Presidenti i ri betohet me dorën në Kushtetutë: Me ndihmën e Zotit, do jem president i të gjithëve
Me një pjesëmarrje nga i gjithë spektri politik, si dhe nga Trupi Diplomatik i akredituar në Tiranë, Bujar Nishani ka marrë mandatin për kryetar shteti, deri më 24 korrik të 2017-s. Në 100 vjetorin e Pavarësisë, presidenti i ri është angazhuar për vazhdimësinë e reformave dhe përshpejtimin e ritmeve të integrimit
24 korriku i 2012-ës do të fiksohet në historinë politike të Shqipërisë si data e rotacionit të 6-të Presidencial. Për 5 vitet e ardhshme, Bujar Nishani do jetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë. I zgjedhur më 11 qershor në detyrën e kreut të shtetit, Nishani bëri dje në Kuvendin e Shqipërisë, betimin me dorë në Kushtetutë, duke marrë duartrokitjet e të gjithë spektrit politik, krerëve të institucioneve kushtetuese, trupit diplomatik dhe të ftuarve të tjerë në seancën e posaçme parlamentare. “Betohem. Zoti më ndihmoftë”, bëri betimin z.Nishani ndërsa më pas u interpretua himni kombëtar. Në fjalën e tij të parë si President i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani iu drejtua ligjvënësve duke i garantuar për vullnetin dhe gatishmërinë e tij, për të qenë një President mbi palët.
Në një moment të rëndësishëm reformash që afrojnë vendin tonë me standardet evropiane, Bujar Nishani garantoi mazhorancën aktuale dhe atë që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, për konsultim e bashkëpunim për zgjedhjen e anëtarëve të organeve kushtetuese. Kjo pasi, siç u shpreh z.Nishani, reforma në drejtësi është sfida kryesore e tij. “Presidenti në përmbushje të detyrave të tij kushtetuese ka një angazhim të rëndësishëm për të realizuar reformën në fushën e drejtësisë. Për fat të keq ne aktualisht kemi një raport të theksuar mosbesimi mes qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Rivendosja e këtij besimi do jetë matësi dhe vlerësuesi më i mirë i këtij sistemi. Ofroj gjithë vullnetin e presidentit, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë në përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Institucioni i Presidentit do të garantojë se vlera e lartë e dekretit presidencial t’iu kushtohet vetëm atyre prokurorëve që kanë garantuar vlera të larta dhe integritet moral e profesional. Konfirmoj të gjithë vullnetin dhe gatishmërinë time për të qenë një partner për mazhorancën dhe opozitën. Do t’i kem të hapura dyert për 5 vitet e ardhshme për mazhorancën dhe opozitën. Misioni ynë është i njëjtë, ta bëjmë vendin tonë më të lirë, më demokratik, më të zhvilluar dhe gjithnjë e më të dashur për tu jetuar. Ta bëjmë jetën e qytetarëve tanë më të qetë, të sigurt dhe kuptimplotë”- u shpreh Presidenti në fjalën e tij para ligjvënësve.
Ai shprehu angazhimin për reformën në drejtësi, si dhe apeloi për nevojën e konsolidimit të një klimë të qëndrueshme politike dhe vazhdimësinë e një dialogu për të ecur përpara me reformat. “Siç edhe na janë adresuar vazhdimisht miqtë tanë nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian, si dhe ata nga Departamenti amerikan i Shtetit duke na e vënë në dukje, sot Shqipëria ndodhet përballë çasteve shumë të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Synimi, përpjekjet tona si dhe krijimi i të gjitha kushteve të nevojshme për të marrë në mënyrë të merituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, janë interesi madhor i qytetarëve tanë - interes i lidhur drejtpërdrejtë me arritjen dhe plotësimin e atyre standardeve që shqiptarët meritojnë të kenë. Dymbëdhjetë përparësitë kryesore, të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian, përbëjnë reformat kyçe që duhet të ndërmerren nga ne dhe dëshiroj të vë në dukje se në këtë drejtim një seri rezultatesh pozitive janë arritur tashmë. Dëshiroj gjithashtu, të përfitoj nga rasti për të shprehur të gjithë vlerësimin tim për punën e bërë dhe konsensusin e arritur për Reformën Zgjedhore duke mirëpritur vendimmarrjen e përbashkët mazhorancë – opozitë në procesin e heqjes së imuniteteve si një akt i konfirmimit të politikës ndaj shoqërisë se parimi i barazisë përpara ligjit është i patjetërsueshëm. Në cilësinë e Presidentit të Republikës, shfrytëzoj këtë rast për të theksuar nevojën e konsolidimit të një klime të qëndrueshme politike si dhe të vazhdimësisë së dialogut politik mes palëve dhe vullnetit të përbashkët për të ecur përpara me reformat e tjera të rëndësishme”- tha Presidenti.
