Bullgaria mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri dhe Kryeparlamentarja takojnë Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë
Kryeministri Sali Berisha takoi dje delegacionin e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, të kryesuar nga Kryetarja e Asamblesë, Tsetska Tsacheva.
Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e Tsacheva në vendin tonë, si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, të cilat bazohen në një traditë historike miqësie e bashkëpunimi të dy popujve e kombeve.
Nga ana e saj, Tsacheva e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke e vlerësuar këtë takim si një nder të veçantë me një personalitet kaq të spikatur të politikës së Shqipërisë dhe të rajonit.
Më tej, në takim u ripohuan niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve politike midis të dy vendeve e qeverive dhe u ritheksua vullneti dhe angazhimi i palëve për të zgjeruar dhe thelluar edhe me tej bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe qytetarët e tyre, por edhe për të vijuar traditën shumë të mirë të bashkëpunimit në kuadrin shumëpalësh e atë rajonal dhe ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, u ripohua angazhimi për të kompletuar të gjithë kuadrin ligjor të nevojshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat, ndërkohe që
Tsacheva vlerësoi klimën shumë tërheqëse që qeveria shqiptare ka krijuar në Shqipëri për sa i përket zhvillimit të investimeve të huaja, duke siguruar që ajo dhe deputetët e parlamentit bullgarë do të japin kontributin e tyre në nxitjen e investitorëve bullgarë për të investuar në Shqipëri. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thelle Tsacheva për mbështetjen qe Bullgaria i dha Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe vijon ti japë për hapat e mëtejshme te integrimit ne BE.
Tsacheva e siguroi Kryeministrin Berisha se Bullgaria mike do të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në përpjekjet e saj dhe hapat e mëtejshme të anëtarësimit sa më të shpejtë në BE. Në këtë kontekst, Tsacheva dhe anëtaret e tjerë të delegacionit, deputete ne parlamentin bullgar vlerësuan ndryshimet e jashtëzakonshme qe kanë ndodhur ne Shqipëri gjatë kësaj periudhe nen drejtimin e kryeministrit Berisha, duke i shprehur atij përgëzimet me te sinqerta për arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, gjatë këtyre viteve. Duke u ndalur në faktin që ky është një vit jashtëzakonisht i veçantë për shqiptarët, të cilët festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ti përcjellë kryeministrit bullgar dhe mikut të tij Boyko Borissov ftesën për ta pritur në Tiranë, si mik i madh dhe i shquar i kombit shqiptar.
Topalli, Tsacheva: Shqipëria meriton statusin kandidat
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pohoi dje në takimin me Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Tsetska Tsacheva, se Shqipëria meriton të marrë statusin e vendit kandidat në BE, brenda këtij viti. Topalli vuri theksin në përkushtimin dhe përpjekjet e Shqipërisë për të finalizuar të gjitha rekomandimet duke bërë të ditur se në funksion të këtij procesi po punohet intensivisht dhe janë kaluar një sërë ligjesh e kodesh që kërkojnë 3/5 e votave, dhe po punohet për finalizimin e dy reformave të rëndësishme Zgjedhore dhe Parlamentare.
Topalli dhe Tsacheva shprehën angazhimin e përbashkët për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, përmes grupeve të miqësisë, delegacioneve të komisioneve parlamentare, por edhe shkëmbimit të vizitave në të gjitha nivelet. Dy homologet biseduan për projekte të mëdha në interes jo vetëm të të dy vendeve por dhe rajonit në tërësi. Kështu u vlerësua rëndësia e Korridorit 8, si një projekt me përparësi, për realizimin e infrastrukturës së të cilit, palët duhet të tregojnë një angazhim të përbashkët. Dy homologet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy parlamenteve por dhe dy vendeve si dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Tsacheva shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë në një kohë kur vendi ka shënuar progres me reformat e integrimit ndërsa tha se falë këtyre arritjeve Shqipëria duhet të meritojë statusin kandidat. Me këtë rast, ajo shprehu mbështetjen e të gjitha institucioneve të larta të Bullgarisë në çdo etapë që Shqipëria do të kalojë në funksion të integrimit evropian duke ofruar edhe eksperiencën e tyre mbi këtë proces.
Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Tsacheva tha se të dy popujt ndajnë historinë e tyre por si dy vende fqinjë mike kanë objektiv të përbashkët strukturat evropiane. Të dy vendet, tha Tsacheva janë anëtare të NATO-s, bëjnë pjesë në nisma të rëndësishme ndërkombëtare, mirëpresim të jemi së bashku edhe në Bashkimin Evropian. Ne besojmë tek e ardhmja evropiane e Shqipërisë.