Shërbime fiktive, pritet shndërrimi i 30 spitaleve në poliklinika
Spitale me koeficiente të ulëta përdorimi, shërbime fiktive, çka bën që shpesh të sëmurët të mos marrin shërbimin e duhur. Nga 42 spitale në rrethe, vetëm 12 do të vazhdojnë të kryejnë këtë funksion. Me rekomandim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë ka në dorë projektin që përcakton definitivisht fatin e spitaleve të rretheve.
Projekti
Burime pranë këtij dikasteri pohojnë se MSH-ja po rishikon në tërësi hartën e shërbimeve shëndetësore dhe spitalore. Për këtë, ministria ende po vazhdon me studimet e domosdoshme, në mënyrë që të hyhet në veprim. Ndërkohë që mësohet se nga këto spitale disa prej tyre do të mbyllen dhe do të kthehen në poliklinika. Bazuar edhe në rekomandimet e OBSH-së, sqarohet se këtë fat do të kenë kryesisht spitalet në Skrapar, Tropojë apo në qytete të tjera, që kanë shumë afër në rrugë tokësore spitale më të mëdha.
Megjithëse kjo politikë është kundërshtuar nga shumë drejtues në rrethe, vlerësimi do të bëhet në bazë të numrit të popullsisë në zona të ndryshme të vendit. Kështu për zonat që nuk kanë mundësi të lidhen me rrugë tokësore funksionon shërbimi ajror në dispozicion. Nisur edhe nga amortizimi i më shumë se 80 për qind të pajisjeve mjekësore në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë po bën një inventarizim të tyre, duke synuar zëvendësimin e aparaturave që nuk kryejnë më funksionin e tyre. Për këtë çështje, spitaleve të rretheve, që kanë mungesa në aparatura, tashmë do t’u shtohen disa pajisje.
Janë 12 spitale rajonale që do të pajisen me skaner, duke nisur mënyrën më të mirë të përmirësimit të infrastrukturës. Aktualisht po kryhet një studim për vlerësimin e infrastrukturës së spitaleve në rrethe, në bazë të të cilit do të vërehen mungesat dhe domosdoshmëritë që ka në spitalet e vendit. Ky studim do të kryhet në bazë të numrit të popullsisë dhe afërsisë me spitalet e tjera në rrethe.
Spitalet
“Përmes këtij studimi, veç evidentimit të nevojave infrastrukturore të spitaleve, Ministria e Shëndetësisë do të vlerësojë se cilat spitale në rrethe do të mbyllen dhe do të kryejnë vetëm funksionin e poliklinikave. Studimi do të kryhet në bazë të numrit të popullsisë dhe afërsisë me spitalet e tjera në rrethe”, – sqarojnë burimet.
Mungesa e funksionimit të spitaleve të rretheve është përmendur edhe nga ministrja Godo. Gjatë analizës vjetore të QSUT, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, vuri në dukje numrin e madh të pacientëve të rretheve që kërkojnë ndihmë në QSUT. Për këtë arsye, Godo pati thënë se në këtë drejtim duhet të fuqizohen spitalet rajonale, që janë pjesë e reformës spitalore, si dhe të minimizohen rastet kur pacientët kanë nevojë t'i drejtohen spitalit të Tiranës, pasi sipas saj, aktiviteti në QSUT në 50 për qind të rasteve përbëhet nga raste nga rrethet.
Ftohti
Rikthen virozat gripale
Qindra persona paraqiten çdo ditë në urgjencë për të marrë asistencë mjekësore, për shkak të virozave gripale. Shkak për këtë është bërë rënia e temperaturave. Sipas mjekëve, shtimi i numrit të rasteve ka ardhur si shkak i ftohtit dhe acarit që ka përfshirë vendin tonë. Ndërkohë që mjekët këshillojnë si kusht kryesor për mbrojtjen nga i ftohti, veshjen trashë dhe qëndrimin në ambientet e ngrohta. Simptomat që evidentojnë një të sëmurë janë kryesisht temperaturë e lartë, rrufë, ethe, dhimbje koke, dhimbje kyçesh, të vjella, kollë e fortë. Nevojitet përdorimi i paracetamolit, vitaminës C, çajrave dhe lëngjeve të frutave. Ndërkohë që duhet të shmangim kontaktet me persona të sëmurë, evitimin e ambienteve të ftohta, të veshurit trashë, por jo në mënyrë të ekzagjeruar.
Nisin punimet në bllokun 59
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka inspektuar dje fillimin e punimeve për rikonstruksionin e infrastrukturës në bllokun 59 (kufizuar nga rrugët: “Hasan Sufa”, “Ali Demi”, Bulevardi “Bajram Curri”), në Njësinë Bashkiake Nr. 1.
Projekti i rikonstruksionit parashikon që gjerësia e rrugëve brenda bllokut të jetë nga 3.5 deri në 7 metra. Trotuaret do të jenë të shtruara nga të dyja anët me pllaka betoni.
Projekti i kanalizimeve parashikon ndërtimin e një rrjeti të ri kolektorësh dhe pusetash për ujërat e zeza dhe të bardha. Rrjeti i ujësjellësit do të ndërtohet i ri dhe gjithashtu parashikohet edhe ndërtimi i rrjetit të ri të ndriçimit publik, duke instaluar shtylla metalike, të cilat do të vendosen në të gjitha rrugët e brendshme të bllokut. Përveç ndërtimit të korsisë së parkimit, në rrugët e brendshme të bllokut është marrë parasysh edhe nevoja në rritje për hapësira të gjelbra, si dhe gjelbërimi rrugor me pemë dekorative.