Bubureci i kuq në Sarandë, shfarrosen palmat e infektuara
Sarandë- Në Sarandë palmat po kërcënohen seriozisht nga një insekt që njihet si bubureci i kuq. Specialistët bëjnë thirrje që të pengohet hyrja në dogana për palmën Phoenix Canariensis e cila rezulton lloj i prekur që prej vitit 2005.
Bashkia ka ngritur shtabin e emergjencës dhe ka filluar spërkatjen, djegjen dhe groposjen e palmave të infektuara.
Insekti me gjatësi deri në 5 cm është në gjendje të shumfishohet me progresion gjeometrik dhe brenda një viti riprodhon 27 milionë insekte.Vetë insekti si dhe larvat që zhvillon brenda një cikli 4 mujor ushqehen me indet e njoma të palmës duke eleminuar si fillim kurorën e saj.
Kështu 7 palma që kanë marrë formë ombrellore në Sarandë ishin sinjali i parë i sulmit të buburecit të kuq. Specialistët e gjëlbërimit e konstatuan këtë në parkun e qytetit ndërsa shtabi i emergjencës i ngritur nga bashkia vendosi çeljen e një fondi të posatshëm për të përballuar situatën.
Fillimisht po operohet me spërkatjen e pemëve të infektuara për të izoluar insektin më tej me prerjen, djegjen dhe groposjen e tyre. Përgjegjës i sektorit të Gjëlbërimit në Bashki e përshkruan situatën si dëshpëruese. Sipas tyre kjo duhej të parandalohej vite më parë kur emergjenca ishtë shfaqur në rivierën greke dhe italiane dhe kur Shqipëria vazhdonte të importonte nga këto dy vende llojin e palmës së infektuar Phoenix Canariensis.
Spërkatja me një insekticid të fuqishëm do të përfshijë në fazën e parë 400 palma në pronësi publike ndërsa janë thirrur të gjitha subjektet private në pronësi të të cilëve janë 200 palma për të marrë të njëjtat masa.
Saranda e betonizuar vrullshëm gjatë dy dekadave të fundit ka vetëm 0,5m katrorë sipërfaqe të gjelbërt për frymë ose rreth 20 herë më pak se standarti i pranuar. Eleminimi i palmave shumica e të cilave mbartin vlera të rralla natyrore, historike dhe kulturore do ti linte sarandës vetëm betonin.
Dëmtimi po shtrihet edhe në rrjeshtin e parë të palmave të mbjella që prej vitit 1927 ndërsa kërcënimi duket se është edhe më i madh po të mendohet se 70% e palmave të paktën në Sarandë, Vlorë dhe Durrës i përket këtij lloji.
/IDEA/