Bullgari, Çeku në paraburgim edhe për 72 orë të tjera

Prokuroria bullgare do të zgjasë paraburgimin për ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku deri të shtunën, ka bërë të ditur kryeprokurori bullgar, Nikolj Kokinov. Sipas radios shtetërore bullgare, e cila citon deklaratën e prokurorit, pas kalimit të kohës së paraburgimit prej 24 orësh, i cili i ishte përcaktuar të martën, paraburgimi për Agim Çekun do të zgjatet edhe për 72 orë. Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku u arrestua të martën në mbrëmje nga autoritetet bullgare në vendkalimin kufitar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë, i cili është lëshuar në vitin 2002. Zëdhënësi i Partisë Socialdemokrate në Kosove, Gëzim Kasapolli tha se Çeku është arrestuar ndërsa ishte duke udhëtuar për në kryeqytetin bullgar, Sofje, ku ishte i ftuar në një takim zyrtar të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Bullgarisë. Ministria e Brendshme bullgare njoftoi se Agim Çeku u arrestua në Geshevo, kur ai ka hyrë në Bullgari, në bazë të një kërkese të Interpolit. Kryeprokurori bullgar, Nikollaj Kokinov, tha se "Agim Çeku do të mbahet i arrestuar për 72 orë, duke filluar që nga e mërkura". Në Prishtinë, arrestimin e tij në Bullgari e ka konfirmuar edhe Partia Socialdemokrate e Çekut. Ish kryeministri kosovar u arrestua në kufirin ndërmjet Bullgarisë e Maqedonisë, pas fletarrestit të Serbisë më 9 Maj", sqaroi zëdhënësi i kësaj partie, Gëzim Kasapolli. Sipas tij, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, "ishte në Bullgari për bisedime me zëvëndësministrin e Jashtëm të këtij vendi dhe me disa persona të tjerë. Por ndërkaq Sofja, ka hedhur poshtë se zërat se vizita e Çekut ishte e natyrës zyrtare. Sipas urdhërarrestit të Serbisë për krime lufte gjatë luftës së Kosovës, ish-kryeministri Çeku është arrestuar edhe më parë. Së fundi, ai ishte arrestuar në Kolumbi, prej nga u lirua por i'u ndalua hyrja në këtë vend për 10 vjet. Çeku ishte arrestuar edhe herë të tejra, duke përfshirë arrestimin e 2004 në Hungari dhe në Slloveni në 2003. Zëdhënësi i partisë së ish kryeministrit Çeku, Gëzim Kasapolli, thotë se ministria e Jashtme Bullgare është duke bërë përpjekje së bashku me atë të ministrisë së Brendshme që të sqarojnë te Interpoli se fletarresti është i karakterit politik. "Në këtë ngjarje janë angazhuar edhe Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme e Kosovës si dhe autoritet më të larta të vendit", tha zëdhënësi Kasapolli.