E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delegacioni në OKB, si (s)duhet të jetë

Në shtator 2010 një delegacion i lartë i shtetit shqiptar do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Delegacioni kryesohet nga kryetari i shtetit (Presidenti) dhe pjesë e tij janë edhe kryeministri, ministri i Jashtëm, etj. Si edhe në rastet e tjera të ngjashme (samiti i BE-së në Kroaci dhe Selanik, i NATO-s në Stamboll, Bukuresht e Strasburg, mbledhjet vjetore të OKB-së, etj) edhe ketë herë përbërja e delegacionit zgjoi më shumë debat publik sesa qëllimet e përfaqësimit të tij. Në prej autorëve më aktiv në media shkroi një shkrim shumë kritik, madje akuzues për metodën e përfaqësimit dhe kryesisht për raportet President - kryeministër, duke këshilluar që në raste të tilla të rëndësishme e drejta e përfaqësimit është e kryeministrit. Sipas tij dhe mendoj edhe sipas një pjese të opinionit publik, Presidenti ka rol honorifik kurse kryeministri ka rol thelbësor në politikën e jashtme.
Natyrisht vlen të përgëzohen nisma të tilla që nxisin një debat publik e profesional mbi shtetin, simbolet e shtetit, institucionet e shtetit, përfaqësimin dhe imazhin e tij në raport me vende ose organizata partnere. Opinioni kritik mbi përfaqësimin presidencial mbi atë kryeministror përbën një këndvështrim të nxitur sidomos nga perceptime personale, aktualitete dhe praktikat politike në Shqipërinë e tranzicionit. Jashtë këtyre emocioneve e këndvështrimeve ditore mendoj se një analizë E detajuar dhe thelbësore e kësaj problematike duhet bazuar në leximin e duhur të Kushtetutës, legjislacionit në fuqi dhe praktikave diplomatike ndërkombëtare.
Kushtetuta e Shqipërisë (1998) në nenin 86 përcakton se "Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit". Natyrisht që kryetari i shtetit nuk është post që përfaqësohet apo delegohet nga funksionarë të tjerë; ai është institucion nominal, është Presidenti i Republikës. Kushtetuta, gjithashtu jep përcaktime edhe për Kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, etj drejtues të pushteteve të tjera, por në asnjë rast tjetër nuk përmendet cilësimi i lartë që i bëhet Presidentit. Ky lexim i kushtetutës e sanksionon dhe e miraton të drejtën ekskluzive të kryetarit të shtetit të përfaqësojë shtetin, p.sh, në OKB.
Ligji mbi shërbimin e jashtëm në RSH (2005), (neni 12) i njeh të drejtën Protokollit të Shtetit të organizojë dhe realizojë veprimtarinë protokollare të Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme "brenda dhe jashtë vendit", në rastin konkret edhe në vizitën në OKB. Ligji tjetër mbi ceremonialin zyrtar në RSH(2004)rithekson se "Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit në Shqipëri, që është shprehje e unitetit të popullit. Ushtrimi i mandatit të tij shoqërohet gjatë gjithë periudhës nga një ceremonial i veçantë për të gjitha aspektet zyrtare dhe jozyrtare të jetës dhe aktivitetit të tij". Më tej ligji saktëson se protokolli i shtetit "përgatit anën protokollare për vizitat zyrtare jashtë shtetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme. Protokolli i Shtetit, në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike shqiptare dhe me institucionin homolog të shtetit pritës, përpunon programin e vizitës së personaliteteve të mësipërme". Edhe në rastin e vizitës në OKB, asnjë zyrë e shtetit shqiptar nuk nis letra regjistrimi në sekretarinë e OKB-së, por shteti, përmes MPJ-së (Protokollit zyrtar) dhe partnerit (protokollit amerikan dhe atij të OKB-së) bën njoftimin, përgatitjen dhe koordinimin e të gjithë vizitës zyrtare të delegacionit shqiptar. Ligji përcakton edhe praktikën e komunikimit midis MPJ-së dhe institucioneve vendore, p.sh, Presidencës (përmes kabinetit), përbërjen e delegacionit, vendosjen e tij, pritjen dhe përcjelljen, etj.
Pra, Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar nuk lënë dilemë përfaqësimi: kryetari i shtetit është Kryetar Shteti, edhe kur zgjidhet nga një parti, nga shumë parti, me shumicë të thjeshtë apo absolute votash. çdo funksionar tjetër përfshirë kryeministrin, pavarësisht pushtetit politik brenda vendit, në marrëdhënie me shtetet e tjera është qartësisht zë plotësues i kryetarit të shtetit. Praktikat e OKB-së kanë njohur raste të shumta (më 2007 ishin 34 vende, në 2008 ishin 32 vende, në 2009 ishin 24 vende) të delegacioneve me pjesëmarrje President - kryeministër, kjo në varësi nga interesi politik i vendit përkatës. Shqipëria në 2010 shkon aty për të lobuar çështjen e Kosovës, një interes madhor për vendin dhe që kërkon investime madhore. Normalisht që në raste të tilla janë të dobishëm madje të nevojshëm edhe Presidenti, edhe kryeministri, edhe ministri i Jashtëm. Kështu bën edhe Kosova, edhe Maqedonia, edhe Kroacia, edhe Serbia, dhe janë paralajmëruar me përbërje të tillë edhe 25 vende të tjera anëtare të OKB-së. Tjetër gjë është pjesëmarrja e delegacionit tjetër fjalimi në OKB (mund ta mbajë edhe ministri i Jashtëm).
Teza e rolit honorifik të Presidentit është e gabuar edhe në analizën e zhvillimeve politike të brendshme. Kushtetuta përcakton mandatin e presidentit (5 vjet, mbi partitë politike), gjë që nuk e bën për kryeministrin. Mund të ndodhë që kryeministri të ndryshohet çdo vit, kurse Presidenti mbetet në detyrë 5 vjet, si garant i vazhdimësisë dhe funksionimit të shtetit. P.sh, në 20 vite kemi pasur 5 President dhe dyfish kryeministra. Presidenti Meidani, punoi me tre kryeministra të së njëjtës parti, Presidenti Moisiu me tre kryeministra të dy partive të ndryshme, Presidenti Berisha e Topi me një kryeministër të një partie. Edhe formalisht Presidenti nuk interesohet për shfrytëzim politik të vizitës në OKB (sepse nuk bën fushatë, nuk votohet nga qytetarët), kurse kryeministrat janë kryesisht kryetar partish, kanë interesa politike elektorale dhe siç ka ndodhur edhe më parë, investojnë shumë për marketing personal politik edhe në samite të tilla.
Gjithsesi, mendoj se thelbësore në këtë debat nuk është formatimi i delegacionit, por aspekte të tjera: p.sh, nëse protokolli shtetëror funksion si duhet, MPJ-ja është e aftë për nivelin diplomatik të kërkuar, nëse ka pasur përgatitje dhe konsultime pune midis delegacionit, nëse palët kanë teza të njëjta bisedimesh, nëse kanë plan të koordinuar takimesh, nëse ka koordinim edhe me Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë, etj. Kjo po, përbën shqetësim, është interes publik dhe kërkon transparencë, gjë që nuk po ndodh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›