Brukseli parashtron strategjinë e re ekonomike
Komisioni Europian ka parashtruar propozimet e shumëpritura në lidhje me një strategji të re ekonomike për BE-në për dhjetëvjetëshin e ardhshëm. Sipas Brukselit, rrëmuja aktuale financiare duhet që të jetë nxitëse e një koordinimi më të fortë ekonomik brenda bllokut. “Kriza ka ekspozuar dobësimin thelbësor dhe paqëndrueshmërinë e shumë faktorëve dhe kjo tendencë nuk mund të injorohet më”, ka thënë Presidenti i Komisionit Europian, Barrozo. Sipas tij, deficiti i madh buxhetor i shumë vendeve të BE-së ka vënë në rrezik gjithë strukturën ekonomike të organizmit. Sipas strategjisë, deri në vitin 2020 komisioni synon që të shohë 74% të popullatës nga mosha 20-64 vjeç të punësuar, 3% e Prodhimit Kombëtar Bruto të BE-së do të investohet në studimet dhe kërkimet shkencore dhe qëllimet e objektivat ambientaliste të bllokut do të zbatohen me sukses dhe brenda afateve të parashtruara, përfshi këtu edhe reduktimin me 20% të emetimit të gazeve të dëmshme. Më tej, në dokument thuhet se 40% e brezit të ri duhet që të shkollohet dhe të ketë një diplomë universiteti dhe 20 milionë persona duhet ndërkohë të kenë dalë nga rreziku i varfërisë.
Analistët gjithashtu, kanë rënë dakord që vullneti politik i vendeve anëtare dhe aftësia e komisionit për të vënë në lëvizje dhe në zbatim objektivat e vënë do të jenë vitale për suksesin e strategjisë. Komisioni ka propozuar që kryeqytetet e vendeve anëtare të raportojnë vazhdimisht në lidhje me arritjen e objektivave të strategjisë në tremujorin e fundit të çdo viti në të njëjtën kohë kur bëhen edhe raportet e stabilitetit dhe të konvergjencës që kanë të bëjnë me çështjet fiskale. Sugjerimi ndërkohë ka hasur në disa rezistenca deri më tani. Në një letër Barrosos, Kancelarja gjermane, Merkel, i kundërshtoi sugjerimet se objektivat e ri ekonomikë duhet që të lidhen ngushtësisht me mbikëqyrjen e Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes. Traktati i Lisbonës, i cili jep edhe opsione për paralajmërimet politike, është kundërshtuar gjithashtu në një sërë vendesh anëtare.
#