E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, nis takimi Ashton-Daçiç. Baronesha pret rezultate

BRUKSEL- Sot në Bruksel pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, të cilët do të diskutojnë për planin e implementimit të marrëveshjes së arritur më 19 Prill, për normalizim të raporteve ndërmjet dy vendeve.

Bisedimet mbahen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Zbatimi i marrëveshjes për normalizim është kusht për të dy shtetet në rrugën e tyre të mëtejshme për integrim në Bashkimin Evropian.

Gjatë vizitës së djeshme në Beograd dhe Prishtinë, ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, është takuar me të dy kryeministrat, ku vlerësoi se marrëveshja është “historike” për ka kërkuar “hapa konkretë” për implementimin e saj. 

ASHTON PRET REZULTATE 
Ora 16:53 Ndërmjetësja e bisedimeve Kosovë - Serbi, Catherine Ashton dëshiron që takimi i sotëm në Bruksel, të rezultojë me hapa konkretë për implementimin e marrëveshjes.

Kështu ka deklaruar Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Baroneshës Ashton para gazetarëve në Bruksel.

Ajo ka thënë se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka rëndësi thelbësore.

ASHTON TAKOHET ME DAÇIÇ 
Ora  16:00 Në Bruksel ka nisur takimi i shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, dhe delegacionin e tij.

Takimi do të pasohet nga bisedime të ngjashme të Baroneshës Ashton me delegacionin e Kosovës, i cili kryesohet nga kryeministri Hashim Thaçi, raporton Evropa e Lirë.

Sot është parashikuar të diskutohet plani i zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.

Kjo ka qenë marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por zbatimi i saj ka ngecur. Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për dështimin. 

(d.b/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›