Shembet galeria, minatori mbetet për gjashtë orë i izoluar
Orë të gjata ankthi kanë përjetuar minatorët e Bulqizës, pas aksidentit të ndodhur në njërën prej galerive private në pjesën jugore të minierës, e njohur si “Zona D”. Gjatë punës për nxjerrjen e mineralit në galerinë me nr. 47 të kësaj zone, ka mbetur i bllokuar rreth 100 metra brenda galerisë minatori 39-vjeçar, Zehni Murati. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30 të së shtunës dhe për gati 6 orë minatori ka mbetur i bllokuar në galeri. Vetëm rreth orës 21:00 të mbrëmjes është bërë e mundur nxjerrja shëndoshë e mirë e 39-vjeçarit. Mësohet se shkak i këtij bllokimi ka qenë shembja e galerisë, ku ai po punonte së bashku me shokët e tij për nxjerrjen e mineralit. Ndërkohë që shokët e tij kanë mundur t’i ikin rrezikut të shembjes, 39-vjeçari ka mbetur i bllokuar nga shembja në një skutë të galerisë, duke shpëtuar mrekullisht nga vdekja e sigurt. Menjëherë minatorët e kësaj firme, edhe pse të shokuar, i janë vënë punës për zhbllokimin e galerisë në përpjekje për ta nxjerrë shëndoshë e mirë atë. Ndërkohë ata kanë mundur të komunikojnë me 39-vjeçarin Murati, gjë që u ka dhënë atyre më tepër krah për të punuar për largimin e mineralit, në përpjekje për të nxjerrë shokun e tyre të punës nga nëntoka. Ndërkaq, disa të afërm të 39-vjeçarit kanë shkuar menjëherë në afërsi të minierës, sapo kanë marrë lajmin. Në ndihmë për nxjerrjen e minatorit janë vënë edhe forca e mjete pune të firmave të tjera private fqinje, si dhe forca speciale të RISHM-it të ardhura nga Tirana. Pjesa jugore e minierës ose Zona D është zona më e rrezikshme për punë në të gjithë pellgun krommbajtës të Bulqizës e përcaktuar kështu nga specialistë të Ministrisë së Ekonomisë, por që ende vazhdohet të punohet.
#