E Shtunë, 31 Tetor 2026

BIZH-ja, 100 milionë $ për aksin e Durrës-Kukës



Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit për Zhvillim do të financojnë projektet e infrastrukturës rurale, përfshi dhe portofolin e 40 milionë dollarëve për një prej akseve të rrugës Durrës-Kukës. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, zhvilloi një takim në selinë e Bankës Islamike për Zhvillim me presidentin e kësaj banke, z. Ahmed Muhamed Ali. Në këtë takim, ministri Basha shoqërohej dhe nga guvernatori i Shqipërisë pranë kësaj Banke, zv.ministri i Financave, z. Sherefedin Shehu. Portofoli i Bankës Islamike për Zhvillim në Shqipëri kap vlerën e rreth 100 milionë dollarëve, ku përfshihet edhe financimi prej afro 40 milionë dollarë i segmentit Kalimash-Rexhepaj, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Ministri Basha kërkoi që kjo bankë të vazhdojë të jetë e pranishme në Shqipëri për financimin e projekteve në fushat e infrastrukturës, shëndetësisë, zhvillimit rural, etj. Në veçanti u diskutua mbi kontributin e BIZH-it në fondin prej 400 milionë dollarësh për projektin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e 6000 km rrugë rurale si dhe projekte konkrete në fushën e shëndetësisë. Gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite ministri Basha dhe delegacioni që e shoqëronte, zhvilluan gjithashtu takime me përfaqësuesit e biznesit saudit si me Korporatën Saudite të Industrisë Bazë, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Riadit, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Xhedahut etj. Ministri Basha pati një takim të veçantë me investitorin e njohur saudit, Princin Ualid bin Talal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›