Bukuroshet e Shqipërisë në zyrë

Pasi janë bërë të njohura nga konkurset e bukurisë, televizioni, muzika, sporti e kinematografia, stacioni i radhës për Valbona Selimllarin, Klodiana Shalën, Elvira Diamantin, por edhe më të rejat, si Floriana Garo dhe Greta Koçi.
Ja si i rrëfejnë per "Mapo" eksperiencat në rolet e reja"
Valbona Selimllari, jo vetëm imazh
Pas shkëlqimit me bukurinë e saj si Miss Albania dhe projektet televizive, Valbona Selimllari e nisi punën në zyrat e Deka-s si imazh i produkteve, në vitin 1998. Më pas gjërat do të rridhnin aq spontanisht sa “nisa të jepja dy mendime më shumë, e kështu me radhë, derisa e gjeta veten të brendshme”. Prej vitesh është në krye të një stafi ku diskutohen dhe hidhen ide për reklamat e reja që do të shfaqen, për strategji marketingu, si do të komercializohet një produkt i ri, merret me organizimin e festave e evenimenteve në City Park. Me pak fjalë, bën pak nga të gjitha. “Nëse nuk do të kishte qenë për reklamën, nuk do të isha këtu. Biznesi nuk hyn fare në prirjet e mia”. Nuk është tipikja grua lider. Por ama nxjerr në pah një grua të fortë, që di se ç’do e çfarë kërkon nga puna. Është shndërruar në një grua me përvojë, pa frikën të marrë përsipër detyra e poste (megjithëse nuk ka një rol të përcaktuar apo një titull të kufizuar, dora e saj ndihet pothuajse kudo në kompaninë Deka) e të përftojë rezultate të suksesshme. Valbona Selimllari e ka shfaqur fuqinë e saj. Ama nuk ka synuar ndonjëherë t’i lërë të gjitha për t’iu bindur rregullave të një zyre, një pune që do e mbante mbërthyer vetëm aty. “Asnjë punë zyre nuk do më ndalte”, tregon ajo. E vërtet nuk e ka ndalur dhe nuk e ka ndarë nga dashuria e saj e madhe, televizioni, ku me shumë përkushtim realizon projektin “Nga e para”. Në termat e markës së saj ka ndryshuar gjithçka: E ktheu ikonën e bukurisë në një grua me vlera, personalitet, e cila nuk i trembet asnjë eksperience të re. Valbona Selimllari është triumfi i pushtetit dhe ka mësuar si ta përdorë më mirë për role të rëndësishme.
Klodi jashtë piste
Tre vite më parë Klodiana Shala do të zbathte këpucët e vrapit dhe tutat sportive, e do të vishte këpucë me taka të larta dhe kostume elegante. Kjo për t’iu përshtatur detyrës më të re që i caktuan, si drejtoresha e Agjencisë së shërbimit të sporteve. Por fundja kur bëhet fjalë për menaxhimin e një Agjencie që ka lidhje me sportin kush më mirë se një sportiste si Klodiana Shala do ta bënte?! “Ka qenë gjithnjë dëshira ime të pozicionohem në një post që të kishte lidhje me sportet. Doja të vazhdoja t’i shërbeja po sportit. Për më tepër, ndihem mirë sepse jam në të njëjtat ambiente” – është shprehur Klodi, kur kishte vetëm pak muaj që ishte emëruar në këtë post. Por ato ditët e para kur e kishte të vështirë të ambientohej me zyrën, ia kanë lënë vendin eksperiencës së fituar në këto vite. Agjencia është në shërbim dhe ka në varësi të gjitha federatat e sportit. Ka për detyrë mbështetjen e aktivitetit të federatave sportive dhe ofrimin e shërbimeve logjistike për to. Të gjitha federatat sportive tanimë janë në duart jo vetëm të një atleteje, por të një gruaje të bukur, me sharm, elegante, e cila mbi të gjitha dëshiron t’i sjellë pak prekje femërore gjithçkaje që bën.
