E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulku: Pushimet e mia nga çadrat e ushtrisë në Vilën e Bllokut, Durrës

TIRANE-Pushimet verore janë pjesa më e gëzueshme e një viti. Aktorja e mirënjohur e kinemasë dhe teatrit shqiptar, aktualisht deputete e parlamentit shqiptar, i ka shijuar ato më shumë se kushdo. Madje për habinë e të gjithëve, ajo fare e vogël, në moshën njëvjeçare ka prekur detin dhe ka ndjerë kënaqësinë e rërës. Më tej pushimet nuk do të kishin të ndalur dhe alternativat e tyre vetëm do të pasuroheshin, siç rrëfen ajo vetë; nga kapanonet e ushtrisë, tek çadrat, vila e Bllokut në Durrës dhe më tej thuajse në gjithë bregdetin shqiptar, apo edhe në liqenin e mrekullueshëm të Pogradecit, ku 'Meli' do ta çonte dy herë me xhirime, qëndrime që do ta mbanin mbi dy muaj në atë vend të mrekullueshëm, madje edhe kur ishte një nënë e re me një fëmijë 3-muajsh.
Zonja Bulku, kur keni qenë për herë të parë në plazh?
Kam qenë aq herët, aq sa unë nuk e mbaj mend. Prindërit e mi më kanë treguar që në Kavajë ka qenë një plazh shumë i bukur dhe jo i populluar, atëherë të paktën. Ka qenë një zonë ushtarake dhe kishte të drejtë komandanti apo dikush tjetër ushtarak të merrte dhe familjen. Dhe në atë kohë, ato kanë qenë pushimet tona më të bukura familjare. Unë kam qenë e vogël, një vjeç, por mami më tregon që plazhi ka qenë shumë i bukur, kalonim shumë mirë atje.
Më pas, cilat janë pushimet që kujtoni?
Pushimet e para nuk kam qenë me familjen time. Duke qenë se babi ishte i transferuar jashtë Tirane, në Gjirokastër me punë, unë kam bërë shumë pushime në jetën time me gjyshen nga ana e babit dhe kanë qenë njerëz të apasionuar pas detit, nuk kishte verë që të mos shkonin me pushime; do gjenin një dhomë në Durrës, një kabinë, herë tek Hekurudha, herë tek 'Teuta', herë tek 'Iliria' për të shkuar. Kam bërë shumë pushime në të vërtetë. Kam qenë shumë e lidhur me xhaxhallarët, hallat dhe unë asnjëherë nuk mungoja në pushimet e tyre sepse babai im, siç e thashë, gjithmonë ka qenë në gatishmëri për shkak të punës së tij si gjithë ushtarakët dhe arriti një moment që ai nuk merrte më leje në verë. Këtë verë ishte një problem, verën tjetër një "armik", ndonjëherë ndonjë alarm fals dhe asnjëherë nuk bënim pushime. Dhe pushimet nuk kanë qenë pushime të mirëfillta, pasi gjithmonë babi ishte diku me qitje me punë dhe me këtë rast merrte dhe familjen, ky lloj pushimi ka qenë. Kam shkuar gjithashtu edhe me dajat e mi, të cilët më merrnin në plazh dhe pushimet e mia kanë qenë shumë gazmore, pasi kemi pushuar me shumë njerëz e nëse me familjen ishim katër veta, me fisin ishim shumë njerëz dhe i kalonim bukur. Përveç kësaj, të afërmit e mi edhe nga natyra janë njerëz të hareshëm dhe kanë qenë pushime të gëzuara. Mblidheshim në kabina në darkë sidomos, rrinim gjithmonë bashkë, kanë qenë njerëz të shoqërueshëm dhe në moshën tonë ka qenë një mrekulli. Hare, gëzim, luanim në rërë deri pasdite. Kjo periudhë ka zgjatur deri në moshën 14-15 vjeç.
Po pushimet e para si adoleshente me shoqërinë?
