E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria: Do liberalizojmë vizat

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, dhe homologu i tij bullgar, Ivailo Kalfin, pas një takimi që zhvilluan dje u shprehën për mediat, se kanë rënë dakord që Sofja do të liberalizojë dhënien e vizave për qytetarëve shqiptarë. Zv/kryeministri bullgar që mban edhe postin e shefit të diplomacisë mbërriti dje në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare, gjatë së cilës do të takohet me personalitetet më të larta të shtetit shqiptar. Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri Basha, duke vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve reciproke tha, se "të dy palët u shprehën për intensifikimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit, sidomos në fushën ekonomike. Në këtë kuadër, ndamë të njëjtin mendim për mbështetjen dhe rëndësinë që do të vazhdohet t‘i kushtohet realizimit të projekteve AMBO dhe korridorit VIII, me besimin se projekte të tilla do të luajnë një rol të rëndësishëm në integrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal". Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm bullgar, Kalfin, u shpreh për mediat, se "dy vendet tona nuk kanë asgjë të lënë pezull, ose të mbetur pezull deri tani". Ai vlerësoi se "Bullgaria dhe Shqipëria kanë një qëndrim të përbashkët, që është zhvillimi i rajonit tonë‘. Zyrtari i lartë bullgar premtoi mbështetje edhe për një liberalizim sa më të shpejtë të vizave të Shqipërisë me BE-në dhe me vetë Bullgarinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›