E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca dhe opozita votojnë ligjin që u hap rrugë hetimeve në Shqipëri

11-05-2012 / Gazeta 55

Kuvendi miraton ligjin për hetimin e raportit ish- senatorit Dick Marty, reagon ambasada e SHBA dhe ajo e BE-së

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me konsensusin PD-PS, me 127 vota “pro”, projektligjin e përgatitur nga qeveria për të lejuar prokurorët e EULEX-it të hetojnë edhe në territorin shqiptar mbi akuzat për trafik organesh të serbëve të bëra në raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty. Ky ligj do t’i shërbejë bashkëpunimit me prokurorin e ngarkuar nga Bashkimi Evropian për hetimin e raportit.
Ligji i miratuar dje i njeh misionit EULEX në Kosovë, autoritetin për të zhvilluar hetime edhe në Shqipëri lidhur me akuzat e përfshira në raportin e relatorit të Këshillit të Europës, Dick Marty, për një trafik të mundshëm organesh të zhvilluar nga UÇK në fund të viteve ‘90, edhe në territorin shqiptar.
Sipas relacionit “Shqipëria e konsideron të domosdoshëm rrëzimin njëherë e përgjithmonë të akuzave të ngritura nga Dick Marty, duke e konsideruar të një rëndësie primare vendosjen e drejtësisë, që është njëkohësisht gur themeli për vendosjen e paqes dhe për të kundërshtuar çdo mundësi për cenimin e imazhit të shqiptarëve dhe luftës së drejtë të çlirimit të Kosovës”.    
Projektligji i cili dje mori trajtën  ligjit, u bë me dije pak ditë më parë nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë. Për kreun e qeverisë Berisha, akuzat e ish senatorit Marty janë të pavërteta. Kryeministri ka theksuar se prokurorët do të hetojnë edhe për varrezën e përbashkët dhe vendin e transplantimit të organeve, për të cilën Marty raporton se ndodhet në veri të Shqipërisë.
“Intensiteti i akuzave të pa-faktuara kërkon hetim të imtësishëm, qoftë për transplantin e organeve, si forma më e shëmtuar e krimeve kundër njerëzimit, ku pretendohet se paska ekzistuar në Fushë-Krujë një spital, që hiqte organet dhe i çonte ë botë. Në Fushë-Krujë ndoshta i kanë vrarë sytë pamjet me Xhorxh Bushin atij”, theksoi Berisha, duke shprehur skepticizmin për akuzat e pretenduara nga Marti. “Dua të faktoj që këto akuza shumë të rënda që bëhen për udhëheqjen politike të Kosovës por edhe për Shqipërinë të zbardhen me vërtetësinë më të madhe. Ndaj dhe ne, ministria e drejtësisë ka bashkëpunuar me ekspertët e Eulex-it dhe ligji do të bëjë të mundur një hetim të plotë dhe baza ligjore do të japë një mbështetje të fuqishme”, tha Berisha një javë më parë.

BE: Miratimi i këtij ligji, hap i rëndësishëm
Task Forca e Posaçme e Hetimit e Bashkimit Evropian (SIFT) përshëndeti miratimin sot nga Parlamenti i Shqipërisë të ligjit mbi bashkëpunimin me SIFT-in.
Zyra e shtypit e delegacionit të BE-së në Tiranë, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se “miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm përpara, pasi forcon më tej aftësinë e SIFT-it për të kryer një hetim penal të plotë, të drejtë dhe të pavarur lidhur me akuzat për krime lufte dhe për krim të organizuar, që përmbahen në raportin e Këshillit të Evropës (KiE) të janarit 2011”.
Ligji, i cili reflekton ligje të mëparshme rajonale mbi bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), tregon qartazi se SIFT-i mund të arrijë bashkëpunimin për hetim nga shtetet përkatëse.
“Dua të shpreh vlerësimin tim ndaj Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij për propozimin e një ligji mbi bashkëpunimin me SIFT-in dhe për mundësimin e miratimit të tij nga Parlamenti. Njëkohësisht, dëshiroj të përgëzoj të gjitha partitë politike të cilat ofruan mbështetjen e tyre ndaj këtij ligji. Mbështetja e gjerë politike ndaj kësaj nisme është një shprehje e fortë e angazhimit të Shqipërisë ndaj çështjes së përgjegjshmërisë dhe zbatimit të ligjit”, tha kryeprokurori Clint Williamson.
Në njoftim thuhet se ky do të jetë një hetim kompleks dhe i gjatë, por miratimi i këtij ligji është me rëndësi të veçantë pasi ai do të lejojë SIFT-in të kryejë veprimtari hetuese në mënyrë autonome në territorin shqiptar, ku raporteri i KiE-së, Dick Marty, beson se janë kryer shumica e krimeve të pretenduara.

USA: Ligji, provë e angazhimit të Shqipërisë
Ambasada e SHBA mirëpriti miratimin me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimeve Speciale të EULEX dhe e sheh këtë si provë të angazhimit të Shqipërisë ndaj integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal.
Ambasada e SHBA bëri të ditur në një njoftim për shtyp se Njësia e Hetimit ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara. “Ne presim një hetim të plotë dhe korrekt, i kryer me transparencë dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve vendore e kombëtare”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›