E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore; Propozimet për koeficientët deri më 25 shkurt



Fakultetet, në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e Maturës Shtetërore 2009, kanë afat për të publikuar propozimet e tyre për koeficientët e lëndëve me zgjedhje deri më 25 shkurt 2009. Burime nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve bënë të ditur se koeficientët për llojet e shkollave të mesme do të bëhen publike pas 25 prillit. Për këtë vit akademik mendohet të jenë dy lloje koeficientësh për pranimet në universitete. Në grupin e parë do të përfshihen 5 koeficientët e llojit të shkollës së mesme, ku çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficientë, nga 1.0 deri në 1.4, me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme të grupuara në 10 grupe kryesore, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Gjithashtu, çdo degë e shkollës së lartë do të shpallë propozimet edhe për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, për të cilat do të kenë dy lloje koeficientësh në dispozicion, të cilat ndonëse nuk janë miratuar përfundimisht, mendohet të jenë nga 1.0 në 1.3

Suplementi i diplomave

Udhëzimi i ri, sot në universitete

Udhëzimi i ri për suplementin e diplomave do t’u dërgohet sot universiteteve, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ministria bëri të ditur se udhëzimi i ri për diplomat ka një përmirësim në kuptimin e shmangies së disa elementeve të cilët mund të mos ishin të domosdoshme. MASH-i ka lehtësuar udhëzimin nga ato elementë që u kërkuan nga studentët. Tashmë senatet e universiteteve, në përputhje me udhëzimin e MASH-it, kanë mundësinë të zgjedhin diplomat e tyre, duke ruajtur gjithmonë standardet shtetërore bazë që duhet të ketë çdo diplomë. Suplementi i diplomave, sipas sistemit të Bolonjës, është një dokument dhe një instrument i dobishëm për punëdhënësin. Kjo, sepse në këtë dokument, do të pasqyrohet e gjithë përmbajtja e studimeve, në kuptimin e kohëzgjatjes, numrit total të krediteve, notës mesatare, lëndët ose modulet dhe pesha e tyre në kurrikul.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›