Sapo kisha mbaruar vitin e parë gjimnaz dhe për herë të parë me një shoqen time, ajo ishte në vit të tretë, ikëm për pushime në një kamp rinie në Golem dhe kjo ishte disi e veçantë atëherë që iknin dy vajza. Atë verë, për herë të parë kam bërë pushime me shoqërinë me të rinj pa familjen. Në çdo kamp rinie ishte bukur se ishe në një ambient të ri, edhe pse unë nuk kam pasur probleme me familjen, se kam pasur marrëdhënie shumë komode dhe prindërit e mi kanë qenë të çliruar nga paragjykimet e kohës. Nuk është se unë ika në një kamp rinie dhe u ndjeva e lirë, por sigurisht, ishte një tjetër gjë dhe e bukur. Pastaj ne kemi provuar edhe aksionin, disa gjëra edhe kanë qenë të vështira, por kalohen bukur kur je me brezin tënd.
Përmendët aksionin, si e kujtoni sot?
Atëherë mbase nuk të bënte përshtypje që ne 15 vjeç të punonim në hekurudhë, - të paktën unë nuk do ta lija kurrë fëmijën tim ta largoja që në atë moshë për të punuar. Puna ka qenë jashtëzakonisht e lodhshme, fëmijë që mbanim karroca me gurë, shtronim trase për hekurudhën Fier-Ballsh, por sigurisht që kalon se je shumë e re dhe nuk i mëshon vuajtjes dhe lodhjes, por i mëshon mobilizimit, shoqërisë dhe gjithashtu bëheshin mbrëmje, humor, kështu që gjërat nuk i shikonim me sy pesimist. Unë kam pasur shoqëri që shkonte në Lukovë, ku përveç punës bënin edhe plazh e hera-herës edhe vjedhurazi. Kanë qenë të mrekullueshme ato pjesët e pushimit, kështu që pjesa e punës harrohet. Dhe lodhjes e vuajtjes nuk i mëshonte njeri. Kur i kujton sot edhe nuk i beson, por kështu ishte në fakt.
Le të kthehemi tek plazhi, cilat ishin aktivitetet që organizoheshin gjatë pushimeve?
Nuk mund të thuash se kishte fusha minifutbolli, tenisi a basketbolli, ato që ishin, ishin shumë personale, po ama unë mbaj mend që ne luanim burra dhe gra futboll në breg të detit pasditeve. Mbaj mend që edhe ne na fusnin në lojë, ose mungonte ndonjë portier, ose për të bërë numrin, dhe kështu koha kalonte me pushime shumë të gëzueshme. Unë them se pushimet e bukura m'i kanë bërë edhe njerëzit me të cilët kam shkuar. Njëherë kam shkuar me një dajë timin, njëherë tek 'Hekurudhat', dhe një herë me çadra. Mund të them pa frikë se ato çadrat kanë qenë një mrekulli. Nuk mund të them se çfarë ndjente një grua për ujin dhe banjën, por për ne ishte shumë e gëzueshme dhe nga ato dy javë merrnim maksimumin prej atyre pushimeve. Në darkë mblidheshim në çadër, daja im ka pasur një mik, i cili këndonte dhe këndohej çdo natë pafund, saqë mund të them se për herë të parë unë aty jam ndjerë e përkëdhelur. Kam qenë 14 vjeç dhe rrija me shumë qejf në shoqërinë e të rriturve (në atë kohë ne quheshim të vogla, se tashmë nuk quhet e vogël një 14-vjeçare) dhe kishim një vend modest aty dhe për herë të parë unë kam dëgjuar që këndoheshin kënga "Syçka si ato të tuat", ose kënga "Isha gocë 14-vjeçare", që më përkisnin pak si tekst dhe si moshë, apo si pamje, dhe unë për herë të parë ndihesha si e llastuar.
Jashtë këtij ambienti familjar, si ju ngacmonin djemtë?
