cepin në të cilin qëndron shtatorja e Nënë Terezës pranë Korpusit. Thuajse e padukshme, askush nuk i është afruar kësaj shtatoreje në ditë të shënuara. Ndërkohë në kuadër të 100-vjetorit, përveç aktiviteteve artistike, ngritja e disa busteve është parashikuar në vende të ndryshme.
#