Bujar Alimani: Amnistia, film i thjeshtë me mesazhe të forta
Një burrë dhe një grua që takohen rastësisht jashtë dyerve të burgut. Ai ka bashkëshorten të burgosur, kurse ajo ka bashkëshortin, me të cilët zhvillojnë takime intime një herë në muaj, sipas rregullave të burgut. Mes dy bashkëshortëve që presin jashtë dyerve të burgut lind një histori dashurie, e destinuar për përfunduar, kur bashkëshortët që kryejnë dënimin dalin nga burgu falë një amnistie nga shteti. Filmi i regjisorit shqiptar Bujar Alimani, “Amnistia”, pas suksesit në Berlinale dhe në Festivalin e 12-të të Filmit në Leçe, ku mori çmimin “Cineuropa”, vjen premierë edhe për shikuesit shqiptarë. Më 27 maj në rrjetin e kinemave Imperial do të shfaqet historia e Elsës dhe Shpëtimit. Në një intervistë në “Cineuropa” regjisori shqiptar, që jeton dhe punon në Greqi, tregon prapaskenat e realizimit të filmit dhe vështirësitë.
Në çfarë këndi e sheh Shqipërinë historia në filmin tuaj?
Protagonistët e historisë sime janë Elsa dhe Shpëtimi, njerëz si gjithë të tjerët që kam njohur në vendin tim. Njerëz që kërkojnë emocionet e vërteta në jetën e tyre të përditshme në një provincë që ndrydh ndjenjat e tyre. Janë njerëz që jetojnë në një Shqipëri që po ndryshon, që ndodhet në udhëkryq, pikërisht aty ku bashkohen e vjetra me të renë e të cilën kërkon ta kapërcejë për të gjetur rrugën drejt Europës.
Në film nuk shfaqen asnjëherë me fytyrë bashkëshortët e tyre, spektatorit i tregohen vetëm shpatullat e tyre, pra ata janë në hije...
Po, sepse dy protagonistëve nuk u intereson kjo gjë e për rrjedhojë nuk duhet t’i interesojë as spektatorit. Takimet e tyre intime në burg janë thjesht veprime mekanike, madje dhe të dhunshme. Ndërsa takimet mes Elsës dhe Shpëtimit janë dashuri e pastër, gati-gati platonike.
Filmi ka pak dialogë. Kjo është mënyra juaj e punës?
Edhe në tri filmat e mi me metrazh të shkurtër që kam realizuar flitet pak. Një qasje ndryshe kjo nga filmat shqiptarë, ku dialogët janë një pjesë shumë e rëndësishme. Por unë kam një armë të fortë në dorë; imazhin. Ndoshta këtu ka ndikuar formimi im si piktor.
Kush janë regjisorët që ju i keni si pika reference?
Kiarostami, Loach, Leigh, Bergman, nga të cilët kam mësuar artin e heshtjes.
Si e përzgjodhët kastin e aktorëve?
Luli Bitrin, që luan Elsën, e pashë në Teatër. Karafil Shenajn, që luan Shpëtimin, e kam njohur në Greqi, aty ku unë jetoj aktualisht. Todi Llupi, që luan vjehrrin e Elsës, është një aktor komik dhe ky është roli i tij i parë dramatik në kinema. Rrezikova, sepse asnjëri prej tyre nuk është një “yll” në Shqipëri, por pikërisht kjo më ndihmoi dhe ma bëri më të thjeshtë të punoja, pasi ata besuan tek unë.
Është e vështirë të realizosh film në Shqipëri?
Pjesa më e madhe e regjisorëve shqiptarë kërkojnë shumë para për prodhimin e filmave të tyre, ndërkohë që mund të bëhet një film i thjeshtë me pak para, por që përcjell mesazhe të forta. Ashtu si kinemaja iraniane. Për filmin tim të ardhshëm, më duhet të kërkoj burime financiare për ta realizuar, por mund ta filloj punën edhe me 30-40 mijë euro.
Sa ka kushtuar filmi “Amnistia” dhe kur do të fillojë shpërndarja e tij pasi të mbarojë ciklin e shfaqjeve në kinema?
Filmi “Amnistia” ka kushtuar 700 mijë Euro, produkt i Fantasia Ldt, Arizona Films dhe 90 Production, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë dhe Greqisë dhe Euroimages. Për momentin, shpërndarja është parashikuar të fillojë në Francë, në muajin korrik të këtij viti e më pas në Greqi dhe në Shqipëri nga muaji shtator deri në tetor.