Zakonisht në këto pushimet familjare nuk mund të them se kemi ndjerë ngacmime. Ishe gjithmonë e mbrojtur nga fisi, nga njerëzit me të cilët rrije, ndërsa në kampin e rinisë nuk kam qenë ndonjë vajzë që të bija në sy menjëherë, domethënë që të 'gjuhesha' me herë të parë, ndoshta ka qenë natyra ime, nuk e di. Unë kam ndenjur shumë me shoqërinë dhe pëlqimet kanë qenë në rrethet e tilla që nuk kanë parë vetëm pamjen, por pikërisht kanë pëlqyer ndonjë gjë përtej dy syve të bukur. Ngacmimet kanë qenë shumë miqësore dhe nuk kanë qenë asnjëherë të direkta, të tipit "a ka mundësi një minutë", apo "mund të dalim pak jashtë", gjithmonë kanë qenë komplimente brenda rrethit shoqëror, shumë më të këndshme për t'u bërë ballë, por kjo është sepse edhe ne ishim të rritura në atë mënyrë, të edukuara, e jo vetëm ne, por gjithë opinioni, gjithë mentaliteti dhe jetonim në një mjedis që nëse i kishe ngulitur këshillat e mamasë në kokë, të nderonin.
Cilat kanë qenë për ju pushimet më të bukura?
Kam filluar të shkoj shumë shpejt në Dhërmi, që kur është inauguruar Shtëpia e Pushimit që ka qenë atëherë. Në vitin '87, në mos gaboj, dhe që në atë vit ne kemi pasur një fletë kampi aty, mund të ketë rregulluar bashkëshorti im, që ishte edhe arkitekt në projektin e kampit dhe mund të ketë hyrë me njohje, e kështu nuk iu ndamë Dhërmiut për shumë vite me radhë. Disa herë kemi shkuar në atë kamp, që ishte shumë i mirë, i ri. Dhërmiu nuk është ky që është sot, tani është shumë i bukur për jetën e natës, por i lodhshëm për jetën e ditës. Atëherë ishte një plazh i virgjër dhe i vogël, ne kënaqeshim në det. Ai uji i Dhërmiut është i pakrahasueshëm, fëmijët hidheshin nga shkëmbinjtë etj. Kam bërë pushime familjare në Korfuz dhe kemi qenë gjatë gjithë vijës bregdetare të Korfuzit, pasi kemi qenë me makinë dhe lëviznim, po uji i bregdetit tonë nuk krahasohet me atë të Korfuzit, pavarësisht kushteve dhe hapësirave të argëtimit që të ofron ishulli grek, që nga lojërat ujore e deri tek aktivitetet e mbrëmjes, rrugët me dyqane me punime artizanale etj. Po të lahesh një herë në Jalë e në Dhërmi, edhe sot harron se çfarë është në breg të detit kur ti je në ujë.
Kur keni bërë pushimet e para me bashkëshortin?
U quajta e fejuar në prill të vitit '78 dhe në qershor ishte viti i fundit që familja e bashkëshortit tim bënte pushime në një nga vilat e Bllokut në Durrës. Plazhi ishte shumë i mirë dhe unë për herë të parë kam qenë aty në ato vila. Në atë kohë nuk i kisha bërë 20 vjeç.
Dhe cilat ishin gjërat që ju bënë përshtypje aty?
Mbaj mend që edhe pse ishte vilë, ishin vetëm katër dhomë për tri çifte dhe prindërit e bashkëshortit. Nuk e harroj, vjehrra ime na ka dhënë dhomën e vet për të fjetur, ku ishte krevati matrimonial dhe unë për herë të parë kam fjetur në një krevat matrimonial (qesh).
Ishte një privilegj që të pushoje atje, edhe pse ishte me pagesë, por ne hanim në një mensë, siç quhej atëherë, megjithëse ishte mirëfilli një restorant. Dhe padyshim, për mua që vija nga kabinat dhe çadrat e plazhit, ishte një gjë ndryshe dhe që më bënte jo pak efekt, aq më tepër që aty nuk të duhet të gatuaje vetë, siç edhe ishim mësuar. Dhe në atë kohë ishte komode të mos gatuaje në plazh.
