E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet spitalore mbërthejnë edhe sallat e operacioneve

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-04-2011 11:58

Infeksionet spitalore jo vetëm që janë ulur “këmbëkryq” në spitale, por janë futur edhe në “zemër” të institucioneve shëndetësore, që janë sallat e operacioneve. Tashmë ky problem ka filluar të shndërrohet në fenomen, ndërsa ata që po i vuajnë më shumë pasojat janë pacientët, që megjithëse shkojnë në spital për të kuruar një sëmundje, një tjetër e marrin dhuratë nga infeksionet spitalore. Sipas një studimi të fundit, të kryer nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), për gjatë tre muajve të parë të këtij viti, janar-mars 2011, në sallat e operacioneve të spitalit më të madh të vendit, “Nënë Tereza”, janë konstatuar ngarkesa të konsiderueshme mikrobiologjike. Vlerësimi mjedisor në ambientet e sallave operatore në QSUT është kryer në tetë shërbimet kryesore të këtij spitali dhe më konkretisht te: Klinika 1; Klinika 2; Klinika 3; Kardio-Kirurgjia; Onkologjiku; O.R.L; Okulistika; Maxilo-Faxial. Ndërkohë që më problematike situata është paraqitur në katër shërbime, te Spitali Onkologjik, Okulistika, Otorino-Laringologjia, Maxilo-Faxiali. Sipas ekzaminimeve të bëra në repartin e Onkologjikut, është konstatuar një ngarkesë mikrobike me mbizotërim të gram-negativeve, ku u izolua E. Coli. Specialistët e këtij monitorimi, që janë Gjergji Koja, Zaide Sulejmani dhe Eugena Tomini, shpjegojnë se ekzaminimet janë marrë në mëngjes, ku normalisht duhet të ishte bërë pastrimi, larja dhe dezinfektimi, por aty nuk ishte bërë asnjëra nga këto të lartpërmendurat, gjë që tregon një neglizhencë të kushteve higjieno-sanitare, që ata tregojnë për ambientin e punës, ku për pak çaste do të bëheshin gati për të futur pacientin në operacion. “Brenda në bllokun operator ishte dhoma e reanimacionit dhe mund të theksojmë se kishte shumë hyrje dhe dalje të familjarëve brenda në bllok, gjë që të çon në kontaminimin akoma të mëtejshëm të këtyre ambienteve”, - thuhet në studim. Më tej, brenda në sallën e Okulistikës specialistët e studimit kanë konstatuar se mbahej një aerosteril, ku avujt e tij qëndronin përsëri në atë ambient, që jep direkt kontaminin të sallës ku bëhen operacionet. Sipas ekzaminimeve të bëra në tërë kompleksin e këtyre sallave operatore janë izoluar gram-negativet E. Coli dhe Pseudomonas në sipërfaqe dhe orendi, ndërsa janë vërejtur mangësi edhe te personeli, duke filluar që nga pjesa e kontaminuar, që ishte në të dalë të sallës, dhe ata futeshin brenda në sallë, pasi ishin me dyer të tëra sallat. Falë këtij studimi, specialistët e IShP-së kanë evidentuar se cilët janë tetë infeksionet spitalore që rrezikojnë më shumë shëndetin e pacientëve gjatë kohës së qëndrimit në spital. Kështu, shfaqja e infeksioneve spitalore është: infeksionet urinare, mbi 1/3 e rasteve; pneumopatitë 12%; infeksionet e fushës operatore 10%; infeksionet e lëkurës në inde të buta 10%; infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore 10%; bakteriemi dhe septicemi 6%; infeksione të ORL 6%; infeksione nga kateteri 4%. Ndërsa si faktorët më riskantë të infeksioneve spitalore, specialistët renditin: mosha e pacientëve (preken më shumë fëmijët dhe të moshuarit); seksi (femrat preken më shumë nga infeksionet urinare); zgjatja e qëndrimit në spital dhe manipulimet e tjera; pesha në lindje (prematurët); ndërhyrja kirurgjikale apo intervente të ndryshme; protezat dhe implantet (kateter urinar/vaskular, drenazh, sondë gastrike etj.); përdorimi i antibiotikëve etj. Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, që këtë vit kishte në fokus rezistencën antimikrobiale, në një seminar organizuar nga OBSh me të gjithë faktorët në fushën e shëndetit, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka deklaruar se qytetari shqiptar duhet të marrë barnat e duhura dhe në kohën e duhur. Në fakt, rezistenca antimikrobiale nuk është një problem i ri, por është një problem që po bëhet i rrezikshëm në mbarë botën. Ndaj, nevojiten përpjekje urgjente dhe të konsoliduara për të shmangur kthimin mbrapa në erën para antibiotikëve.

Shfaqja e infeksioneve spitalore

Infeksionet urinare mbi 1/3 e rasteve

Pneumopatitë 12%

Infeksionet e fushës operatore 10%

Infeksionet e lëkurës plus inde të buta 10%

Infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore 10%

Bakteriemi dhe septicemi 6%

Infeksione të ORL 6%

Infeksione nga kateteri 4%

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›