Obama: Jam i zhgënjyer nga senati

Presidenti i zgjedhur amerikan, Barak Obama, është shprehur i zhgënjyer që Senati amerikan nuk arriti një marrëveshje mbi planin e shpëtimit aftashkurtër për kompanitë e automobilave që janë drejt falimentimit.
"Jam i zhgënjyer që Senati nuk arriti një marrëveshje mbi një plan afatshkurtër për industrinë e automobilave", bëri të ditur Obama me anë të një komunikate. "Shpresoj që administrta dhe Kongresi do të gjejnë gjithmonë një mënyrë për t'i dhënë industrisë ndihmën e përkohshme për të cilën ka nevojë", deklaroi Obama përpara se të shtonte se duhet të kërkohej ende një ristrukturim afatgjatë që sipas tij, është absolutisht i nevojshëm. Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë iu është rikthyer qëndrimeve të mëparshme dhe është shprehur e gatshme që duke parë gjendjen kritike të kompanive amerikane të automobilave, të shqyrtojë përdorimin e fondeve që i kishte rezervuar për sistemin financiar, me qëllim që t'i shpëtojë këto kompani. Plani afatshkurtër prej 14 miliardë dollarësh i hartuar me hollësi nga demokratët dështoi të enjten në mbrëmje në Senat, njëra nga dy dhomat e Kongresit, duke ngjallur shqetësimin për falimentimin e kompanive, viktima të krizës ekonomike, për uljen e shitjeve dhe për gabimet e tyre strategjike.