E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO:FSK nis punën në 21 janar

Aleanca Veri - Atlantike ka konfirmuar se puna në krijimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës do nisë më 21 janar. Zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturai, ka deklaruar se Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të pushojnë së funksionuari zyrtarisht më 20 janar, ndërsa menjëherë do të nisë puna në rekrutimin e pjesëtarëve të ri të FSK-së. Sipas Apatuarit, procesi i rekrutimit do bëhet në një bashkëpunim, midis qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it. Zyrtarët e NATO-s janë optimist se i gjithë procesi do të shkojë pa probleme dhe do të realizohet në një afat të shkurtër. Zëdhënësi i NATO-s Apaturai shprehet se në procesin e themelimit, vëmendje të posaçme duhet t'i kushtohet faktit që Forcat e Sigurisë së Kosovës të jenë nën kontrollin demokratik parlamentar. Sipas Aptaurait, ato duhet të jenë shumetnike. Kandidatët e ri për në FSK duhet të plotësojnë kushte të caktuara, ndërsa zyrtarët e Aleancës tërheqin vërejtjen se, pas kualifikimit të nevojshëm, një ndër kushtet do jetë njohja e gjuhëve shqipe dhe serbe sepse, sipas NATO-s, FSK-ja do ketë karakter shumetnik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›