E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojaxhi: Në Hamallaj, kur policia të jetë gati

Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje do të vijojë kur situata të jetë më e qetë dhe kur çdo gjë të jetë gati. Drejtori i përgjithshëm i Inspektoratit Ndërtimor, Gjergj Bojaxhi, tha për “Shqip” se aksioni do të nisë kur policia dhe forcat mbështetëse të jenë gati. “Nuk do të tërhiqemi nga plani për prishjen e ndërtimeve pa leje, që shtrihen përgjatë zonës bregdetare të fshatit Hamallaj”, tha Bojaxhi. Në këtë zonë janë ndërtuar lokale dhe hotele në buzë të detit pa marrë lejen e ndërtimit. Sakaq, kryeinspektori sqaron se, institucioni që drejton nuk ka lidhje me çështje të pronësisë, por vetëm me probleme që kanë të bëjnë me ndërtimet pa leje. Aksionet për prishjen e objekteve pa leje kanë nisur që prej dy muajsh, pas hartimit të strategjisë dhe planit të veprimit. Tre janë prioritetet e inspektoratit që lidhen me zonat bregdetare, parqet dhe zonat arkeologjike dhe kurora e Tiranës. Aktualisht, nuk ka një numër të saktë të ndërtimeve pa leje që janë objekt për t’u prishur nga inspektorati, por janë identifikuar zonat ku do të ndërhyhet dhe që nuk kanë lidhje me procesin e legalizimeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›