Bulevardi, socialistët: Basha të tregojë sa kushton projekti
Grupi i këshilltarëve socialistë në bashkinë e Tiranës kanë reaguar sot pas shpalljes së studios fituese për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Në një deklaratë për shtyp, grupi i këshilltarëve socialist ka kërkuar nga kryebashkiaku Basha të bëjë publike shpenzimet e projektit.
“Basha t`ju thotë qytetarëve sa milion euro ka çuar dëm në këto 10 muaj në krye të bashkisë dhe sa milion euro ju kushton qytetarëve maketi i tij i sotëm. Sa e shkatërrojnë ekuilibrin social dhe mjedisor të Tiranës kullat që ai ka programuar të ngrejë në maketin e tij” thuhet në deklaratë.
Sipas këshilltarëve socialistë, qytetarët kanë nevojë për transparencën e munguar nga bashkia e Tiranës. “Qytetarët kanë dëgjuar vetëm të pavërteta në këto muaj ndërsa e ardhmja e tyre vazhdon të rrezikohet nga mashtrimi publik me makete, me miliona euro të çuara dëm si në rastin e sheshit Skënderbej, me taksat që do uleshin por që u dyfishuan, me hipoteka që do i gëzonin por qe ende si kanë në dorën e tyre, me planin urbanistik të 2008 që po devijohet e paraqitet si plan i sotëm i Tiranes etj” theksojnë këshilltarët socialistë.