E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujar Kapexhiu: Politikanët personazhet në filmat e mi të ardhshëm

SHKRUAN: Aida Tuci 08-04-2011 11:55

“Më mirë do të jetoja në një kasolle dhe i lirë sesa në një pallat dhe i burgosur” - mesazhi i Pipirukut, personazhit më të dashur të fëmijëve të viteve ’85, thënë para mbretit që i ofron të qëndrojë në pallatin e tij mes luksit, sot tingëllon qesharak edhe pse pjesa më e madhe e shqiptarëve të asaj kohe e mendonin vërtet kështu. Sigurisht ata që vazhdojnë sot ta mendojnë njësoj këtë punë janë specie në zhdukje; shqiptarët e 2011-s do të preferonin luksin edhe pse në “robëri”. Muaji i filmit të animuar, që u çel dje me krijimtarinë e regjisorit Bujar Kapexhiu, sigurisht që përveç ideologjisë së kohës të kënaq me humorin e hollë të regjisorit dhe skenaristit, në disa prej tyre të Bujar Kapexhiut. Dje në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit u shfaqën 4 filma nga krijimtaria e Kapexhiut: “Pika e ujit”, prodhim i vitit 1976; “Kur shefi merr flakë” (1980); “Autogol” (1981); dhe “Pipiruku në pallat” (1985). Ndërsa “Pika e Ujit” dhe “Pipiruku në Pallat” janë tërësisht filma fantazi për fëmijë, dy filmat e tjerë “Kur shefi merr flakë” dhe “Autogol” në fakt janë filma kritikë që e marrin tematikën nga të rritur me pak fjalë targeti i tyre janë të rritur. Dy të fundit shiheshin vetëm pas 30 vitesh nga regjisori Kapexhiu, sepse “Kur shefi merr flakë” dhe “Autogol” nuk u shfaqën kurrë për publikun. Nuk kishte asnjë arsye artistike ndalimi i tyre, përkundrazi ishte thjesht fati i keq që filmi u realizua në kohën e gabuar me skenaristin e gabuar; ai ishte Bashkim Shehu, djali deri para realizimit të filmit i Kryeministrit të vendit, por që në përfundim të filmit u bë djali i ish-Kryeministrit që tradhtoi vendin dhe u vetëvra. “Filmat u pritën shumë mirë kur u shfaqën në kolektiv. Ata janë realizuar në vitin dhjetor të ’80-s, pak kohë para se të ndodhte vdekja e Kryeministrit të vendit të asaj kohe Mehmet Shehu dhe duke qenë se skenarist i filmave ishte i biri, Bashkim Shehu, ata u ndaluan”- tregon në intervistën e tij për MAPO-n regjisori Bujar Kapexhiu.

Duke patur parasysh personazhet që ka krijuar a ka një model real për realizimin e tyre?

Në përgjithësi nuk ka një personazh real. Për të krijuar personazhet jam nisur nga realiteti. Por personazh real nuk kam patur parasysh, se kush guxonte në atë kohë të kishte një personazh real e ta sillte në një film, qoftë edhe të animuar. Edhe pse personazhe reale mund të gjeje plot në atë kohë, sepse drejtues arrogantë kishe plot.

Personazhet pozitivë i ke vizatuar të bukur, si atë punëtorin e realizmit socialist që nuk ka frikë të kritikojë edhe shefin që merr flakë kot, ndërsa shefin e ke skalitur si njeri të shëmtuar?

Ndoshta kjo ka qenë një stampë e realizimit socialist dhe personazhi pozitiv është gjithmonë i bukur, kurse personazhi negativ - i shëmtuar. Por është edhe një tendencë që ne me artin tonë përpiqemi të tregojmë se gjërat e bukura i bëjnë njerëzit e bukur.

Si lindi si nevojë që nga një film magjik dhe përrallë si “Pika e ujit” të shkohej te filmat kritikë që merrnin spunto nga jeta reale?

“Pika e ujit” është filmi i parë vizatimor me metrazh, por janë bërë dhe shumë filma të tjerë sa erdhëm te filmi i animuar që merret spunto nga jeta reale, aty nga viti ’81. Unë vetë kisha dëshirën dhe mora iniciativën që të mos realizonim vetëm filma të animuar për fëmijë, por të kishte dhe një tematikë për të rritur, për të mbajtur një qëndrim si me karikaturën për çështje kritike edhe me filmin e animuar, si një lloj karikature në lëvizje. Në bashkëpunim me skenaristin Bashkim Shehu realizuam këto filma.

