E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgari, protesta antiqeveritare

Mijëra protestues janë përleshur me policinë në kryeqytetin bullgar Sofie, kur një marshim anti-qeveritar degradoi në trazira. Dhuna shpërtheu gjatë protestës paqësore përpara parlamentit, kur më shumë se dy mijë persona, përfshirë këtu studentë, fermerë dhe aktivistë ambjentalistë, u shprehën se janë mërzitur në vendin më të varfër dhe të korruptuar të Bashkimit Europian. Protestuesit i kanë kërkuar qeverisë socialiste që ndodhet në krye të vendit që të japë dorëheqjen, pasi sipas tyre, ajo ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe problemeve ekonomike. Disa nga protestuesit bërtisnin "Dorëheqje", ndërsa disa të tjerë "Mafia". Shumë nga demonstruesit hodhën shishe dhe topa bore në drejtim të parlamentit dhe u përleshën me policinë, rreth një orë pas fillimit të protestës. Disa nga protestuesit u plagosën. "Jemi mërzitur duke jetuar në vendin më të varfër dhe më të korruptuar. Kjo është një protestë unike që bashkon popullin në dëshirat e tyre për ndryshim dhe për të jetuar në një vend europian normal", deklaruan në qëndrimin e tyre, organizatorët e protestës. Sipas sondazheve, 70 përqind e bullgarëve kërkojnë dorëheqjen e qeverisë. Vitin e kaluar, BE-ja dënoi Bullgarinë për ngadalësim të reformave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke i mohuar miliona euro ndihma. Ndërkohë që sipas një raporti të vitit të kaluar të 'Transparency International', Bullgaria është vendi më i korruptuar i Bashkimit Europian dhe pas saj rënditet vendi tjetër ballkanik, Rumania.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›