E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgarët: Problem arsimimi i pakicës në Shqipëri

Pas thirrjes për minoritet, krerët e VMRO-së avancojnë kërkesat

Pas “bombës” politike të shpërthyer në Tiranë nga Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku, i cili kërkoi minoritet etnik në Shqipëri, edhe Bullgaria nuk po resht së e trajtuari këtë çështje. Edhe pse jo në kancelaritë e larta qeveritare, qarqet politike të Sofjes, kryesisht të rrymës nacionaliste, vazhdojnë të ngulmojnë për një pakicë etnike në Shqipëri. Madje një drejtues i forcës politike VMRO ka folur për klasa ku do të duhet të mësohet gjuha bullgare. Në një shkrim të saj të ditës së djeshme, agjencia bullgare e lajmeve, “Focus news”, thekson se “bullgarët në Korçë shkojnë në klasat e gjuhës maqedonase që kur ka nisur viti shkollor 2009-2010”. Agjencia bullgare citon zv.kryetarin e VMRO-së, Kostadin Kostadinov. Politikani në fjalë, i cituar nga “Focus News”, thekson se “në vitin e kaluar shkollor, kurset e gjuhës maqedonase u nisën për të parën herë në Korçë dhe u krijua një mjedis i mirë për maqedonizmin në Shqipëri. Në rast se nuk bëjmë asgjë, atëherë bashkëkombësit tanë do të ikin nga Korça në Elbasan ose Tiranë, ku nuk mund ta mësojnë gjuhën”. Kostadinov thekson më tej se qeveria bullgare do të duhet të bëjë më shumë për arsimimin e bullgarëve në Shqipëri, duhet theksuar se nuk është çështje parash, por prioritetesh. Në Korçë banojnë një numër banorësh që flasin gjuhën maqedonase, por si Sofja, ashtu edhe Shkupi, kanë pretendime për t’i quajtur pakicë të tyren (bullgarët, shprehjen “maqedonas” e cilësojnë si pjesë të kombit të tyre).

Kërkesa

Në fund të muajit të shkuar, pikërisht më 25 qershor, lideri i Lëvizjes Kombëtare VMRO-ja bullgare, Krasimir Karakaçanov, ka bërë thirrje për një rol më aktiv të institucioneve shtetërore të Bullgarisë në lidhje me bullgarët në Shqipëri. “Në vitin 2011, në Shqipëri do të realizohet një census dhe roli aktiv është i rëndësishëm, në mënyrë që bullgarët në Shqipëri të mund të identifikohen si bullgarë, jo si maqedonas apo shqiptarë”, i tha Krasimir Karakaçanov agjencisë së lajmeve bullgare “Focus”. Sipas tij, puna e shtetit bullgar në lidhje me këtë popullsi është neglizhuar në 20 vitet e shkuara. Ai thotë se ka paradokse, si për shembull, fakti që bullgarët nga Shqipëria me emra kristianë marrin pasaportë bullgare, ndërsa bullgarët me emra myslimanë nuk mund të pajisen me pasaportë. “Qëkur Shqipëria njohu shtetin e Maqedonisë, qeveria maqedonase në vitet 1991-1992 u mundua t’i identifikonte këta njerëz si maqedonas, duke u dhënë atyre pasaporta, shtetësi maqedonase etj… Kështu që ata mund thonë se ekziston një minoritet maqedonas në Shqipëri. Kjo është një politikë, që i kushton gjithashtu Greqisë, Bulgarisë e kështu me radhë”, tha ai. Edhe pse akuzohet nga Karakaçanov për pasivitet, qeveria bullgare nuk ka ndenjur duarkryq gjatë 20 viteve të fundit në lidhje me ata që prej Sofjes konsiderohen bullgarë të Shqipërisë. Që nga fillimi i viteve ‘90, Ministria e Arsimit e Bullgarisë jep çdo vit bursa studimi për shtetasit shqiptarë me origjinë sllave, që deklarojnë se janë bullgarë. Ky projekt, për vite me radhë i është lënë në dorë pikërisht organizatës VMRO, emri i plotë i së cilës është “Vëtreshna Maokedonska Revolucionna Organizacia” (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase). Por qeveria e Shkupit, për shkak të afërsisë territoriale me popullsitë që pretendohen prej dy shteteve, ka bërë më shumë “rekrutime” ndër sllavët e Shqipërisë, duke ofruar pasaporta, lëvizje të lirë dhe bursa studimi, por edhe duke kryer investime në fshatrat e Gollobordës dhe Liqenasit, ku janë përqendruar më së shumti shqiptarët me origjinë sllave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›