E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, prokurorëve: Spiunoni oficerët e policisë gjyqësore

Mbyllja e hetimeve, kryeprokurorja u ka kërkuar vartësve të rekomandojnë masa ndaj OPGJ-ve

Kryeprokurorja Ina Rama u ka kërkuar vartësve të marrin masa ndaj oficerëve të policisë gjyqësore, të cilët zvarrisin dhe vonojnë procedimet penale. Gjithashtu, kreu i akuzës qendrore ka këmbëngulur që OPGJ-të të mbledhin të gjitha provat e një procedimi penal, pasi në të kundërt do të merren masa administrative, deri në largim nga puna. Në disa analiza vjetore të prokurorive të rretheve, janë vënë në dukje problemet serioze në mbylljen e hetimeve. Një procedim penal mbahej peng nga një dëshmi apo nga një dokument, i cili nuk merrej në kohën e duhur nga hetuesit e çështjes. Problemet janë diskutuar në radhët e prokurorëve, ndërsa është rekomanduar që masat ndaj këtyre problemeve të jenë më drastike, pasi rrezikohet pushimi i një procedimi penal. Mungesa e një prove në dosjen që dërgohet në gjykatë është bërë shkak që togat e zeza të vendosin pafajësi ndaj të akuzuarve.

Diskutimet

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se janë hasur mjaft probleme në mbylljen e hetimeve dhe shpeshherë faji i këtyre vonesave u është atribuuar OPGJ-ve, të cilët kanë varësi të dyfishtë nga prokuroria dhe policia. Megjithëse memorandumi i vitit 2008 midis kryeprokurores Ina Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm Bujar Nishani ka filluar të ketë disa suksese, ende ka probleme të theksuara, pasi mosdhënia e llogarive ndaj eprorëve ka sjellë që mjaft procedime të pushohen. Në analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës, Ina Rama ka diskutuar me prokurorët për rolin që duhet të marrin në marrëdhëniet me OPGJ-të. Kryeprokurorja ka insistuar se të gjitha problemet e hasura gjatë punës t’i referojnë në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, me qëllim marrjen e masave të menjëhershme, pasi zvarritja dhe mosnjoftimi në kohë mund të jetë fatal për një procedim penal. Ajo ka deklaruar se prokurorët duhet të “spiunojnë” hetuesit me qëllimin e vetëm të merren masa ndaj tyre për mospërsëritjen e të njëjtave gabime. Prokurorët, insistoi Rama, duhet të kryejnë rekomandime për masa disiplinore ndaj këtyre OPGJ-ve. Në vitin e kaluar, në të gjitha prokuroritë janë rekomanduar vetëm dy tri raste të abuzimit në punë të OPGJ-ve, megjithëse në analizat vjetore drejtuesit e prokurorive të rretheve kanë deklaruar se një nga problemet është mosfunksionimi i kësaj hallke në një procedim penal. Kryeprokurorja kërkoi më shumë përgjegjësi për dërgimin e një dosjeje në gjykatë. Ajo tha se puna e gjithsecilit nuk do të matet nga numri i dosjeve që dërgohen për gjykim, por nga numri i dosjeve që kanë marrë pafajësi në gjykatë. Nëse një prokuror apo OPGJ ka shumë pafajësi, atëherë puna e tij do të analizohet dhe nëse ka përgjegjësi, do të merren masa administrative.

Reforma

Prokuroria e Përgjithshme i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë disa ndryshime në ligjin “Për policinë gjyqësore”, i cili është hartuar në vitin 2000. Konkretisht ekspertët e akuzës qendrore kanë rekomanduar ndryshime në nenin 15, i cili përcakton edhe procedimin disiplinor. Ky nen thotë se OPGJ-ja njoftohet me shkrim për procedimin dhe mund të paraqesë mbrojtjen e tij. Gjykimi disiplinor përbëhet nga një komision që kryesohet nga një prokuror i prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kompetente për territorin dhe nga dy oficerë të policisë gjyqësore. Anëtarët e komisionit caktohen për një afat njëvjeçar, përkatësisht nga drejtuesi i prokurorisë pranë gjykatës kompetente dhe nga drejtuesi rajonal i forcave policore ku bën pjesë oficeri ose agjenti, që kërkohet t’i nënshtrohet procedimit disiplinor. Vendimi i komisionit jepet në përfundim të procedimit disiplinor, gjatë së cilës prokurori që bën akuzën dhe personi që kërkohet të ndëshkohet paraqesin provat e tyre. Në rast të mendimeve të ndryshme, komisioni vendos me shumicë votash. Mund të vendoset pezullimi nga ushtrimi i funksioneve të policisë gjyqësore të oficerit dhe agjentit të akuzuar. Prokuroria mendon se në këtë nen nuk janë përcaktuar se në çfarë rastesh mund të procedohet një agjent. Rekomandimi i akuzës është që të përcaktohen se çfarë konsiderohet shkelje, me qëllim që prokurorët të rekomandojnë masat administrative ndaj OPGJ-ve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›