E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fergi: Dua ndihmën e Murinjos. Ksavi: Ata janë më të mirët

SHKRUAN: Jeton Selimi 06-05-2011 12:04

Eliminimi Shalkes ishte vetëm një formalitet, ndërsa tani trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, mendon për finalen e Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës. Fitorja 4-1 në ndeshjen e kthimit kundër formacionit gjerman, nuk do të thotë asgjë për “Djajtë e kuq” që në “Wembley” do të kenë përballë skuadrën më spektakolare të viteve të fundit. Dhe për ta mundur atë, edhe një ikonë e pankinave si Ferguson ka bërë të ditur se do të këshillohet me armikun më të betuar të Barcelonës, Zhoze Murinjon. "Dëgjohemi shpesh në telefon. Për herë të fundit kemi folur një javë më parë, megjithatë Reali është një skuadër shumë e ndryshme nga ajo e jona. Sigurisht është shumë e rëndësishme të kem sa më shumë informacion për Barcelonën. Ajo është një skuadër fantastike, por deri në finale ka kohë dhe do të përgatitemi për të fituar”, ka thënë Aleks Ferguson. Asnjë dramë për humbjen në “Old Traford” nuk mund të përjetojë trajneri i Shalkes, Ralf Ranjik, i cili është shprehur krenar për ecurinë e skuadrës së tij në këtë sezon të Champions. "Mendoj se është e drejtë të themi se luajtën më nivele shumë të larta dhe që kur eliminuam Interin, ky ishte një hap shumë i madh përpara për ne”, ka thënë Ranjik, i cili me arritjen e gjysmëfinaleve ka hyrë në listën e trajnerëve më të suksesshëm në historinë e Shalkes.

Gigs: Koha për hakmarrje

Ksavi: Ata janë më të mirët

Legjenda e Mançester Junajtid, Rajan Gigs, ka deklaruar se ka ardhur koha e hakmarrjes ndaj Barcelonës për disfatën në finalen e para dy viteve të zhvilluar në “Olimpico” të Romës. “Të humbasësh një finale dhe të ndihesh keq, është normale. Problemi me Romën është se ne nuk dolëm aty ku donim dhe nuk bëmë futbollin, të cilin kemi ditur ta bëjmë gjatë ekzistencës tonë si klub. Shpresojmë se këtë do ta bëjmë në “Wembley”. Shpresojmë se në finale mund të dëshmojmë se sa ekip i mirë jemi. Barcelona është ekip shumë i mirë, me ndoshta lojtarin më të mirë në botë, kështu që ai tani mbetet problemi ynë. Ne duhet të dalim në fushë dhe të tregojmë se kush janë bosët”, theksoi Gigs.

Ndërkohë, Mesfushori i Barcelonës, Ksavi ka theksuar se Mançester Junajtid duhet të konsiderohet favorit për finalen e Ligës së Kampionëve në “Wembley”. Gjiganti katalan takohet me “Djajtë e Kuq” në Londër më 28 maj, duke u ndeshur edhe njëherë si në vitin 2009, kur ekipi i Pep Guardiolas fitoi 2-0. Pas largimit të Kristiano Ronaldos për në Madrid, shumëkush pret që Barcelona të fitojë sërish, por Ksavi favorizon liderin e Premier Ligës. “Mançester Junajtid është favorit. Ata janë ekip i mirë që pëlqen të luajë futboll dhe kjo ndoshta është mirë për ne”, tha ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›