E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Nishani, Qytetar dhe President

25-07-2012 / Nga Artur Bego

Në zyrën e kreut të shtetit, shqiptarët kanë dërguar një simbol të qytetarisë, i cili pushtetin e ka trajtuar gjithmonë si një përgjegjësi dhe jo si një hendek që e ndan me të tjerët. Bujar Nishani ka qenë gjithmonë qytetari që merrte përgjegjësi e ndante përgjegjësi me të tjerët. Civil dhe modest në të njëjtën kohë, ceremonia e djeshme konfirmoi konsensusin më të gjerë që ishte gjetur në votimin e 11 qershorit, konsensusin që kishte dërguar në zyrën e presidentit qytetarin Bujar Nishani

Nga dje Shqipëria ka Presidentin e saj të ri, Bujar Nishanin.
Para dhe pas 11 qershorit të këtij viti, datë kur Parlamenti zgjodhi Presidentin e ri, është folur dhe është shkruar shumë për Bujar Nishanin. Para 11 qershorit është folur dhe është shkruar shumë për Atë si ministër, sikurse pas kësaj date është folur dhe është shkruar shumë për Atë si President.
Me aq sa mund të rrok memoria e gjithsecilit prej nesh, për gjithë kohën kur Bujar Nishani është future në “listën e personave publikë”, nuk të bie ndër mend të jetë thënë ndonjë “fjalë e keqe”, apo të jetë shkruar ndonjë “shkrim për keq”… të paktën për pjesën që Ai ka qenë i angazhuar dhe ka marrë përsipër përgjegjësi zyrtare e shtetërore.
Përgjegjshmëria, modestia, maturia, apo edhe mirënjohja e Tij për bashkëpunëtorët dhe jo vetëm, janë cilësi, që më parë se ti vishen Bujar Nishanit si President, dukshëm bëjnë dallimin e tij, në radhë të parë, si Qytetar.
Në pesë vitet e fundit në të cilët Ai ka mbajtur poste ministri, për Bujar Nishanin pushteti ka qenë një përgjegjësi dhe jo një hendek që e ndante, apo e dallonte nga të tjerët. Në qoftë se do të tentonim të thoshim apo shkruanim “ndonjë gjë të keqe”, për aq sa mund të quhet e tillë, sigurisht mund të themi e shkruajmë se Ai, falë “frymës” Qytetare me të cilën është mbrujtur, e ka “një të keqe”... atë të raporteve të mira e njerëzore që ka ndërtuar, me të gjithë ata persona që nuk ka pasur marrëdhënie pune, bashkëpunimi, apo vartësie. “Çdo e keqe, e ka një të mirë”, e mirë ku plekset kjo sjellje modeste Qytetare si vlerë për Atë edhe si President...
Nga pozicioni i ministrit të Drejtësisë, apo i Brendshëm, në raport me bashkëpunëtorët apo vartësit, Bujar Nishani ka qenë “njëri nga ata”. Vlerësimi dhe respekti për bashkëpunëtorët dhe vartësit, tjetër cilësi që “e veçon” Atë si Qytetar, janë një “ogur i mirë”, që edhe si President, Ai ta ketë këtë “begraund”, jo thjesht dhe vetëm si pjesë të CV-së së tij, por një mbështetje jo të vogël...
Por, Bujar Nishani, ka edhe pjesën e “angazhimit të tij politik”. Për më tepër ka edhe “modelin” e marrëdhënieve të Tija me aktorët e faktorët politikë. Duke lënë mënjanë marrëdhëniet me ish-familjen e Tij politike, në marrëdhëniet me opozitën, askush, më guximtari qoftë, nuk do të mund të çonte, të paktën nëpër mend, e jo më “të thoshte apo shkruante ndonjë gjë të keqe”. Përkundrazi. Dhe jo vetëm nisur nga opinionet e aktorëve e faktorëve në të dy kahet e politikës, por, për më tepër nga sjellja, qëndrimet, reagimet e tij, jo aq politike se sa Qytetare, ka mbizotëruar maturia në raportet e ndërtuara prej Tij me gjithë aktorët e faktorët politikë. E ç’mund ti duhet më tepër Bujar Nishanit, që maturinë e Tij si pjesë “e përvojës”, jo aq politike se sa Qytetare, ta ketë thjesht dhe vetëm një garanci më shumë dhe më bindëse që si President, ai të jetë mbi palët.
Mund të renditen, shumë më shumë cilësi, apo derivate të tyre për Bujar Nishanin, por të gjitha ato, konvergojnë në një pikë..., në atë, që qenia e tij një Qytetar, jo thjesht dhe vetëm si term demografie, e lartësojnë atë që gjithsecili të besojë e të presë, që ai do të jetë edhe një President, në kuptimin e vërtetë që mbart ky pozicion i lartë në hierarkinë e shtetit...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›