Ne 2012 163 gazetare ne burg
Raporti më i fundit i organizatës “Reporterët pa Kufi” thotë se gjatë vitit 2012 janë futur në burg 163 gazetarë. OKB-ja thotë se çdo vit në botë vriten një numër I madh gazetarësh dhe shumë pak nga autorët e vrasjeve janë nxjerrë para drejtësisë.
Korrespondentja amerikane e luftës Maria Colvin dhe fotoreporteri francez Remi Ochlik u vranë në Siri më 22 shkurt. Ata ishin mes 65 gazetarëve të vrarë në 5 muajt e parë të vitit 2012. Sipas agjencisë zvicerane të lajmeve ATS, kjo shifër është 50 për qind më e lartë se vitin e kaluar. Të paktën 15 prej viktimave humbën jetën në Siri, 7 në Meksikë dhe 6 në Somali.
“Në se i hedhim një vështrim raportit të vitit të kaluar, duket se përsa i përket nivelit të burgosjes, dhe humbjes së jetës së gazetarëve, ndeshemi me një problem tepër serioz”, thuhet ne raport.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve njofton se thuajse gjysma e 179 gazetarëve të burgosur në vitin 2011, ishin blogerë, raportimet e të cilëve publikoheshin në internet.
Zyrtarja e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, i këshillon të 56 vendet anëtare në OSBE që ta ruajnë lirinë e shtypit. Ajo thotë se kjo nganjëherë përfshin evidentimin dhe qortimin e vendeve që nuk i mbajnë premtimet për mbrojtjen e gazetarëve.
Të gjitha agjencitë e OKB-së kanë miratuar një plan veprimi të propozuar nga UNESCO, lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe mbi çështjen e mosndëshkimit. Mënyrat e integrimit dhe mbrojtjes së gazetarëve në programet e zhvillimit do të diskutohet në Nëntor në një takim ndërkombëtar në Vienë.