Aspekte të moralitetit politik të së majtës dhe të së djathtës në kontekstin e fushatës zgjedhore
Në fazën ku ka hyrë debati politik në Tiranë, është e pashmangshme shtrimi i moralit politik të klasës politike që mëton pushtetin. Dhe kjo jo se më parë nuk ka qenë e domosdoshme të shtrohet kjo çështje, por tashmë kjo çështje duhet të shtrohet në kontekst të fushatës zgjedhore, pra në kontekst të debatit të drejtpërdrejtë me votuesit. Kjo do të thotë se nëse gjatë debatit politik pozitë - opozitë, çështja e moralitetit politik të shumicës kuvendore ka qenë çështje e moralitetit të mënyrës së qeverisjes, kurse moraliteti politik i pakicës kuvendore ka qenë çështje e moralitetit të qëndrimit që ka mbajtur ndaj mënyrës së qeverisjes së shumicës kuvendore, tashmë kur debati ka zbritur në nivel të ballafaqimit me qytetarët, kjo çështje nuk është më thjesht çështje e temperamenteve karakterologjike, as vetëm çështje e aftësisë oratorike të njërit politikan apo të tjetrit, por është çështje e një debati që do të shtyjë qytetarët të nxjerrin konkluzionet vlerësuese, por edhe të besimit ndaj palëve. Me fjalë të tjera, nëse deri më parë shumica kuvendore ishte në fazën e veprimit praktik në funksion të realizimit të programit qeverisës, e që i kishte vështirësitë e veta, e së këndejmi ishte në fazën e bërjes së punëve, kurse pakica kuvendore ishte në fazën e oponencës së mënyrës së qeverisjes së shumicës kuvendore, kur edhe kishte mundësi më të mëdha për të qenë e besueshme në oponencën që ia bënte qeverisë, tashmë, të dyja palët janë në pozita kur duhet të sqarojnë qytetarët qoftë për mënyrën e qeverisjes, qoftë për mënyrën e oponencës së qeverisjes. Dhe derisa më parë, moraliteti politik, së paku teorikisht do të duhej t’i jepte epërsi opozitës, pasi që ishte pjesa kontrolluese e pushtetit, në këtë fazë pesha e tij bie më shumë mbi opozitën. Thashë së paku teorikisht, pasi që në praktikë, gjatë tërë këtyre tetë viteve, moraliteti politik i opozitës ka qenë moralitet destruktiv, ka qenë hipokrit dhe me plot mashtrime dhe gënjeshtra. Po qe se kihet parasysh fakti se qëndrimet politike, por edhe aksionet politike, opozita e majtë i mbështeste në teorinë e saj eskatologjike, pra të kijametit që vendit i kishte ardhur nga keqqeverisja e Saliut, ajo tashmë ka dalë para qytetarëve me një grumbull fjalimesh politike, në të cilat janë të gjitha të mirat, realizimi i të cilave do të kërkonte një vend me një gjendje shumë të mirë ekonomike, e jo në gjendje kijameti, siç thoshte ajo. Në anën tjetër, nëse gjatë të bërit opozitë, e majta shqiptare kishte pasur në thumb të kritikës sektorë të ekonomisë që lidheshin me koncesione dhe me privatizime, tashmë ka bërë koalicion parazgjedhor pikërisht me atë forcë politike që ka menaxhuar me ata sektorë. Ndërkaq, nëse sot në ballafaqim me qytetarët, Edi Rama thirret në emër të një morali komunist për sistemin shëndetësor dhe ngre një grumbull të madh akuzash për sistemin e gjertanishëm të shëndetësisë, ai nuk thotë se edhe me këtë sektor ka menaxhuar pikërisht aleati i saj kryesor në këto zgjedhje. Edi Rama nuk u thotë qytetarëve: shikoni njerëz, është e vërtetë se unë dhe sejmenët e mi e kemi kritikuar qeverinë për privatizimet, koncesionet dhe po e kritikojmë edhe sot për shëndetësinë, me të cilët ka menaxhuar aleati ynë LSI, por ani, se morali ynë politik thotë: të bëjmë gjithçka dhe me gjithsecilin vetëm që Doktori të mos jetë më kryeministër. Po ashtu, Edi Rama nuk u thotë qytetarëve: shikoni njerëz, ne vërtetë i kemi bërë dëm të madh vendit me qëndrimet tona bllokuese, por morali ynë politik thotë: nëse nuk do t’i kishim bllokuar disa ligje, vendi tash do të ishte jo vetëm vend kandidat për në BE, por ndoshta do të mund të niste edhe negociatat për anëtarësim, e Saliu do të thoshte: Ja të dashur qytetarë, për dy mandate qeverisëse, ne arritëm që ta nxjerrim vendin nga bataku ku e kishte futur e majta, dhe e bëmë anëtare të NATO-s, e nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit me BE-në, liberalizuam vizat me BE-në, fituam vendin kandidat dhe jemi në negociata për anëtarësim. O njerëz, të gjitha këto do i bënte Saliu, sikur të mos bllokonim ne, dhe nuk do t’i mbetej tjetër që gjatë këtij mandati që po vjen, vetëm ta anëtarësonte Shqipërinë në BE dhe të hiqte vizat me SHBA-në. Çfarë do na mbeste neve për të bërë? Asgjë fare, vetëm të mbyllemi në Pezë dhe të vëmë kujën. Jo, Edi Rama nuk thotë asgjë prej tyre, sepse po të thoshte kështu, do të nxirrte zbuluar moralitetin e prishur të tij dhe të të majtës shqiptare në përgjithësi, sepse në këtë mënyrë do të dilte zbuluar edhe qëllimi i vërtetë i politikës destruktive të së majtës shqiptare në përgjithësi: pengimi i qeverisë për të realizuar interesat strategjikë të vendit, siç është integrimi në BE dhe realizimi i sa më shumë investimeve në vend, e që do të thotë më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, më shumë të mira për qytetarët. Dhe është e vërtetë se po të mos bllokonte, po të mos pengonte opozita e majtë shqiptare, statusi i vendit kandidat do të mund të merrej qysh para dy-tre vitesh, e deri më tash do të hapeshin edhe negociatat për anëtarësim të plotë, kurse gjatë katër viteve të ardhshme, shteti shqiptar do të mund të anëtarësohej plotësisht në BE.
Në anën tjetër, moraliteti politik i shumicës kuvendore dallon qartësisht nga morali politk i opozitës së majtë, pasi që në planin qeverisës, ka arritur të realizojë investime që nuk janë parë më parë, janë krijuar lehtësira të mëdha për biznesin dhe për investitorët e huaj që nuk janë parë më parë, që ka institucionalizuar kompromisin politik dhe ka realzuar të gjitha proceset integrative që janë varur nga ajo. Gjatë këtyre tetë vjetëve, është vënë re se shumica kuvendore është munduar maksimalisht të jetë në përputhje me porgramin zgjedhor të paraqitur para zgjedhësve në të gjitha zgjedhjet që nga 2005 e këndej, sepse ato sektorë që i kishte trajtuar si strategjikë dhe të rëndësisë parësore, ato i ka mbajtur mirë. Në anën tjetër, është hera e parë që një qeveri shqiptare ia ka lënë mundësinë që për të gjitha ligjet dhe aktet tjera me rëndësi strategjike, dhe që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend, të propozohen nga opozita, kurse shumica vetëm do i votojë. Një aspekt tjetër, që shumicën kuvendore e bën që moralisht dhe politikisht të jetë më mirë se opozita, është edhe fakti se shumica kuvendore kurrë nuk ka mohuar problemet, kurrë nuk ka mohuar gabimet, kurrë nuk ka mohuar vështirësitë. Asnjë qeveri e majtë, por as tash opozita e majtë kurrë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë reflektim dhe pranim të gabimeve të saja, qoftë me sjelljen politike, qoftë me bllokimet, por më parë edhe me keqqeverisjen reale që kanë bërë.
Dhe krejt në fund, edhe pse kjo çështje është shumë më e gjerë se kaq, por në vetëdije të plotë se një artikull gazete nuk mund të jetë një autobus që të të japë hapësirën dhe kohën e paanë, dhe të shkruash sa të duash, duhet thënë se moraliteti politik i shumicës kuvendore, është shumë më i mirë, pakrahasimisht më i mirë, edhe në mënyrën e të bërit fushatë: derisa Edi Rama ka vite, jo vetëm tash, që gjesdis nëpër qytete shqiptare që nxin, rren dhe mashtron, e që po e vazhdon edhe tash, e djathta në krye me Sali Berishën, po merret me dëgjimin e shqetësimeve dhe interesave të qytetarëve, po paraqet ato që ka bërë, si ato që janë bërë mirë, si ato që kanë mundur të bëhen më mirë, po tregon se çka do të bëjë gjatë mandatit të ardhshëm, duke renditur projekte dhe angazhime konkrete, e majta shqiptare në krye me Edi Ramën dhe Ilir Metën, po mbajnë fjalime të bukura, fjalime agresive dhe po kërcënojnë poshtë e lartë.
Është e qartë: moraliteti i shumicës kuvendore në krye me Sali Berishën bazohet në interesat e qytetarëve, të shtetit dhe të kombit, moraliteti politik i së majtës bazohet në një qëllim të vërtetë: Doktori të mos jetë më kryeministër...