Kishte personazhe të njohur aty?
Aty në breg të detit padyshim që shikoje ndonjë personazh të kohës, që mund të ecte madje edhe me ndonjë veshje ekstravagante, siç ishte ndonjë fustan i gjatë veror, ose mund të shikoje ndonjë me pantallona xhins. Nuk e harroj një rast kur Marjeta, bashkëshortja në atë kohë e Bashkim Shehut, e cila gjithmonë është veshur dhe mbajtur shumë ekstravagante dhe për kohën shumë e avancuar, kishte veshur një palë xhinse, dhe vjehrra ime sa e takon i thotë: "E tmerrshme, po mua për këto xhinse që do t'ua bëja punëtorëve më hoqi vjehrri yt nga Ministria e Industrisë së Lehtë, se m'i quajtën moderne". Megjithatë, aty siç shihje xhiron e bulevardit në Tiranë, e shihje të transferuar në breg, ku shëtisnin njerëz të veshur bukur, me rroba që u vinin nga jashtë. Megjithatë nuk duhet mohuar që pushimet ne i kemi bërë bukur edhe në çadra, edhe në kabina plazhi. Unë nuk kisha ndonjë mangësi në këtë pikë.
Më pas kemi shkuar disa herë për pushime në kavaleshencë dhe që kanë qenë shumë të organizuara, ishin mensat për të ngrënë. Unë vetë nuk e kam përjetuar këtë pjesën e gatimit në plazh sepse gjithmonë kemi vajtur në kampe në kavaleshencë, ku gatuhej në mensë dhe kjo ishte një komoditet, pasi pushimet me gatime nuk i quaja pushime, ose i kam bërë, por nuk i kam shijuar, sidomos kur kam pasur fëmijët e vegjël që dilnin në det me tim shoq dhe unë gatuaja. Megjithatë, kjo ka qenë vetëm në fillim.
Vetë e kini nisur plazhin që në moshën 1 vjeç, po fëmijët kur i keni çuar për herë të parë?
E çuditshme, por më se e vërtetë. Unë fëmijën e parë, djalin, e kam çuar që tre muajsh në plazh. E kam çuar në Pogradec. Kisha lindur në prill dhe në qershor më vjen regjisori Pirro Milkani dhe më thotë se do të xhirohej "Shoqja nga fshati". Unë i them që gjeni një tjetër, një dublante, pasi e kisha fëmijën shumë të vogël, e kështu nuk mund të vija dot dhe Pirro më thotë që "në Pogradec do kënaqesh, është klimë shumë e mirë dhe për djalin do të gjejmë një shtëpi shumë të mirë", dhe kështu shkoi. Kishte një logjikë, xhirimi do të bëhej dhe u bë. Unë isha një nënë e re, me një bebe të vogël dhe më ndihmonin, skenat ku do të hyja i gjeja gjithmonë gati, pasi unë çdo 2-3 orë duhet t'i jepja djalit qumësht për të pirë. Fillimisht ndenja në një familje, më pas lëviza në një nga ato kavaleshencat që ishin atje. Unë ndenja 2 muaj për xhirime, kështu që vinin me radhë vjehrra ime, mamaja, burri im, që më mbanin djalin e njëherazi bënin dhe plazh. Tek "Shoqja nga fshati" nuk e kam ndjerë pjesëmarrjen e xhirimit, por fakt është që im bir, për shkak të punës sime e ka nisur shumë herët plazhin.
Ka ndodhur herë tjetër që gjatë xhirimeve të bënit edhe plazh?
Kur kam xhiruar filmin "Kërcënimi", po kështu ka ndodhur. Xhirimet janë bërë në Vlorë dhe aty kemi pasur kushte tërësisht të tjera. Kemi jetuar në konviktin e shkollës tregtare, vetëm familja jonë, ku nuk flinim në krevat, por kishim marrë dyshekët dhe i kemi vënë një mbi një dhe kemi sajuar krevate komodë (qesh).