Arsyeja e ndalimit të këtyre filmave nuk ka të bëjë me anën artistike të filmit?

Jo, është krejtësisht politike. Filmat u pritën shumë mirë kur u shfaqën në kolektiv. Ata janë realizuar në dhjetor të ’80-s, pak kohë para se të ndodhte vdekja e Kryeministrit të vendit të asaj kohe, Mehmet Shehu, dhe duke qenë se skenarist i filmave ishte i biri, Bashkim Shehu, ata u ndaluan.

Por këta filma janë realizuar pas dënimit tuaj nga Festivali i 11-të i Këngës?

Po, më ’73-in Partia më dërgoi për riedukim dhe pasi u bëra djalë me edukatë më ktheu dhe më 75-n u mendua që të hapej studio e filmit të animuar dhe unë u emërova regjisor.

Duke qenë se e kishit pësuar një herë, a ishit më i kujdesshëm në realizimin e këtyre filmave, me pak fjalë a kishte një lloj autocensure te ju?

Padyshim që po, por në filmat për fëmijë nuk kishte ndonjë gjë për t’u vetëcensuruar, mjaftonte që filmi të ishte edukativ. Në filmat me tematikë për të rritur, padyshim që isha më i rezervuar për t’i shkuar linjës dhe ideologjisë së kohës të realizmit socialist se, nëse do devijoje padyshim që e pësojë dhe në këtë drejtim isha tepër i kujdesshëm.

Megjithatë, ka elementë modernist në këta filma që pamë, që nga teknika dhe ngjyrat…

Në atë kohë ndodhte që të shpëtonte ndonjë element te filmat vizatimorë, ashtu si dhe te karikatura, ku edhe ndonjë element modernist në skicimin e personazheve kalohej me: hë mo, se karikaturë është. Kështu ndodhte edhe me filmin vizatimor: hë mo, se film vizatimor është.

Ju vinit në kinostudio me “njollë” në biografi dhe punonit për filmat tuaj me Bashkim Shehun, djalin e Kryeministrit të vendit në atë kohë. Si sillej ky i fundit, ose më saktë e mirëpriti bashkëpunimin me një regjisor me njollë në biografi? Dhe ju, a ndiheshit disi më i mbrojtur që punonit me të?

Në shoqërinë e tij dhe në miqësinë e tij kemi qenë shumë komodë edhe pse ai ishte djali i Kryeministrit, madje edhe në bisedat që bënim ne e shikonim me dyshim faktin që ai ishte shumë i lirshëm. Në atë kohë fliste disa gjëra që ne na dukej e çuditshme, gjëra që unë edhe kur i çoja nëpër mendje kisha frikë jo më t’i thoja aq hapur. Ai ishte kaq i lirshëm dhe ndoshta duke bashkëpunuar me të na krijohej ajo ndjesia se i kishim shpatullat e ngrohta, sepse ishim në bashkëpunim me djalin e Kryeministrit. Unë akoma kam një skenar të tij shumë interesant, që ndoshta ai e ka harruar, por që unë e kam në arkivin tim.

Sa vite kishit që nuk i shihnit këta filma që u shfaqën sot në kinemanë e arkivit?

Kam 30, vjet që më ’81-in, kur këta janë realizuar. Ishte kënaqësi kur i pashë dhe për më tepër kur shikoja se ishin filma interesantë.

A ishte filmi i animuar më pak i kontrolluar në atë kohë?

Këtë nuk mund ta them me bindje, sepse kur ishte puna për problematikën e filmit vizatimor ishte njësoj si në të gjitha prodhimet e Kinostudios.

A do i riktheheshit sërish filmit vizatimor?

Kam një projekt në dorë ,por kam shpresë që t’i kthehem me filmin politik, ku personazhet politikanë të jenë të tipëzuar tashmë edhe në lëvizje.

Po thoni se do jetë një lloj filmi vizatimor karikaturë e politikës?

Natyrisht, do të jenë politikanët në linjën e karikaturës. Lëvizjet e tyre, idetë e tyre, sesi i realizojnë situata komike në të cilat ne i shohim edhe në jetën tonë reale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›