Nga sheshxhirimi në arkivat e filmit
Në fillim të 2010-ës, kur Elvira Diamantin e emëruan drejtoreshë pranë Arkivit të Filmit, nuk çuditi më askënd. Ishte tashmë e vërtetueshme se një aktore mund të funksionojë shumë mirë dhe brenda mureve të një zyre. Do të dukej qartë që në ditët e para të emërimit si drejtoresha e Arkivit të Filmit, se Elvira Diamanti ishte një drejtuese e sprovuar. Nëse në fillimet e saj si drejtoreshë e Teatrit të Kukullave i shmangte sa e si të mundej intervistat e daljet publike, këtë herë derën e kishte të hapur për çdo kureshtar. Daljet mediatike ishin të shumta që në krye të marrjes së detyrës, si për të treguar pa drojë se ishte e gatshme për një sfidë të re. Pra, për një tjetër kapërcim të madh në karrierën e saj, që gjithsesi këtë herë është shumë më afër të shkuarës së saj, filmit. “Është përgjegjësi e madhe të kesh në zotërim për të menaxhuar, për të ruajtur, e mbi të gjitha për të promovuar një material filmik, që është pasuri kombëtare dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtohet. Në të gjitha drejtimet e tjera është një punë shumë e bukur dhe unë po përpiqem të jap maksimumin tim”, – është shprehur ajo në media.
Elvira duket po aq e zonja në postin e saj, si në kohët kur vetëm luante filma.
Drejtoreshë Greta
Lajmi se këngëtarja Greta Koçi u emërua drejtoreshë në Ministrinë e Brendshme u përhap me shpejtësi të madhe në media dhe rrjete sociale. Pas kësaj gëluan komentet, shpesh edhe negative, apo së paku qesëndisëse. Një moshë e re dhe aspak eksperiencë për një post si drejtore në Drejtorinë e Marrëveshjeve, në Ministrinë e Brendshme. Me gjithë gojët e liga që nisën ta quanin “drejtoresha 16-vjeçare”, Greta Koçi nisi të qarkullojë fotografi e veshur me kostume serioze dhe e rehatuar në zyrën e saj. Greta i ka marrë seriozisht çështjet e politikës, qëkur u angazhua si nënkryetare e Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe iu caktua një zyrë në selinë e PD-së, si pjesë e strukturave drejtuese. Thuhet se ajo ndërmori edhe një tur të gjatë takimesh nëpër Shqipëri, për t’u njohur me të rinjtë demokratë. Nuk e dimë nëse ka hequr dorë nga karriera e saj si këngëtare, apo nëse do të shfaqet në koncertet e organizuara nga PD në fushatën elektorale, por duket se ajo po i përkushtohet shumë dhe ka plot ambicie për karrierën e re. Greta është diplomuar për Shkenca Politike dhe po përflitet si kandidaturë e mundshme në zgjedhjet e 23 qershorit në listat e Partisë Demokratike. Ndoshta kjo do të jetë çudia më e madhe!
Edhe Floriana e provoi
Duket se Miss-et rrinë mirë brenda një zyre. Edhe bukuroshja e “Miss World Albania 2012”, Floriana Garo, pasi u bë e famshme dhe e dashur për publikun nga televizioni, e provoi të kishte një post drejtues, si drejtoreshë e Marrëdhënieve me jashtë në Akademinë e Shkencave. “Oferta m’u bë nga kryetari i Akademisë, i cili ishte pjesëmarrës në një aktivitet akademik që unë prezantoja. Pasi konsideroi aftësitë e mia të komunikimit, të gjuhës angleze dhe shkollimin tim në Amerikë, ai më ofroi këtë vend të shkëlqyer pune, i cili për momentin ishte i hapur”- është shprehur Floriana, e cila me siguri i ka dhënë shkëlqim mjediseve disi të zymta të Akademisë së Shkencave. Megjithëse puna ishte afatshkurtër, deri në fund të vitit 2012, Floriana ia arriti të përshtatej më së miri me mjediset e zyrës dhe axhendën e një drejtoreshe. Duket që Akademia e ka vlerësuar si duhet të bukurën. Pas kësaj eksperience të shkurtër, Floriana iu rikthye televizionit, me emisionin “Jo vetëm modë”. /Indeksonline/