E Diel, 1 Nëntor 2026

Bullgaria i tregon dhëmbët Maqedonisë, lidhur me retorikat nacionaliste

02-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, pas takimit me komisionerin Fyle tha se vendi i tij mbështet pranimin e Maqedonisë në BE, por nën vëzhgim të rreptë dhe përmbushjen e kritereve evropiane. Krerët bullgarë i kanë thënë komisionerit Fyle se në Maqedoni shënohet trend i retorikës nacionaliste

Bullgaria jo me çdo çmim do të mbështesë afrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, megjithëse qëllimi i Sofjes nuk ka qenë dhe nuk do të jetë që të bllokoj Maqedoninë apo ndonjë vend tjetër në rrugën e tyre drejt Evropës. Ky ka qenë mesazhi i kreut shtetëror të Bullgarisë që i është transmetuar komisarit për zgjerim Shtefan Fyle gjatë vizitës të mërkurën në Sofje. Kryeministri bullgar Bojko Borisov pas takimit me Fylen tha se vendi i tij mbështet pranimin e Maqedonisë në BE, por nën vëzhgim të rreptë dhe përmbushjen e kritereve evropiane. Ndërkaq, komisari për zgjerim Shtefan Fyle është shprehur se të gjithë e dimë se Maqedonia duhej të priste kohë të gjatë para një dere të mbyllur, duke pritur anëtarësimin në NATO dhe BE. “Unë jam nga ata persona që besojnë se nuk është mirë t’i lëmë partnerët gjatë kohë të presin para dere. Besoj se integrimi është mjeti më i mirë për t’u marrë me nacionalizmin. Jam i bindur se izolimi e ushqen nacionalizmin”, deklaroi euro komisari për zgjerim të BE-së, Stefan Fyle në takimin me kryetarin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev. “Unë jam këtu për të ndihmuar në përcaktimin e asaj se si Komisioni Evropian mund të ndihmojë në Bullgari, për ta hapur potencialin e saj në sferën e politikës së fqinjësisë. Do kisha dashur të bisedojmë edhe në lidhje me marrëdhëniet  e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor, ashtu që të gjitha fqinjët këtu të ndjehen rehat në vendet e tyre”, tha ai. Për fat të keq, në Maqedoni shënohet trend i retorikës nacionaliste, qasje diskriminuese ndaj qytetarëve me ndjenja bullgare dhe ka shumë barriera administrative për biznesin bullgar. Kështu deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev në takimin me Evrokomesarin për zgjerim Shtefan Fyle, njofton agjencia “Fokus”. “Ju falënderojmë për mundësinë të bisedojmë për çështjen e zgjerimit të BE-së edhe për vendet e Ballkanit perëndimor. Bullgaria çdo herë e ka mbështetur anëtarësimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar presidenti bullgar, Plevneliev. Ai ka theksuar se në mënyrë të kujdesshme është njoftuar me Raportin e Komisionit Evropian (KE) për përparimin e Maqedonisë, por thotë se nuk mund të pajtohet me disa formulime në të. “Sipas nesh raporti i KE-së për përparimin nuk e reflekton në mënyrë adekuate rolin e Maqedonisë në bashkëpunimin rajonal dhe situatën e marrëdhënieve bilaterale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë”, ka potencuar presidenti i Bullgarisë.  Nga ana tjetër, ministri i jashtëm bullgar Nikollaj Mlladenov në një intervistë për portalin bullgar "Darik News" tha se në raportin e progresit e vitit 2012 për Maqedoninë ka pasur fakte shqetësuese, si marrëdhëniet fqinjësore, represioni ndaj personave me vetëdije bullgare në shtetin e Maqedonisë. Ministri Mlladenov ka thënë se në një takim me qytetarët bullgarë të Bllagoevgradit ka marrë porosi dhe kërkesa që të shtrohen kushte konkrete ndaj vendeve fqinje dhe të bëhet plotësimi i tyre dhe atëherë Bullgaria të përkrahë anëtarësimin në BE.
Të festohet bashkimit shqiptaro-maqedonas kundër serbëve/VMRO-Popullore e Lubço Georgievskit ka kërkuar nga Qeveria shpalljen për festë shtetërore të Kryengritjes së Ohrit, duke e konsideruar si simbol të rezistencës së përbashkët të shqiptarëve dhe maqedonasve kundër okupatorëve serbomëdhenj.  Kjo parti ka kërkuar ndërtimin e një përmendore me qëllim të përjetësimin dhe festimin dinjitoz të kësaj ngjarjeje historike. Ideja vjen tri ditë pas festimeve të 100-vjetorit të Betejës së Kumanovës, që sipas partisë së Georgievskit, ka përfunduar me pushtimin e tmerrshëm, torturimin dhe keqtrajtimin e popullatës së Maqedonisë nga ana e okupatorëve serbë. “Për më pak se një vit, popullata maqedonase dhe ajo shqiptare kanë ndier se të a.q. çlirimtarë nuk dallohen në asgjë nga robëruesit e deriatëhershëm osmanë. Duke mos mundur të durojnë terrorin mbi popullatën, në shtator të vitit 1913 është arritur marrëveshje mes VMRO-së dhe Komitetit Revolucionar Shqiptar për organizimin e një kryengritjeje të përbashkët. Për ta bërë këtë, është lidhur marrëveshje që kryengritja të drejtohet bashkërisht nga Petre Çaulev dhe Sefedin Pustina”, thuhet në një komunikatë të VMRO-PP.  Kjo parti thekson më tej se Kryengritja e Ohrit ka filluar më 9 shtator dhe disa ditë pas zhvillimit të saj, është dëbuar nga territori i Ohrit, Dibrës dhe pjesës perëndimore të Maqedonisë, ushtria okupatore e Serbisë. “Kryengritja e Ohrit paraqet simbol i bashkimit të popullit maqedonas dhe atij shqiptar lidhur me çështjen e politikës okupatore serbomadhe në këto territore”, thonë nga VMRO-PP.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›