Bullgari, shpërthim në autobuzin me turistë

Nëntë persona kanë humbur jetën dhe 33 janë plagosur pas shpërthimit të një bombe në autobusin me turistë izraelit në aeroportin e Burgasit në Bullgari.
Shpërthimi ndodhi në aeroportin e qytetit Burgas, pranë Detit të Zi ndërsa nga shpërthimi i fuqishëm u dëmtuan edhe dy autobusë të tjerë.
Ministri i jashtëm bullgar Nikolaj Mlladenov tha se shpërthimi u shkaktua nga një bombë e vendosur në një autobus në aeroport. Mlladenov tha se Bullgaria “do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj” për të gjetur autorët.
Ministri i brendshëm bullgar, Cvetan Cvetanov deklaroi se autoritetet po hartojnë listën e të gjithë turistëve izraelit që kishin mbërritur në Aeroportin e Burgasit dhe më pas do të bëhet identifikimi i tyre. Sipas tij, deri tani po shënohet rritja e numrit të viktimave, ndërsa nga 33 të plagosurit të cilët ndodhen në spital, tre prej tyre janë në gjendje kome.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu fajësoi Teheranin për sulmin dhe u zotua se do të ketë një reagim të ashpër. Ministria e Jashtme izraelite konfirmoi të enjten se të paktën 31 izraelitë u plagosën në sulm, ndërsa po bëhej identifikimi i të vdekurve.
Shumë prej viktimave sapo kishin arritur nga një fluturim ngaTel Avivit.
Presidenti amerikan Barak Obama i shprehu Netanjahun ngushëllimet e tij dhe e dënoi shpërthimin si një “sulm barbar terrorist.”