E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buka pritet të shtrenjtohet për 10 centë

Prishtinë, 9 gusht – Rendimentet e ulëta të grurit në Kosovë, por edhe në rajon kanë ndikuar që tregtarët dhe importuesit ta shtrëngojnë dorën në çmime të miellit dhe produkteve të tij. Furrtarët kanë nisur negociatat mes vete për ngritjen e çmimit të bukës nga dita e hënë, ndërkaq thonë se buka është dashur të shtrenjtohet qysh para një muaji. Tanimë 100 kilogramë miell kushtojnë rreth 30 euro, ndërsa ky çmim pritet të shtrenjtohet më tutje gjatë muajve në vijim.
Halit Xoxa, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, ka thënë se ngritje të çmimeve të bukës ka nëpër të gjitha shtetet përreth.
“çmimi prej 35 centësh është i kapshëm për xhepin e konsumatorëve nëse shitet buka prej 500 gramëve”, ka thënë Xoxa.
Në vitin 2007, 100 kilogramë miell kanë kushtuar mbi 50 euro.
“Shpresojmë të mos shkojë çmimi sikur më 2007, mbi 50 centë për një kilogram, por nuk mund ta dirigjojmë çmimin për shkak se nuk kemi prodhime tonat”, ka thënë ai.
Sipas tij, çmimet e bukës në Kosovë nuk janë unike, pasi ka shtuar se në regjionin e Gjilanit qe disa muaj buka shitet 30 centë. “Prodhimi i bukës është çështje individuale e furrtarëve, mirëpo, shumë nga furrtarët kanë paralajmëruar shtrenjtim të bukës për shkak të lëvizjes së çmimit të miellit dhe të grurit. Edhe rendimentet e ulëta sivjet mund t’i ngritin çmimet”, ka thënë Xoxa.
Prodhuesit e bukës paralajmërojnë rritje çmimesh edhe gjatë muajve në vijim, pasi stina e sivjetshme nuk ka qenë e mbarë në prodhime.
Për gjendjen jo të volitshme në prodhimin e miellit sivjet në Dukagjin dëshmon edhe rasti i sillosit më të madh në Kosovë.
Hambari i grurit “M & Sillosi” në Xërxë të Rahovecit nuk është mbushur as deri në gjysmë nga gruri i grumbulluar në korre-shirjet e sivjetme. Hambari më i madh i grurit në Rrafshin e Dukagjinit, me kapacitet prej 62 mijë tonësh, është mbushur vetëm me 25 mijë tonë grurë.
Pak grurë ka grumbulluar edhe mulliri tjetër i kësaj komune. Hambarët e mullirit “NPT Vetoni”, në Rahovec, deri tashti nga bujqit ka grumbulluar 160 vagonë grurë.
Sead Shehu,drejtor i fabrikës së miellit “M & Sillosi” në Xërxë, ka thënë se deri tani, sipas planit, nga pikat grumbulluese gjithandej Kosovës pritet të grumbullohen edhe më pak se 5 mijë tonë grurë. As kjo sasi nuk do të jetë e mjaftueshme për kapacitetet ushqyese të Rrafshit të Dukagjinit.
“Cilësia e grurit vendës në këtë verë është shumë e mirë, meqë mesatarja e grurit është e klasës së parë, konkretisht në grupin kualitativ ‘B2’, me hektolitër mesatar 80 dhe me energji mesatare mbi 50”, ka thënë Shehu.
Sipas tij, për çdo 100 kilogramë grurë të dorëzuar, bujqve u takojnë 52 kg miell Tip-500 si dhe 30 kg krunde.
Ali Oruçi, drejtor i Drejtorisë Komunale për Bujqësi, ka thënë se nga 2 600 hektarë sipërfaqe me grurë, me rendimente mesatare prej rreth 4 500 kilogramë për një hektar, llogaritet që bujqit të kenë grumbulluar rreth  11 700 tonë grurë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›