Bugajski:"SHBA nuk do tolerojë ndarjen e Kosovës"

Analisti Januz Bugajski, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington është shprehur se fakti që Misioni i Bashkimit Europian është vendosur në Kosovë nën hijen e Kombeve të Bashkuara mund të interpretohet në mënyrë pozitive dhe negative. Ana negative, sipas tij, është se nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara kjo mund të çojë tek një status special për palën serbe, e ndoshta edhe në ndarje. Ndërkaq ana pozitive, sqaron më tej ai, mund të argumentohet se përfundimisht EULEX-i është nën mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të ndihmojë Kosovën që të arrijë anëtarësimin e mundshëm në Kombet e Bashkuara. Duke komentuar pohimet e liderëve serbë se do të injorojnë EULEX-in, Bugajski nuk mendon se serbët aktualisht do ta injorojnë misionin europian, vetëm nëse nuk dëshirojnë që të kenë konflikt me BE-në, sipas tij. Ndonëse nuk ka shumë besim në Bashkimin Europian, megjithatë Bugajski shprehet shumë i kënaqur që amerikanët janë aty. "Kjo tregon se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që ta mbajnë Kosovë si një shtet dhe mendoj se nuk do të jenë tolerantë ndaj çfarëdo plani për ndarje", nënvizoi Bugajski. Njëherësh ai vlerëson si shumë të rëndësishme për qeverinë e Kosovës dhe për organizatat joqeveritare që të monitorojnë suksesin apo dështimin e EULEX-it.