Romeo e Xhuljeta në laboratorin e Carlo Brunit
“Dashuri e hidhur” e inspiruar nga “Romeo e Xhuljeta” e William Shakespeare-s ka ardhur krejt ndryshe në skenën e Teatrit Kombëtar në drejtimin e regjisorit italian Carlo Bruni. Në fakt dhe vetë spektatori e ka ndjerë dhe shijuar një shfaqje ndryshe në skenë dhe në fund e ka duartrokitur. Por për regjisorin italian Carlo Bruni shfaqja nuk mbaron te spektatori, por shkon edhe më tej. Ai ka ftuar në skenën e teatrit studentë, aktorë, regjisorë dhe të gjithë ata që e duan teatrin, për t’i rrëfyer të fshehtat e “zanatit” të tij. Këtë radhë skena e Teatrit Kombëtar ka shërbyer si Laborator ku regjisori bashkë me stafin e aktorëve për disa orë ka treguar prapaskenat e vënies në skenë të premierës “Dashuri e hidhur”, vizionin e tij, eksperiencën me aktorët, faktin që vinte në një vend gjuhën e të cilit nuk e fliste dhe arsyet përse zgjodhi veprën “Romeo e Xhuljeta”, një histori që e njohin të gjithë. Anatomia që regjisori Carlo Bruni i bëri punës së tij regjisoriale ishte një praktikë krejt e panjohur për studentët e shumtë të Akademisë së Arteve, që ishin të pranishëm në Teatrin Kombëtar.