E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujqësia në Durrës, brenda një viti prodhohen 314% më shumë ullinj



Drejtori i DBU Durrës, z. Jonuz Tafili, në qarkun me mjaft problematika zhvillimi dhe mbështetje të fuqishme financiare nga qeveria në fushën e bujqësisë, në një intervistë për “standard”, ka renditur arritjet dhe shprehur kënaqësinë e tij për fondet e dyfishuara nga qeveria për vitin 2009, duke deklaruar se “kjo mbështetje padyshim fuqizon dhe modernizon edhe fermerin e qarkut tonë”

Z. Tafili, cila ka qenë statistika e arritjeve të vitit 2008 në DBU?

Për vitin 2008, fondi i mbështetjes për bujqësinë në qarkun e Durrësit ka qenë 820 milionë lekë. Për vitin 2009 pritet të jetë mbi 1 miliard lekë. Puna e Drejtorisë Bujqësore, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Durrës fokusohet në këto drejtime, rritja e prodhimit bujqësor vendas, mbrojtja e shëndetit të bimëve, mbrojtja e shëndetit të kafshëve, mbrojtja e shëndetit të konsumatorit, duke i siguruar një produkt cilësor dhe të sigurt. Bujqësia është një ndër sektorët prioritarë të zhvillimit në Qarkun e Durrësit. Rritja e nivelit të prodhimit bujqësor për vitin 2008 ka qenë mjaft e kënaqshme. Krahasuar me vitin 2007 në Qarkun tonë shprehur në përqindje është prodhuar më shumë. Po ju them me statistika se është prodhuar grurë 66% më shumë, misër - 12%, perime - 8%, patate - 20%, fasule - 11%, fruta-5%, ullinj -314% etj.

Sipas jush, kush i ka dhënë impuls zhvillimit të sektorit të bujqësisë në qarkun e Durrësit?

Impuls pozitiv të zhvillimit të bujqësisë i ka dhënë vendimi i Këshillit të Ministrave nr.3, dt.10.01.2007 “Për nxitjen e zhvillimit të vreshtarisë, pemëtarisë dhe ullirit” vendim ky që i jep përkrahje financiare të drejtpërdrejtë dhe të parikthyeshme fermerit. Në analizën veçmas të sektorëve të financuar, sipas VKM, gjendja rezulton të jetë e tillë. Kështu unë deklaroj se janë mbjellë pemë frutore, vreshta, ullishte. Në këtë sektor të financimit kanë përfituar 191 fermerë, të cilët kanë përfituar grant prej 42.743.350 lekësh dhe mbjellë një sipërfaqe prej 119.05 ha.

Edhe sektori i ujitjes ka pasur arritjet e veta, pasi kanë përfituar në këtë drejtim 10 fermerë, të cilët kanë përmirësuar teknologjinë e kultivimit të pemëve frutore në 5.17 ha dhe përfituar një shumë prej 15.50.100 lekësh. Ndryshim i sistemit të ngrohjes në serat me ngrohje qendrore, ka qenë një arritje tjetër e madhe, e cila fuqizon zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Gjashtë aplikantë përfitues të këtij sektori prodhimi kanë ndryshuar sistemin e ngrohjes me naftë në solar në 6.17 ha sera nëpërmjet fondit të akorduar në 10.272.900 lekë.

Z. Tafili, po blegtoria si paraqitet në qarkun e Durrësit, kryesisht në zonat kodrinore e malore?

Edhe ky sektor është ndër sektorët përfitues. Financimi i 74 fermerëve që zotëronin mbi 10 krerë lopë qumështi të racës së pastër kap vlerën 10.420.000 lekë. Për mbrojtjen organike në ullishtet organike është financuar blerja dhe vendosja e ekotrapeve në 136 ha ullishte, duke përfituar nga kjo masë 676 fermerë në vlerën 1.820.000 lekë. Shërbimi veterinar prioritet të punës së tij ka pasur matrikullimin dhe identifikimin e kafshëve. Gjatë vitit 2008 matrikulimi dhe identifikimi i kafshëve është realizuar në masën 80%, janë identifikuar 24.014 krerë. Procesi i matrikulimit do të vazhdojë në qarkun tonë, si në gjedhë ashtu edhe në të imta. Gjithashtu, është kryer dhe profilaksia specifike (vaksinime, gjurmime dhe mjekime) në shpendë, gjedhë dhe të imta. Nga sektori i mbrojtjes së bimëve janë certifikuar për vitin 2008 2.000 agrume, 260.00 hardhi, 112.500 pemë frutore. Sektori i Sigurisë Ushqimore gjatë vitit 2008 ka ushtruar kontrolle në subjekte prodhuese, importuese dhe tregtuese të produkteve të ndryshme ushqimore. Në këto subjekte gjatë vitit 2008 janë ushtruar 5402 kontrolle (33% më shumë se vitit 2007). Gjatë kontrolleve të ushtruara (sidomos në periudha festash dhe në stinën e verës) në pika të ndryshme tregtare dhe pika importimi janë asgjësuar 4956 kv (46% më shumë se viti 2007) produkte ushqimore, që u kishte kaluar afati i përdorimit. Rëndësi i është kushtuar dhe kontrollit të pikave të përpunimit, tregtimit të produkteve me origjinë shtazore (mishi dhe qumështi). Është ushtruar kontroll dhe në produktet ushqimore që futen në doganën Durrës, ku për çdo sasi malli që zhdoganohet merret mostër për analizë. Gjatë vitit 2008 janë importuar nga firmat të ndryshme 405.185 ton produkte ushqimore. Gjatë këtij viti janë analizuar 3645 mostra (11% më shumë se viti 2007), produkte ushqimore importi dhe prodhimi vendas.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›