Meta: LSI fushatë më vete, jo me PS
Ftesës së kreut të LSI-së, Ilir Meta për mbledhjen e Parlamentit me qëllim votimin e 3 ligjeve , kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur në një hark të shkurtër kohor, nga Kukësit. Nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka apeluar edhe njëherë për miratimin e tre ligjeve të integrimit, duke u shprehur se opozita është e gatshme t’i votojë ato me qëllim që të hyjnë në fuqi në muajin shtator, me formimin e Parlamentit të ri.
Ndërkohë kreu i LSI-së deklaroi gjithashtu se do të zhvillojë fushatë me vete dhe jo me PS-në. Kontradiktë mes PS-së dhe LSI-së ka edhe lidhur me taksën progresive. Secila forcë politike e sheh zbatimin e saj në mënyra dhe rrugë të ndryshme.
Z. Meta, meqenëse nesër nis zyrtarisht fushata elektorale, në tubimet elektorale do t’ju shikojmë bashkë me z. Rama apo veç e veç?
Jemi 37 parti në koalicion dhe ju kuptoni se në rast se do të dalim të 37-a së bashku nuk është një mënyrë shumë efikase për realizimin e fushatës elektorale dhe maksimizimin e gjithë objektivave të opozitës. Kështu që do të na shikoni sipas rastit, por gjithmonë në çdo rast, të gjithë në funksion të një objektivi të përbashkët, të arritjes së një fitoreje plebishitare. Dhe kur flas për rëndësinë e arritjes së 80 mandateve këtu nuk kam parasysh thjesht një fitore të thellë, por krijimin e një mazhorance solide për të nesërmen pas zgjedhjeve, e cila të ketë të gjitha mundësitë të realizojë ato reforma që kërkon gjallërimi i situatës ekonomike në vend dhe njëkohësisht hapja vendeve të reja të punës, që është kërkesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë, që është pritshmëria ma e madhe e tyre dhe që është angazhimi ynë më i rëndësishëm.
A do të jeni i pranishëm sot pasdite në çeljen e fushatës së Partisë Socialiste, kur kemi parasysh se ju keni edhe z. Spartak Braho në listën e PS-së për Qarkun e Tiranës?
Z. Braho na përfaqëson gjithmonë në mënyrën më të denjë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë për një kohë të gjatë.
Z. Meta, si ju ashtu edhe z. Rama jeni kujdesur herë pas here që të tregoni se koalicioni juaj është shumë kompakt, është shumë solid, ndërkohë që të forcat programin ekonomik e keni si pikën kyçe të kësaj fushate. Vazhdoni të keni të njëjtin qëndrim përsa i përket taksës progresive, të cilën e keni sulmuar kur ishit pjesë e mazhorancës?
Lidhur me programin ekonomik të LSI-së mund t’iu them se i gjithë boshti kryesor, i gjithë thelbi i këtij programi, i gjithë prioriteti i këtij programi, e gjithë busulla e këtij programi është vetëm në funksion të punësimit. Duke filluar që nga arsimimi në funksion të tregut të punës, duke filluar që nga ndryshimi i modelit ekonomik të vendit, i cili duhet të jetë në funksion të rritjes së prodhimit, në funksion të rritjes së eksporteve dhe në funksion të garantimit të një punësimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë, ashtu edhe politikat fiskale, të cilat duhet të jenë në funksion të rritjes së punësimit. Ne jemi të hapur për të diskutuar gjithçka e cila ndihmon në rritjen e vendeve të reja të punës.
A mund ta bëjë taksa progresive një gjë të tillë?
E theksoj edhe një herë tjetër, gjithçka që është në funksion të rritjes së punësimit, edhe PS-ja këtë ka paraqitur si angazhim kryesor, absolutisht që jemi të hapur për çdo bashkëpunim në këtë drejtim.
Z. Meta, ka pasur një deklarim ditën e djeshme nga znj. Bregu, e cila ka deklaruar se dyshja Rama-Meta është duke luajtur blofin me tre ligjet e integrimit. Cili është komenti juaj?
Ju patët fatin që t’i jepnin opinionit publik përgjigjen shumë të qartë dhe pa ekuivoke të z. Rama për znj. Bregu dhe për z. Kodra siç u shpreh ai, kështu që unë mendoj se gjërat janë të qarta. Opozita është e gatshme t’i votojë tre ligjet me kompromisin që ato të hyjnë në fuqi në shtator. Çfarë pazari ka këtu? Ky është një kompromis në të mirë të Shqipërisë, ky është një kompromis edhe në të mirë të Doktorit, po t’i referohemi faktit se ai shprehet i bindur në fitore. Atëherë i merr tre ligjet tani dhe i zbaton në shtator. Ne nuk e kuptojmë përse po vonohet për konkretizimin e këtij hapi madhor për perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë. Këtu kemi të bëjmë me një kompromis, këtu nuk kemi të bëjë me asnjë lloj pazari dhe as me lojë fjalësh. Lojërat e fjalëve vijnë nga ana tjetër, se mesa duket ata shpresojnë dhe dëshirojnë që ato tre ligje të mos votohen për të vazhduar atë retorikën boshe të akuzave për vonesën e këtij procesi dhe për t’ia faturuar opozitës. Ndërkohë që ata që do të fitojnë duke miratuar këto tre ligje janë të gjithë qytetarët shqiptarë, është kredibiliteti i Shqipërisë në raport më partnerët tanë evropianë dhe amerikane.
Gjatë takimeve elektorale, z. Berisha ka pranuar kushtin që këto tre ligje të hyjnë në fuqi në muajin shtator. Cila është arsyeja e mungesës së kompromisit? A keni komunikuar ju me Kryeministrin?
Në rast se opozita do të kishte parlamentin ajo do të kishte nisur menjëherë procedurën zyrtare për miratimin e këtyre tre akteve në parlament në reflektim edhe të kompromisit që paraqitet. Pra që ato të hyjnë në fuqi në shtator me parlamentin e ri, dhe unë shpresoj që mazhoranca e cila ka drejtimin e parlamentit të veprojë proceduralisht dhe të zyrtarizojë rrugën e miratimit të këtyre tre ligjeve. Deklaratat tona janë publike.