Bujqësia, themelore për zhvillimin e vendit - do rrisim investimet nga 57 milionë në 156 milionë dollarë
Kryeministri Berisha bashkëbisedon me fermerët e Gjergjanit, në Elbasan
Në vijim të bashkëbisedimit me fermerët dhe bizneset bujqësore në komunën Gjergjan në Elbasan, kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se, “në krye të axhendës për 4 vitet që vijnë, do të jetë projekti ri i vaditjes, që fillon me 60 milion euro”. Duke prezantuar prioritetet për këtë sektor, shefi i qeverisë tha se “do të bëjmë gjithçka për të vendosur sistemin e vaditjes, pasi ky vend është i bekuar nga ujërat”. Interesit të fermerëve për çështjen e kullimit, Berisha premtoi se, “do të bëjë gjithçka që kjo çështje të zgjidhet para zgjedhjeve”. Më tej, kreu i ekzekutivit tha se, nëse do të ishin miratuar tre ligjet e integrimit, feremerët do të mund të përfitonin më shumë nga fondet e BE-së. Ai tha se BE, subvencionin më të mdh se në çdo fushë tjetër, ka bujqësinë, pasi subvencionon në vit 50 miliard euro për fermerët e Europës. Berisha përmëndi edhe të tjera përfitime që mund të vinin nga marrja e statusit të vendit kandidat në BE si fonde për rrugët, ndërtimin e shkollave, bursa studimi për të rinjtë, ndërsa emigrantëve do tu njiheshin vitet e pensionit. “Njeriu që e bëri zemrën gur duke u mohuar shqiptarëve favoret e statusit, do të marrë vlerësimin më 23 qershor dhe shpresoj që shqiptarët, do të votojnë për të ardhmen e tyre evropiane”, tha Berisha duke akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama. Kreu i ekzekutivit tha se, “ne vijmë këtu tek ju, shumë të bindur se projekti i granteve që ne filluam në 2007 është një histori e vërtetë suksesi. Fillimisht kam hezituar, sepse druaja shpërdorim, por doli sukses”- tha ai. Lidhur me emigrantët dhe rikthimin e tyre për të investuar në vend, shefi i qeverisë bëri të ditur se “po përpunojmë një kuadër të veçantë të ligjit për emigrantët që do të investojnë në Shqipëri një biznes, do ta çlirojmë nga çdo lloj takse”. “Për emigrantët që vijnë në Shqipëri, 3-5 vjet biznesi i tyre do të jetë i çliruar nga çdolloj takse. Sipas projekteve do të zbusim kredinë. Ndërhymë për të ulur përqindjen e pagesës së bankës. Çdo material, që importon nga jashtë një emigrant do jetë pa TVSH, pa 20%. Punëtorët e rinj për 3 vjet do të jenë pa asnjë detyrim për sigurime shoqërore. Akciza, nëse përdoret nafta, do të rimbursohet me para në dorë”, deklaroi shefi i qeverisë. Ai vlerësoi se, nëse Shqipëria ka arritur këto që ka, ndër aksionerët kryesorë janë emigrantët, pasi me djersën dhe mundin e tyre, kanë mbështetur fuqishëm familjet dhe kanë investuar në një biznes apo tjetër. Berisha gjithashtu premtoi ulje të kostos së prodhimit si dhe rimbursim me para në dorë të fermerëve. Në bashkëbisedimin me femerët, Kryeministri e konsideroi të rëndësishëe vazhdimin e projektit për mbjelljen e ullirit duke shtuar se, “do të përpiqemi që të gjithë shqiptarët të përdorin vaj ulliri, të kapim tregun e Kosovës, Maqedonisë”. Në përfundim, shefi i qeverisë garantoi se, “të gjitha këto çështje, që ju shtruat, janë dhe do të jenë pjesë thelbësore e programit tonë, do të bëj gjithçka për suksesin tuaj, si dhe shumëfishimin e të ardhurave për secilën familje tuaj”.
Qeveria miraton vendimin për kalimin në pronësi të Komunitetit Mysliman, për Myftininë Elbasan, të sipërfaqes prej 5902 metra, në Zaranikë/Këshilli i Ministrave mori dje në shqyrtim dhe miratoi vendimin “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të Komunitetit Mysliman, për Myftininë Elbasan, të sipërfaqes 5902 metra, nga trualli i pronës nr.278, me emërtim “Reparti ushtarak nr.5012/31”, me vendodhje në Zaranikë, Elbasan, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe për një ndryshim në vendimin “Për miratimin e Listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes" të ndryshuar. Me këtë vendim, sipërfaqja e tokës prej 5902 metrash në Zaranikë të Elbasanit, e cila ishte në administrim të Ministrisë Mbrojtjes i kalon tashmë në pronësi Komunitetit mysliman për tu përdorur për nevoja të Myftinisë së Elbasanit.