Njeriu përpiqet që në mjedisin ku është, të bëjë më të mirën për të kaluar mirë, pa iu mëshuar kushteve 'o bo bo ku jemi këtu'. Edhe këtu po e njëjta gjë, më vinin të afërmit që mbanin djalin, i cili ishte një vjeç në atë kohë. Mbaj mend që atje na kanë ardhur dhe dy miqtë tanë, të cilët jetonin në kampin e punëtorëve mbi shkollën tregtare. Kur panë ku jetonim ne që kishim sajuar ato krevate, pasi nuk siguruan dot hotel dhe kishin rregulluar një konvikt të tërë për ne, ata thoshin, 'po qenka më qejf këtu tek ju'. Dhe sot e kësaj dite e kujtojmë me humor atë kohë. Kështu që në mes të asaj kohe ne kemi bërë gjëra të mira, diku në një kamp të ri, diku me këto vështirësira, megjithatë them që njeriu kur do të gëzojë, gëzon, nuk vuan.
Pra edhe në atë kohë plazhi bëhej bukur...
Plazhi në atë kohë në Durrës ka qenë shumë i bukur, atje ishin trupat më të bukur, fytyrat më të njohura. Unë nuk i kam arritur shumë sepse në kohën e gjimnazit fillova të xhiroja filma; "Zonja nga qyteti" është xhiruar në periudhë plazhi, gjatë gjithë verës kam qenë me xhirime, madje gjatë xhirimeve në gusht kam festuar edhe 17-vjetorin tim, ku kam qenë 2 muaj e gjysmë me xhirime në Pogradec. Kështu që shumë shpejt kapa dhe gjëra të veçanta në jetë. E kam filluar me çadrat e ushtrisë e kapanonet ushtarake, për të vazhduar në kabina e deri në hotele. Madje mbaj mend që njëherë shkoja nga Tirana në Cërrik dhe do kaloja në Divjakë, tek babi që ishte në qitje. Kam qenë shumë e vogël për t'i përjetuar ndryshe apo në mënyrë më femërore disa gjëra, por megjithatë ka qenë të veçanta dhe unë kam ndenjur dy net në çadra dhe të gjithë thoshin, 'vajza e komandantit' dhe të gjithë përpiqeshin të më bënin qejfin kush të sillte ujë, kush diçka tjetër, gjithë vëmendjen në dispozicion dhe silleshin gjithë xhentilesë një tufë ushtarësh.
I kujtoni me nostalgji sot?
Unë i kam provuar të gjitha, nga kapanonet e rrethuara nga ushtarakë me uniforma, pastaj në çadra e ndonjë dhomë hoteli dhe nëse do të krahasohen, asnjë gjë nuk krahasohet me pushimet që bëhen gjatë punës me një film. Vitet '90 erdhën pikërisht në kohën kur fëmijët u rritën dhe kërkonin kushte më komode dhe hapësira të reja. Filluan restorantet, filluan të dilnin jashtë, të preknin Turqinë, dhe ne kemi ikur shumë herët në Turqi. Madje gëzoja që shyqyr për këtë vend nuk kemi viza dhe ky ishte gëzimi im i parë, që ne si shqiptarë kemi prekur një vend me kushte të mira dhe që është i bukur e me një turizëm të mirë, e që është vërtet privilegj ta shijosh.
Po këtë vit keni pushuar?
Këtë verë nuk kam bërë pushime, përveç fundjavave. Në fakt, vitet e fundit më kanë shijuar më shumë fundjavat sesa një grumbull ditësh pushimi të tejzgjatura. Megjithatë, kam dy vjet që nuk kam bërë pushime të gjata. Sivjet kam lëvizur dy herë në Sarandë, kam ndaluar dhe në Jalë, fatmirësisht dhe rruga ishte bërë e mrekullueshme dhe jam lumturuar nga kollajllëku për të shkuar në atë plazh të mrekullueshëm dhe nuk e di a do ta prek dhe këto ditë që kanë mbetur detin Jon.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›