Nishani theksoi se detyrën si Kryetar i Shtetit, po e merr përsipër në një moment të veçantë për vendin, në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Ndërsa një falënderim të veçantë i përcolli Sekretares Amerikane Klinton, presidentit të BE-së Barroso dhe homologëve të tjerë. “Nga ky podium i nderuar më lejoni të shpreh mirënjohje për mesazhet dhe përshëndetjet për zgjedhjet e Presidentit të Shqipërisë nga ana e Sekretares Amerikane Klinton, presidenti i BE-së Barroso dhe homologët e tjerë. Sot u betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, mbrojtur liritë dhe interesat e qytetarëve të vendit tim. Këtë detyrë po e marr përsipër në 100 vjetorin e pavarësisë. Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, por e mbushur me sakrifica dhe pengesa. Ja kemi dalë dhe jemi në rrugën e duhur”- deklaroi ai.
Pas betimit dhe fjalimit të mbajtur në Kuvend, Presidenti Nishani iu drejtua selisë së Presidencës, ku në prani të 600 të ftuarve u zhvillua ceremonia e marrjes së detyrës.
Ceremonia e marrjes së detyrës në selinë e Presidencës
Me përfundimin e betimit dhe fjalimit të Presidentit, Bujar Nishani në Kuvend, ceremonia është zhvendosur në Presidencë, për dorëzimin e detyrës së Presidentit nga Bamir Topi tek Bujar Nishani. Pas zhvillimit të një takimi të shkurtër nw Zyrwn e Presidentit, Nishani dhe Topi u shfaqën përballë të pranishmëve, në krye të shkallëve të presidencës të shoqëruar nga kreu i Protokollit të Shtetit. Ceremonia ka vazhduar me ekzekutimin e Himnit Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, duke u pasuar nga të shtëna e topit, dhe më pas truproja e Nderit ka parakaluar para Presidentit të Republikës.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i ka dorëzuar Presidentit Nishani, në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pas fjalës së Kreut të Shtetit, Bamir Topi është përshëndetur me Bujar Nishanin me shtrëngim duarsh dhe është larguar duke përshëndetur dhe të pranishmit në këtë ceremoni. Makina e ish-Presidentit është shoqërua nga katër motoçikletat ceremonial. Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë, kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë, të parlamentit, ish-Presidenti Alfred Moisiu, ish-deputetë, kryetarë të partive politike, përfaqësues të Trupit Diplomatik si dhe përfaqësues nga fusha të ndryshme.
Më herët, para ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti Nishani u betua mbi Kushtetutë “për zbatimin e ligjit, mbrojtjen e lirive dhe interesave të qytetarëve, mbështetjen e reformave në funksion të integrimit evropian si dhe reformimin e sistemit të drejtësisë”. Kësisoj, korpusi i gjerë i reformave të qeverisë për përmbushjen e ëndrrës së shqiptarëve për anëtarësimin e vendit në BE, ka një mbështetje të fuqishme institucionale nga ana e Presidentit Nishani. Detyrë kjo, jo fort e lehtë në 100 vjetorin e Pavarësisë ku përgjegjshmëria është akoma edhe më e madhe dhe më kuptimplotë në ekspozenë para shqiptarëve të progres-raportit të Komisionit Evropian në vjeshtë të këtij viti. Optimizmi i Presidentit dukej në dy fjalimet e tij para ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë (ku mori edhe duartrokitjet e deputetëve të opozitës) dhe në ceremoninë e marrjes së detyrës në selinë e Presidencës. Pra, një funksion shtetëror, më i larti në hierarkinë institucionale kur bëhet fjalë për përgjegjshmërinë kushtetuese, ligjore dhe kombëtare u inaugurua me dominimin e frymës së optimizmit, bashkëpunimit gjithëpërfshirës (Edi Rama nuk e bojkotoi ceremoninë), dhe pritshmërive pozitive në këndvështrimin e përfaqësuesve të Brukselit. Ajo që binte në sy në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm të selisë së Presidencës, ishte organizimi i ceremonisë, ku mbizotëronte fryma festive, një detaj i mirëmenduar ky nga protokolli i shtetit
600 të pranishmit në ceremoni, trokitje gotash me Presidentin
Pas ceremonisë së inaugurimit, presidenti i Republikës Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë dhe fëmijët zunë vendet e tyre në shkallët e Presidencës. Presidenti i Republikës, djathtas Zonja e Parë, majtas vajza dhe në krah të Zonjës së Parë djali, duke pasur kështu mundësi për foto. Pas përfundimit të fotove, Presidenti i Republikës dhe Familja e Tij, lëvizën drejt sallës ku u mbajt pritja me rastin e marrjes së detyrës. Të ftuarit u priten në hyrjen e Sallës “Skënderbeu” të Presidencës nga Protokolli i Shtetit, ku përshëndetën dhe uruan Presidentin e Republikës.