Bullgaria kërkon ndjesë ndaj turqve të saj për spastrimin etnik në epokën e komunizmit
Parlamenti bullgar miratoi një rezolutë që dënon politikën asimiluese të kryer nga regjimi komunist i vendit kundër turqve etnikë në vitet 1980, nën projektin me emër "Procesi i Ringjalljes"
Gati 22 vjet pas fundit të komunizmit në Bullgari, parlamenti i vendit miratoi një deklaratë javën e shkuar, duke dënuar një fushatë në gjysmën e dytë të viteve 1980, që synoi asimilimin me forcë të turqve etnikë të vendit. E nisur nga regjimi totalitar i Teodor Zhivkovit më 1984, i ashtu-quajturi "Procesi i Ringjalljes" kulmoi më 1989, kur më shumë se 360,000 shtetas bullgarë me prejardhje turke u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë në Turqinë fqinjë. Si pjesë e fushatës, autoritetet komuniste të vendit fillimisht u përpoqën të detyrojnë myslimanët etnikë bullgarë dhe pastaj turqit etnikë që të ndryshojnë emrat e tyre turbo-arabë në emra "tradicionalë" bullgarë. Pati raste të rrahjeve, vrasjeve e ndalimit të paligjshëm të njerëzve që nuk pranuar të bënin kështu. Deklarata, e propozuar nga partia e krahut të djathtë Demokratët për Bullgarinë e Fortë (DSB) të ish-Kryeministrit Ivan Kostov, u miratua më 11 janar me mbështetjen e 112 nga 115 ligjvënësve që ndoqën seancën, ndërsa tre të tjerët abstenuan. "Dënojmë me forcë procesin asimilues kundër pakicës myslimane që jetonte në Republikën e Bullgarisë, duke përfshirë të ashtu-quajturin “Proces i Ringjalljes””- tha dokumenti. "Deklarojmë se dëbimi i më shumë se 360,000 shtetasve bullgarë me origjinë turke ishte një formë e pastrimit etnik e kryer nga regjimi totalitar". Deklarata më tej i bëri thirrje kryeprokurorit të vendit dhe autoriteteve gjyqësore që të siguronin se paditë kundër organizatorëve të dyshuar të fushatës të përfundonin. DSB këmbënguli që autorët e krimeve të kryera kundër turqve etnikë gjatë një nga episodet më të errëta në historinë moderne të Bullgarisë nuk duhen lënë pa u ndëshkuar për shkak të skadimit të periudhës statusore të kufizimeve. Miratimi i dokumentit u përshëndet nga ekspertë turq dhe nga qeveria në Ankara, që e përshkroi veprimin si të vonuar. Duke mirëpritur vendimin e Bullgarisë "për t’u përballur me një periudhë të errët të historisë së saj që bëri të vuajnë shumë njerëz", ministria e jashtme turke i kërkoi gjithashtu Sofjes të ndërmarrë hapa për të nxjerrë përpara drejtësisë përgjegjësit për fushatën dhe "të ndreqë në të gjitha aspektet ankimet" e atyre që u përzunë si një rezultat i saj. Muzafer Kutlaj, një eksperte ballkanike e Organizatës Ndërkombëtare të Kërkimit Strategjik (USAK) në Ankara, tha se deklarata ishte "një hap i rëndësishëm përpara për Bullgarinë për të shlyer llogaritë me të kaluarën e saj" dhe drejt një përmirësimi të mëtejshëm në lidhjet e saj me Turqinë. Veprimi "do t’u japë të dy vendeve një mundësi për të krijuar besim mes tyre," tha Kutlaj. "Gjithashtu duke vepruar me virtytin e kërkimit të ndjesës, Bullgaria fitoi mjaft besim në sytë e Turqisë". Duke i bërë thirrje Bullgarisë që të "vazhdojë këtë prirje në një mënyrë të qëndrueshme," ajo gjithashtu besoi se kishte nevojë që vendi ballkanik të "ndërmarrë hapa të sinqertë në fushën e arsimit në gjuhën turke". Bilal Shimshir, i cili shërbeu si ambasador i Turqisë në Tiranë nga 1985 deri më 1987, e minimizoi rëndësinë e deklaratës. "Ky vendim nuk ka ndonjë rëndësi përsa i përket praktikës, sepse Bullgaria nuk e njeh konceptin e ‘pakicës’ që ka një vend në të drejtën ndërkombëtare," tha ai për SETimes. "Nëse dhe vetëm nëse Bullgaria njeh të drejtat e pakicës në vend në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, deklarata të tillë të Parlamentit dhe ndjesat lidhur me të do të kenë një kuptim të vërtetë". Kryetari i Komitetit bullgar të Helsinkit, Krashimir Kanev tha se dyshon se organizatorët e fushatës të fundit të viteve 1980 "do të përballen ndonjëherë me drejtësinë, pavarësisht nga thirrja e deklaratës për këtë". Ekspertët bullgarë, megjithatë, e panë veprimin e parlamentit si një hap pozitiv. Harlan Aleksandrov, një lektor në antropologjinë shoqërore në Universitetin e Ri Bullgar në Sofje, tha se veprimi i asamblesë duhet të ketë "një efekt shërues" për anëtarët e komunitetit etnik turk të vendit. "Disa prej tyre ende e mbajnë mend dhunën, të tjerëve u është thënë nga prindërit e tyre", tha ai. Aleksandrovi tha për SETimes se turqit tani duhet të ndjehen "të lehtësuar dhe të bëhen më pak dyshues ndaj manipulimeve". Ka patur paralajmërime të përsëritura nga anëtarë të Lëvizjes për të Drejtat e Liritë (MRF), veçanërisht nga themeluesi dhe udhëheqësi i saj, Ahmet Dogan, se bullgarët mund të organizojnë një "Proces Ringjallje" të dytë kundër turqve etnikë. Partia u formua më 1990 për të përfaqësuar interesat e pakicës së turqve etnikë. Ajo ka qenë e përfaqësuar në të gjitha asambletë gjatë dy dekadave të fundit dhe ka qenë anëtare e tre koalicioneve në pushtet që më 1992. Ish-Zëvendës/Kryetari i MRF-së Kasim Dal, i cili kaloi tre vjet e gjysmë në burg në vitet 1980 pasi nuk pranoi të ndërrojë emrin e tij, tha se e mbështeti deklaratën, duke theksuar megjithatë se "duhet të ishte miratuar shumë, shumë më parë". "Më mirë vonë se kurrë," tha ai të martën, duke shtuar se kjo duhet të kishte ndodhur në vitet 1990, në mënyrë që arkitektët e fushatës "të mund të kishin dalë përpara drejtësisë".