Berisha: Mesazhi i Klinton ishte thirrje për tu bashkuar për interesat e vendit – opozita të votojë reformat e integrimit
Kryeministri në mbledhjen e Qeverisë: T’i përgjigjemi thirrjes së KE-së për të votuar ligjet në parlament, për të mos dëmtuar procesin e integrimit
Kryeministri Sali Berisha shprehu sot në emër të qeverisë shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë, mirënjohjen më të thellë për vizitën e djeshme të Sekretares së Departamentit të Shtetit, zonjës Hilary Klinton, në Shqipëri, si dhe për mesazhet që ajo përcolli për forcat politike të vendit dhe për qytetarët shqiptarë.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha se Sekretarja Klinton hapi dje, siparin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me mesazhin më të fuqishëm të miqësisë midis dy vendeve dhe dy kombeve tona. “Ajo solli mesazhin e miqësisë së kombit të madh amerikan, qeverisë së SHBA-ve, miqësi, e cila është e konkretizuar gjatë një shekulli me akte dhe vendime madhore të këtij vendi mik për Shqipërinë dhe shqiptarët në tërësi”.
Kryeministri vlerësoi se mesazhi i Sekretares së Departamentit të Shtetit, Hilary Klinton për shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë ishte një thirrje frymëzuese për tu bashkuar së bashku për interesat kombëtare. Në këtë kontekst, Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të gjetur konsensusin më të madh me opozitën dhe me të gjithë faktorët, për të konsoliduar më tej vlerat e përbashkëta të cilave iu besojnë.
Kryeministri Berisha ftoi zotin Rama dhe opozitën që nisur nga ky mesazh i përcjellë nga Sekretarja Klinton, të bashkëpunojnë për procesin e integrimit, si interesi më i mirë i të gjithë qytetarëve shqiptarë. “Ndaj dhe e shfrytëzoj këtë rast ti përgjigjemi thirrjes së KE-së për të votuar ligjet në parlament, si një dëshmi e vullnetit të hekurt pet të mos dëmtuar procesin e integrimit, proces ky me një mbështetje masive nga qytetarët shqiptarë, por edhe një hap i domosdoshëm i shprehjes së respektit të mirënjohjes ndaj mikeshës së madhe, mesazheve që solli nga kombi, qeveria dhe vendi i saj i madh mik. Do të ishte një veprim i qytetëruar, i përgjegjshëm që e presin të gjithë qytetarët shqiptarë”- u shpreh kryeministri Berisha.